Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.
“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare”, u shpreh Mandl.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai thotë se Mandl me këtë deklaratë ka dëshiruar të thotë që Kosova duhet të lëshoj ose t’i japë Serbisë territore.
Mirëpo sipas avokatit, Kurti tashmë i ka dhënë përgjigje për këtë çështje duke mos i dhënë asgjë Serbisë.
“Kjo indirekt don të thotë që Kosova të lëshojë ose t'i japë Serbisë territore nga territoret e saja që i ka si shtet i pavarur.
Asgjë nuk do të japë Albin Kurti - dhe, bravo i qoftë!
Lëshimi i territoreve nga Kosova drejt Serbisë, do të ishte tradhëti kombëtare”, u shpreh avokati.
Më tej, ai përmend komoditetin që Serbia e ka pasur më heret me ‘veglat’ e saj në Prishtinë dhe Tiranë mirëpo që tani nuk po e gjen më atë komoditet.
“Serbia ka qenë e mësuar me veglat e saja shqiptare që ka pasur në Prishtinë dhe në Tiranë.
Tani kuptohet se nuk po gjen më. Dhe qëndrimi aktual i qeverisë Kurti është shumë kombëtar dhe shumë patriotik. Dhe kjo tani, sigurisht që është një vlerë e madhe e shqiptarisë në një rrafsh ballkanin territorial shqiptar”, foli avokati shqiptar për “Bota sot”.