Haradinaj kritikoi qëndrimin e LDK-së/ Analistët me kundërpërgjigje të ashpër – ja për çfarë e paralajmërojnë Abdixhikun!

Politika

Haradinaj kritikoi qëndrimin e LDK-së/ Analistët me kundërpërgjigje të ashpër – ja për çfarë e paralajmërojnë Abdixhikun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 30 mars 2025 Në ora: 08:08
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gjatë një konference pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ditë më parë, Abdixhiku ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kontakt apo takim me ndonjë parti politike në vend, veçanërisht me subjektin që aktualisht drejton qeverinë.

“LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Po ashtu, LDK-ja nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër, pa zgjidhjen e çështjes së presidentit”.

E në lidhje me këtë deklaratë të Abdixhikut ka folur së fundmi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka komentuar qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndaj formimit të një qeverie të re, duke e cilësuar atë si bllokues.

Duke komentuar këtë qëndrim, Haradinaj e ka konsideruar si pengesë për formimin e një qeverie opozitare.

“Aktualisht pozicioni i LDK-së është bllokues. Nuk e mundëson krijimin e qeverisë së opozitës”, ka thënë Haradinaj.

E të gjendur në këtë situatë njohësit politik kanë folur për këtë deklaratë të Haradinajt drejtuar Abdixhikut duke e cilësuar jo të drejtë dhe tendencioze.

Gashi: Refuzimi i LDK-së për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen nuk përbën bllokadë

Image
Eduard Gashi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Eduard Gashi, ku tha se qëndrimi i LDK-së nuk është pengesë për formimin e një qeverie të re opozitare.

Sipas tij, refuzimi i LDK-së është një qëndrim i qartë politik, i shpallur publikisht dhe në mënyrë konsekuente dhe se fakti që LDK vendos kushte për partitë e tjera opozitare nuk duhet parë si kapriço politike.

“Deklarata e z. Ramush Haradinaj, në të cilën ai e konsideron qëndrimin e LDK-së si pengesë për formimin e një qeverie të re opozitare, meriton një analizë më të thelluar dhe më të matur, sidomos në këtë fazë ku vendi ndodhet në një udhëkryq politik.

E para, duhet të sqarohet se refuzimi i LDK-së për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen nuk përbën bllokadë. Përkundrazi, është një qëndrim i qartë politik, i shpallur publikisht dhe në mënyrë konsekuente. Në demokraci, qëndrimet e qarta nuk janë pengesa, por bazë për ndërtimin e besimit. Po ashtu, fakti që LDK vendos kushte për partitë e tjera opozitare nuk duhet parë si kapriço politike, por si përpjekje për të vendosur standarde dhe rregull në qeverisje. Një qeveri që do të ndërtohej mbi pazarë, jo mbi parime, do të ishte më shumë e dëmshme sesa mungesa e një qeverie të re”, u shpreh ai.

Më tej, Gashi e sheh të gabuar deklaratën e Haradinajt duke thënë që e ardhmja e Kosovës nuk ndërtohet mbi protagonizma personale, por mbi institucione funksionale dhe ministra që përfaqësojnë jo vetëm partinë, por të gjithë qytetarët.

“AAK dhe PDK kanë historikisht të drejtën të kërkojnë pjesëmarrje në qeverisje, por jo automatikisht, pa një reflektim të thellë mbi përmbajtjen, programin dhe vlerat që do ta mbajnë një bashkëpunim të qëndrueshëm. Haradinaj gabon kur e sheh qëndrimin e LDK-së si bllokues, sepse realisht kemi të bëjmë me një thirrje për përgjegjësi dhe seriozitet.

Nuk është qëllimi i politikës t’i japë dikujt poste vetëm sepse ka pasur një rol të rëndësishëm në të kaluarën. Lavdia për të kaluarën është e merituar dhe e nderuar, por qeverisja kërkon vizion për të ardhmen. E ardhmja e Kosovës nuk ndërtohet mbi protagonizma personalë, por mbi institucione funksionale dhe ministra që përfaqësojnë jo vetëm partinë, por të gjithë qytetarët”, thotë analisti.

Tutje, ai vazhdoi bisedën duke thënë që duhet të krijohet një qeveri me grup interesi por një platformë e përbashkët që ngrihet mbi besimin dhe angazhimin për shtetndërtim.

“LDK, si një parti me rrënjë të thella institucionale dhe kulturore, kërkon që çdo bashkëpunim të bëhet mbi bazën e parimeve, jo thjesht aritmetikës parlamentare. Qeveria nuk mund të jetë një grup interesi, por një platformë e përbashkët që ngrihet mbi besimin dhe angazhimin për shtetndërtim. Dhe në këtë drejtim, të kërkosh qeverisje të mirë nuk është bllokim, por përgjegjësi.

Është më mirë të mos qeveriset fare, sesa të qeveriset keq. Sepse në fund, pasojat nuk i bartin liderët, por qytetarët e zakonshëm. Dhe për ta, Kosova duhet të dalë nga cikli i lodhshëm i krizave politike dhe të hyjë në një fazë të re të maturisë institucionale.

Në vend të thirrjeve për bashkime të shpejta, që shpesh çojnë në ndarje të shpejta, më mirë është të ndërtohet një dialog i sinqertë, ku secili pranon realitetin dhe përgjegjësitë që mbart”, foli Gashi për “Bota sot”.

Mehmeti: Ramushi nuk ka të drejtën t’i tregojë Lumirit apo Memlit si të veprojë

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Abdixhiku nuk duhet të bie pre e lojës së Haradinajt, pasi i njëjti po kërkon shpëtim nga LDK dhe PDK që ta rrëzoj Kurtin.

“Dua të besoj se Abdixhiku është aq i zgjuar sa mos të bie pre e lojës së Ramushit, njeriut që është fundosur si mos më keq. Kështu, z. Haradinaj po kërkon shpëtim nga LDK dhe PDK që të bëhen tok për të rrëzuar Kurtin. Por, LDK nuk duhet të bie pre e lojës së pandershme të Ramushit, por të veprojë sipas vullnetit të anëtarësisë dhe të mirës së përbashket të vetë partisë”, shpjegon analisti

Në fund, analisti nënvizoi duke thënë që LDK shumë herë është mashtruar dhe e ka pësuar, nësë bën gabim të bëhet tok me Ramushin për interesta e tij, do të dështojë shumë keq.

“Ramushi nuk ka të drejtën t'i tregojë Lumirit apo Memlit si të veprojë ai po të dinte do të ishte vetë më mirë. Ramushi është këshilltar i keq, politikan i dështuar e si rrjedhojë LDK nuk duhet të bie pre e një njeriu të dështuar në politikë. LDK shumë herë është mashtruar dhe e ka pësuar, nësë bën gabim të bëhet tok me Ramushin për interesta e tij, do të dështojë shumë keq”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat