Marrëveshja e Serbi dhe Hungari si “kundërpërgjigje” ndaj Aleancës Kosovë-Shqipëri-Kroaci: Zbardhen prapaskenat

Politika

Marrëveshja e Serbi dhe Hungari si “kundërpërgjigje” ndaj Aleancës Kosovë-Shqipëri-Kroaci: Zbardhen prapaskenat

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 3 prill 2025 Në ora: 14:04
Nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë - Shqipëri - Kroaci

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq deklaroi se vendi i tij ka nënshkruar marrëveshje strategjike në fushën e mbrojtjes me Hungarinë.

Vuçiq priti në takim ministrin hungarez të Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky.

Duke folur në konferencën e përbashkët për media pas bisedimeve ndërmjet delegacioneve, Vuçiq tha se ata kanë bashkëpunime të rëndësishme me Hungarinë dhe se kanë nënshkruar dokumentin që do të konkretizonte marrëveshjen në fushën e mbrojtjes të arritur në vitin 2023.

Ai theksoi se bashkëpunimi strategjik në fushën e mbrojtjes ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë është marrëveshja më gjithëpërfshirëse mes të gjitha vendeve në rajon.

“Në aspektin e numrit dhe rëndësisë së aktiviteteve të përbashkëta, Serbia bashkëpunimin më të zhvilluar dhe më intensiv të mbrojtjes e zhvillon me Hungarinë. Elementet kryesore të këtyre marrëdhënieve janë bashkëpunimi ushtarak, si stërvitjet dypalëshe dhe shumëkombëshe si dhe bashkëpunimi teknik në furnizimin e sistemeve dhe pajisjeve të armëve”, deklaroi Vuçiq.

E kjo marrëveshje vjen menjëherë pas marrëveshjes Kosovë-Shqipëri-Kroaci për aleancë të përbashkët ushtarake.

Të gjendur në këtë situatë, cilat shtete mund t'iu bashkohen këtyre dy aleancave?

Softa: Situata e sigurisë duket kërcënuese

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Image
Fatjon Softa

Ai thotë se marrëveshja e nënshkruar nga Serbia dhe Hungaria, vjen si reagim i ashpër ndaj marrëveshjes së nënshkruar mes Kosova, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Hungarinë për bashkëpunimin strategjik në fushën e mbrojtjes. Kjo marrëveshje u firmos nga ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, dhe homologu i tij hungarez, Kristof Salai-Bobrovnicki. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, e vlerësoi marrëveshjen me Hungarinë si një hap të rëndësishëm, duke e quajtur atë marrëveshjen më të rëndësishme në Ballkan.

Beogradi reagoi ashpër në mes të marsit ndaj deklaratës të nënshkruar në Tiranë nga Shqipëria, Kroacia dhe Kosova, të cilën pjesëmarrësit e përshkruan si një dokument që synon forcimin e bashkëpunimit për t’u përballur me sfidat e sigurisë që mund të kërcënojnë stabilitetin rajonal. Nga ana tjetër, Serbia e quajti këtë marrëveshje një provokim dhe kërcënim për stabilitetin.

Serbia, Hungaria, Sllovenia dhe mundësisht Bullgaria, krijojnë një bllok shtetesh që kanë pretendime territoriale. Frika e tyre nuk është një sulm i mundshëm ndaj tyre, por kundërpërgjigja ndaj marrëveshjes Shqipëri-Kosovë-Kroaci”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë thotë që kemi një tension të madh, pasi edhe Kina është shumë afër një sulmi ndaj Tajvanit, ndërsa Serbia po stimulon trazira për të shkëputur Republikën Serbska, duke destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin.

“Kosova ka nënshkruar një marrëveshje me dy shtete anëtare të NATO-s, dhe lidhja e natyrshme mes këtyre shteteve mund të zhvillojë kapacitete prodhuese të armëve të lehta.

Kjo klimë lufte është gjithnjë e pranishme dhe ka shkaktuar një ndryshim të madh në situatën e sigurisë. Rreziku i shpërthimit të konflikteve është shumë evident, ndërsa tensionet po shtohen.

Kina është shumë afër një sulmi ndaj Tajvanit, ndërsa Serbia po stimulon trazira për të shkëputur Republikën Serbska, duke destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin. NATO dhe disa shtete të saj kanë njoftuar qytetarët që të përgatiten për çdo situatë, duke iu rekomanduar që të përgatisin çanta emergjence për të paktën 72 orë dhe të blejnë rezerva ushqimore, ilaçe dhe ujë”, thotë ai.

Duke vazhduar më tej, eksperti thotë që situata e sigurisë duke kërcënuese .

“Situata e sigurisë duket kërcënuese, me re të zeza që mbulojnë të ardhmen, dhe mund të ndodhin situata të papritura. Edhe Bosnja dhe Hercegovina mund të bashkohen me marrëveshjen Shqipëri-Kosovë-Kroaci.

Iniciativa "Ballkani Hapur" ka dështuar, ashtu si dhe Marrëveshja e Berlinit. Pozicioni i Maqedonisë, e cila ka një lidhje të ngushtë me Serbinë dhe Rumaninë, mbetet i paqartë”, foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa për “Bota sot”.

Hertica: Marrëveshja shihet si një përgjigje ndaj dinamikës rajonale

Image
Ali Hertica

Ndërsa analisti politik, Ali Hertica në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Marrëveshja nuk përshkruhet si një aleancë ushtarake e plotë, por më tepër si një forcimi i bashkëpunimit strategjik në çështjet e mbrojtjes.

“Ky zhvillim bazohet në një kuadër ekzistues të bashkëpunimit të mbrojtjes midis dy kombeve, i cili ekziston prej disa vitesh dhe rinovohet çdo vit. Marrëveshja nuk përshkruhet si një aleancë ushtarake e plotë, por më tepër si një forcimi i bashkëpunimit strategjik në çështjet e mbrojtjes. Ai përfshin dispozita për stërvitjet e përbashkëta ushtarake, shkëmbimin e teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake dhe koordinimin për çështjet e sigurisë me interes të përbashkët”, u shpreh ai.

Duke vazhduar bisedën eksperti thotë që kjo marrëveshje mes Hungarisë dhe Serbisë ishte përgjigje ndaj Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Më tej ti thotë që ky vendim, i cili shënon një ndryshim të madh në politikat tradicionale të BE-së, vjen në një moment kur tensionet gjeopolitike po rriten dhe siguria evropiane.

“Marrëveshja shihet si një përgjigje ndaj dinamikës rajonale, veçanërisht dëshirës së Serbisë për të sinjalizuar fuqinë dhe mbështetjen në Ballkan, ndërsa Hungaria kërkon të forcojë lidhjet e saj me Beogradin, një partner kyç rajonal jashtë kornizës së NATO-s.

Në veçanti, marrëveshja duhet parë si një përgjigje ndaj paktit të fundit  midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap historik duke lejuar përdorimin e fondeve të kohezionit për investime në industrinë e mbrojtjes. Ky vendim, i cili shënon një ndryshim të madh në politikat tradicionale të BE-së, vjen në një moment kur tensionet gjeopolitike po rriten dhe siguria evropiane”, përfundoi Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat