“Përçarjet” brenda LDK-së/ Analisti tregon faktorët që kanë ndikuar – ka një paralajmërim jo të mirë!

Politika

“Përçarjet” brenda LDK-së/ Analisti tregon faktorët që kanë ndikuar – ka një paralajmërim jo të mirë!

Nga: M.Haziri Më: 3 prill 2025 Në ora: 18:00
LDK

LDK që nga përfundimi i zgjedhjeve ka pasur përçarje brenda partisë.

Fillimisht erdhen deklarata të shumta që sulmonin njëri -tjetrin e së fundmi u publikuan edhe disa biseda.

Janë mesazhe nga grupi i Viber-it të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së, ku pjesë e diskutimit është edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Mesazhet, e siguruara, tregojnë një bisedë mes ish-shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, dhe Kujtim Shalës, ku përmendet vjedhja e votave të diasporës.

E në lidhje me këto situata në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri.

Ai thotë që në këto probleme kanë ndikuar mosmarrëveshjet mes grupeve që kanë luftuar njëra-tjetrën brenda LDK-së, gjithashtu edhe votat që kanë ardhur përmes postës.

“Mendoj se problemet janë akumuluar gjatë një periudhe të gjatë, ku mosmarrëveshjet mes grupeve që kanë luftuar njëra-tjetrën brenda LDK-së, kanë kulmuar tani me procesin e zgjedhjeve, konkretisht me votat që kanë ardhur përmes postës. Shikohet qartë se ato vota kanë qenë të orientuara drejt atyre që kreu i LDK-së, z. Abdixhiku, i konsideron si njerëz të afërt me të”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që nëse kjo situatë nuk menaxhohet si duhet nga lidershipi atëhere mund të sjellë pasoja për LDK-në.

“Pra, ka një mori faktorësh që kanë çuar në këtë situatë që u shfaq në ditët e fundit brenda LDK-së, siç është edhe personalizimi i fushatës zgjedhore që u bë nga lideri i partisë, favorizimi i disa individëve në listën e kandidatëve për deputet, promovimi i tyre në media dhe përjashtimi i atyre që nuk janë konsideruar si njerëz të afërt me të, apo si të degjuarit e tij.

Kjo situatë, nëse nuk menaxhohet siç duhet nga lidershipi dhe nëse nuk ka një zë të arsyes që t’u adresojë në mënyrë meritore pakënaqësitë e disa figurave brenda partisë, mund të sjellë pasoja për LDK-në, sidomos në procesin e ardhshëm zgjedhor për zgjedhjet lokale të vjeshtës së këtij viti”, përfundoi analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat