Pak pas mesnatës më 1 prill u hodhën dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës në komunën e Zveçanit.
Njëra nga granatat u shpërthye në momentin e sulmit nga personat atje, ndërsa tjetra në mënyrë të kontrolluar nga Policia e Kosovës.
Nga sulmi pati vetëm dëme materiale dhe jo persona të lënduar.
E ndaj këtij sulmi, regoi edhe kryeminsitri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti e quajti këtë sulm “orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”.
“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”, shkroi Kurti në Facebook.
Në lidhje me këtë sulm të fundit dhe veri, prapaskenat e tij dhe për atë se si duhet vepruar institucionet, për “Bota sot” folën njohësit e çështjeve të sigurisë.
Këta të fundit, u shprehn të shqetësuar me sulmet e herëpashershme në veri të vendit.
Hoxha: Vuçiqit i duhet të paraqet probleme në Kosovë që të tërheq vëmendjen nga problemet e brendshme
Si fillim për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” ka folur ish-ushtaraku, Hafir Hoxha.
Ai tha se i gjithë ky problem burimin e ka nga Beogradi, ku këtë e ndërlidhi edhe me protestat e shumta që po mbahen kundër qeverisë së Vuçiqit.
“Ky është një problem që me siguri burimin e ka nga Serbia. Vuçiqi atje ka probleme serioze me protesta të studentëve që nuk po ndalen e aq më nervoz po e bëjnë Vuçiqin dhe Serbinë që ende nuk e kanë të qartë kush qëndron pas këtyre protestuesve dhe cili eshte synimi përfundimtar dhe kryesor i këtyre protestave”.
Krahas kësaj, përmendi edhe problemet në Bonsjë me Milorad Dodikut dhe faktin se si ndikojnë ato te presidenti serb, e që për këtë po tenton ta largojë vëmendjen nga gjithë këto probleme, përmes sulmeve në Kosovë.
“Problem ka Vuçiqi, ku edhe kryetari i Republikës Srpska Milorad Dodik është në kërkim nga gjykata e BiH mes interpolit i cili për momentin është vendos në Rusi.
Pra as atij, Vuçiqi nuk mund t’i ndihmojë dhe situata politike nuk është stabile as në Republikën Srpska.
Në këtë kontekst, Vuçiqit i duhet të paraqet probleme në Kosovë që të tërheq vëmendjen pak nga ato problemet e brendshme që ka, prandaj lehtë e ka të bëjë këto veprime terroriste në Kosovë”, shpjegoi ai.
Gjithashtu, ish-ushtaraku kishte edhe disa propozime në lidhje me atë se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës dhe masat që duhet ndërmarrë për t’i parandaluar këto sulme.
“Kosova duhet t’i kryejë detyrat e veta me strukturat e veta të sigurisë që t’i parandalojë këto akte, nëse mundet. Në të njëjtën kohë kudo në Kosovë duhet të punohet në edukimin e qytetarëve si te veprojnë në raste të ndryshme, të jashtëzakonshme, pse jo edhe në rast të konflikteve të armatosura. Faktikisht, punët që janë duke i bërë të gjitha shtete evropiane, përgatitja e strehimoreve, inspektimi i tyre, sigurimi i rezervave në ujë, ushqim, barna, paisje tjera të logjistikës për qytetarë, mënyra e shndërrimit të parkingjeve publike në qendra strehimi e banimi të qytetarëve, dhe punë tjera strategjike që po i bëjnë të gjitha shtetet e BE pa panikë”, përfundoi Hafir Hoxha për “Bota sot”.
Elezi: Rasti i sulmit me granatë dore në Zveçan është vërtetë një veprim tipik i organizatave terroriste
Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi e dënoi ashpër këtë sulm, derisa u shpreh i shqetësuar me faktin se grupet terroriste po vazhdojnë të kryejnë akte dhune në veri të vendit.
Ai në bashkëbisedimin me “Bota sot” tha se qëllimi i këtyre sulmeve është shkaktimi i frikës përmes sulmeve të objekteve shtetërore.
“Rasti i sulmit me granatë dore në Zveçan, përkatësisht në objektin e Postës së Kosovës është vërtetë një veprim tipik i organizatave terroriste, të cilat kanë për qëllim shkaktimin e frikës, duke vendosur në shënjestër objektet shtetërore. Ky rast konfirmon qartazi se në këtë zonë dhe në katër komunat me shumicë serbe, apo edhe në eklava tjera serbe në Republikën e Kosovës ekziston dyshimi i aktiviteteve të grupeve terroriste, posaçërisht i dy organizatave, të cilat veçse i ka shpallur terroriste Q everia e Kosovës. Ne mbesim vërtet të shqetësuar për faktin se në vazhdimësi dhe në mënyrë të organizuar grupet terroriste serbe, në katër komunat me shumicë serbe, kryejnë veprime të cilat janë kryesisht akte dhune dhe që mund të kalojnë në veprën e terrorizmit”.
Po ashtu, Elezi komentoi edhe reagimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, derisa kërkoi që sa më shpejt të zbardhet rast dhe të sigurohen provat e mjafutueshme për rastin në fjalë.
“Ndërsa, sa i përket kryeministrit të Republikës së Kosovës, i cili ka dënuar fuqishëm dhe e ka quajtur këtë si sulm me elemente terroriste, ne mund të themi se zakonisht parë nga aspektit trajtimit të veprës penale të terrorizmit, ky rast përmban të gjitha veprat e një sulmi terrorist.
Por, që fakti se nuk kemi një performancë të institucioneve të zbatimit të Ligjit të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit për t'i arrestuar eventualisht terroristët, mbetet vetëm një deklaratë e Kryeminisrit të Kosovës, e cila mund të konsiderohet, por në asnjë mënyrë nuk mund të trajtohet si sulm terrorist. Ngase nuk kemi mundësi që të procedojmë tutje konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bazuar në detyrimet që ka për të siguruar prova të mjaftueshme për të konsideru dyshimin e bazuar”, shpjegoi ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të institucioneve të vendit me reaguesit ndërkombëtarë të sigurisë.
Derisa, në këtë pikë tha se është shqetësues mosreagimi i ndërkombëtarëve në lidhje me këtë rast.
“Fillimisht, është shumë e nevojshme që deklaratat e Institucioneve të Republikës së Kosovës të jenë të koordinuara me deklaratat e faktorit ndërkombëtar, ngase vetëm në momentin kur strukturat, sidomos reaguesit e sigurisë, siç janë: EULEX-i, UNMIK-u dhe KFOR-i të deklarojnë në lidhje me aktivitete terroriste, ne mund të konsiderohemi se kemi mbështetjen e ndërkombëtare për cilësimin e këtyre veprave dhe njëkohësisht edhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete për luftimin e tyre.
Mos reagimi i faktorit ndërkombëtar në raste të tilla vërtet është shqetësues, ngase ne e dimë të gjithë që institucionet e sigurisë ndërkombëtare në Kosovë, apo edhe në institucionet tjera, janë jashtëzakonisht të angazhuar dhe të interesuar për luftimin e terrorizmit”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.