Kosova është në një fazë tejet të rëndësishme, siç është ajo e formimit të institucioneve të reja.
Mirëpo, Shteti serb në vazhdimësi po tenton që të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
E këto ditë e fundit, disa burime brenda institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë konfirmuan se Millan Radoiçiq, i njohur si organizator i grupeve kriminale dhe i shpallur terrorist nga institucionet e Kosovës, është duke ndërmarrë veprime për të destabilizuar proceset demokratike në vend.
Sipas këtyre burimeve, Radoiçiq po tenton të shantazhojë përfaqësues të komuniteteve jo shumicë, me synim të zgjerojë në heshtje grupin parlamentar të Listës Serbe dhe të pengojë formimin e institucioneve të reja. Strukturat e sigurisë janë alarmuar nga biseda të incizuara që dëshmojnë përpjekjet e tij për të ushtruar ndikim përmes presionit dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj individëve të caktuar.
Përveç shantazheve, ekzistojnë indikacione për plane më të gjera që përfshijnë organizimin e protestave të orkestruara dhe përfshirjen e grupeve të maskuara kriminale e terroriste për të mbështetur agjendat destabilizuese të Beogradit dhe Presidentit Vuçiq.
Marrë parasysh gjithë këto veprime, shteti serb me sjelljen e tij i ka kaluara të gjitha “vijat e kuqe” dhe se tolerimi i mëtejshëm i këtyre veprimeve është bërë i papranueshëm për partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
E për atë se si duhet të veprohet më tej, dhe se sa rrezikohet demokracia e vendit nga këto ndërhyrje të qeverisë së Beogradit, folën njohësit e këtyre çështjeve.
Ramabaja: Krejt ky veprim penal do të pasonte me ngritjen e një akuze formale, natyrisht nëse provat janë të mjaftueshme
Së pari, profesori Sadri Ramabaja në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se institucionet e drejtësisë duhet të kenë qëllim kryesor mbrojtjen e demokracisë dhe integritetit të shtetit.
“Në këtë rast institucionet ligj zbatuese të Republikës, si mekanizma të shtetit të së drejtës, si kundërveprim ndaj situatave të tilla, do të duhej të prioritizonte mbrojtjen e parimeve të shtetit të së drejtës, të drejtat e njeriut dhe integritetin e procesit demokratik”.
Krahas kësaj, Ramabaja përmendi disa hapat që duhet ndërmarrë në lidhje me Milan Radoiçiqin dhe grupet kriminale të përfshira.
Në këtë pikë, ai kërkoi edhe ngritjen e një akuzë formale.
“E para, do të duhej të aktivizonte mjetet ligjore e penale.
Hulumtim penal: Do të duhej me urgjencë të nisej një hetim zyrtar nga autoritetet e Prokurorisë dhe policisë për të mbledhur prova të shantazhit, kërcënimeve ose përfshirjes në aktivitete terroristike. Kjo do të përfshinte para së gjithash marrjen e deklaratave nga të gjitha palët e prekura; analizën e komunikimeve elektronike dhe transaksioneve financiare; bashkëpunimin me INTERPOL-in dhe Europol-in, meqë duket se ky veprim mud të ketë dimensione ndërkombëtare.
E dyta, ngritja e akuzës: Krejt ky veprim penal do të pasonte me ngritjen e një akuze formale, natyrisht nëse provat janë të mjaftueshme”.
Gjithashtu, profesori tha se për raste të tilla duhet të happen procese penale dhe të hulumtohet se tek cilat subjekte, apo deputetë të caktuar është ushtruar presion apo edhe janë paguar për të bllokuar formimin e qeverisë së re.
Tutje, kërkoi që BE të jetë më e ashpër ndaj veprimeve të tilla, ku edhe të vendosë masa sanksionuese ndaj Serbisë.
“E treta, fillimi i një procesi penal: Vetëm kështu i hapet rruga një procesi penal kundër personave të përfshirë për shantazh, terrorizëm, ose përdorim të dhunës për qëllime politike.
Në fillim të këtij procesi penal, do të duhej të ndërmerrej edhe masa e anulimit të mandateve nëse provohet se një apo iks deputetë kanë fituar mandatin përmes presionit ose shantazhit ose janë vënë në shërbim të ngritjes së pengesave në procesin e realizimit të vullnetit politik të popullit përmes krijimit të pengesave për konstituimin e Kuvendit apo krijimit të Qeverisë, duke u vu në veprim Gjykata Kushtetuese ose organet përkatëse.
E katërta, presioni diplomatik: Meqë në rastin konkret, duket shqeto se situata ka dimensione ndërkombëtare, prandaj do të duhej të pasonte pa humbur kohë presioni diplomatik. Do të ishte në kuadër të veprimit normal që BE-ja të aktivizonte strukturat e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PJSMP) për të koordinuar sanksione ose masa të tjera. Ndërkaq e pakta që do të duhej të bënte ky mekanizëm do të ishte që Brukseli të kërkojë sqarime zyrtare ose të ndërhyjë diplomatikisht për të ndaluar destabilizimin e Kosovës”.
Në fund, Ramabaja radhiti disa nga mjetet demokratik e mbrojtëse që duhet të garantojnë disa pika të ndryshme.
“E pesta, presion ekonomik: Nëse situata lidhet me shtete të tjera, BE mund të përdorë mjetet e saj ekonomike për të kërkuar ndryshim sjelljeje.
Cilido nga shtetet serioz, sovran në këtë rast do të reagonte me një kombinim të mjeteve penale, diplomatike dhe mbrojtëse për të garantuar që:
1. Aktivitetet kriminale dhe de stabilizuese të ndërpriten.
2. Procesi demokratik të mbrohet nga ndikimi i paligjshëm.
3. Komunitetet e prekura të kenë besim në institucionet.
Në thelb, fokusi do të ishte në zbatimin strikt të ligjit pa kompromis, ndërsa njëkohësisht do të mbroheshin të drejtat e të gjitha palëve në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, përmbylli Sadri Ramabaja për “Bota sot”.
Bajraktari: Qëndrimi në liri i Millan Radoiçiq, paraqet rrezik potencial për sigurinë e Kosovës
Kurse, avokati Ardian Bajraktari, tha se liria e kryekriminelit Radoiçiq, paraqet rrezik për shtetin tonë, pasi ai vazhdon të veprojë sipas favorit të Vuçiqit
“Qëndrimi në liri i Millan Radoiçiq, paraqet rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, ky i fundit vazhdon të bëjë lloj lloj obstruksionesh të cilat natyrisht se i shkojnë në favor dhe përshtatin Vuçiqit dhe politikës së tij”, tha ai për “Bota sot”.
Po ashtu, kërkoi hetime të detajuara dhe prova për përfshirjen dhe ndikimin e Radoiçiqit në procesin e formimit të institucioneve të Kosovës, derisa pas kësaj tha se duhet të kërkojmë reagime nga ndërkombëtarët.
“Këto dhe aktivitete të ngjashme, të cila me shumë gjasa në vazhdimësi i ka ndërmarrë dhe i ndërmerr krimineli Radoiçiq, nga organet tona të zbatimit të ligjit duhen faktuar dhe institucionet të vazhdojnë me ngulm ta bindin bashkësinë ndërkombëtare që të detyrohet shteti serb, që këtë kriminel ta sjellë që i njëjti të ballafaqohet me drejtësinë. Lënia e lirë e tij është një rrezik potencial dhe i vazhdueshëm”, përmbylli Ardian Bajraktari për “Bota sot”.