Mundësia e përfshirjes së Britanisë në dialogun Kosovë-Serbi/ Analisti parashikon marrëveshje finale nëse një gjë e tillë ndodhë!

Politika

Mundësia e përfshirjes së Britanisë në dialogun Kosovë-Serbi/ Analisti parashikon marrëveshje finale nëse një gjë e tillë ndodhë!

Nga: M.H Më: 12 prill 2025 Në ora: 08:04
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Deputeti i Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Sobel, ka theksuar përkushtimin e vendit të tij për ta përkrahur Kosovën në të gjitha proceset ndërkombëtare, përfshirë njohjet dhe anëtarësimet në organizata relevante.

Sobel tha se Britania është e gatshme të japë kontribut edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me kusht që një rol i tillë të jetë i pranueshëm për të gjitha palët e përfshira.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Ai thotë se nëse bëhet një kërkesë e tillë atëhere do të ishte një lajm i mirë për Kosovën pasi dialogu do të mere një dinamikë të re zhvillimi.

Sipas tij, pjesëmarrja e Britanisë do të mund të sjellte një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk është e qartë, ose së paku nuk është sqaruar në mënyrë të plotë nga deputeti Sobel, nëse kjo është një dëshirë e tij personale apo nëse Londra zyrtare ka bërë një kërkesë të tillë për të pasur një rol më të drejtpërdrejtë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Megjithatë, nëse do të kishte një kërkesë të tillë, do të ishte një lajm i mirë për Kosovën, pasi ky proces mund të merrte një dinamikë të re zhvillimi dhe do të garantonte një rezultat më të prekshëm, jo vetëm në drejtim të shtensionimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu mund të çonte në një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Kjo marrëveshje do të mund të zhbllokonte jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë, duke avancuar agjendat e tyre euro-integruese dhe përshpejtuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, ku Britania e Madhe ka një rol kyç”, u shpreh ai.

Image
Nexhat Haziri

Më tej, analisti thotë që dialogu ka mbetur në një pozicion të ngrirë dhe Britania do të mund të zhbllokonte këtë process pasi pritshmëritë nga BE janë të vogla.

“Deri më tani, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në një "pozicion të ngrirë", ku nuk shihet as vullnet dhe as gatishmëri nga palët për të vazhduar këtë proces. Involvimi i Britanisë së Madhe me një rol aktiv, përveç atij të SHBA-së, mund të ndikonte në zhbllokimin e këtij procesi dhe, brenda vitit, mund të çonte në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të mund të çonte në njohjen reciproke të dy shteteve. Siç është vënë re deri më tani, BE-ja, si ndërmjetës i vetëm në këtë proces, nuk ka arritur të tregojë sukses, dhe nuk pritet që të japë rezultate të dukshme. Kjo reflektohet edhe në situatën aktuale të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat nuk janë përmirësuar, por përkundrazi janë tensionuar”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat