Mirëpritet deklarata mbështetëse e ambasadorit gjerman për Kosovën, analistët thirrje BE-së

Politika

Mirëpritet deklarata mbështetëse e ambasadorit gjerman për Kosovën, analistët thirrje BE-së

Arife Morina Mulaku Nga Arife Morina Mulaku Më 12 prill 2025 Në ora: 16:00
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde

Fatkeqësisht dhe padrejtësisht, Kosova tash e 2 vite gati është nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian.

Pavarësisht, se në vazhdimësi është kërkuar të largohen këto masa dhe ka pasur kërkesa të njëpasnjëshme për këtë gjë, BE as që i ka marrë në konsideratë.

E në prag, të formimit të qeverisë së re, këto sanksione janë kthyer në qendër të diskutimeve.

E së fundit, për këtë çështje ka folur edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde gjatë një takimi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë këtij takimi, Rohde tha se i kishte theksuar Kurtit përpjekjet që vendi i tij po bën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

“Theksova edhe një herë përpjekjet e vazhdueshme të Gjermanisë për të hequr sa më shpejt masat kundër Kosovës. Theksova gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së shpejtë të Kryetarit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re”, tha Rohde.

Në këtë pikë, ende nuk dihet sa do ndikojë kjo përpjekje e shtetit gjerman për largimin e këtyre masave ndëshkuese.

E për këtë gjë, folën njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”.

Azemi: Angazhimi i diplomacisë gjermane do të duhej të jetë më dinamik në përshpejtimin e heqjes së masave ndaj Kosovës

Së pari, publicisti Emin Azemi u shpreh se se angazhimi i Gjermanisë për largimin e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës është një sinjal pozitiv.

Po ashtu, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” përmendi edhe draft-rezolutën e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Image
Emin Azemi

“Angazhimi i ambasadorit gjerman dhe qeverisë së tij është në frymën e kërkesave të shpeshtuara kohët e fundit për shfuqizimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Kjo përkon edhe me draft-rezolutën për Kosovën e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në të cilën, mes tjerash, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së”.

Krahas kësaj, Azemi u tregua i ashpër me BE-në, derisa tha se këto sanksione janë absurd dhe sa më parë duhet të largohen.

Madje, tha se këto masa veç sa i kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet Kosovë-Serbi.

“Kosova padrejtësisht është penalizuar, ndërkohë që Serbia ka gëzuar njëfarë përkëdhelie të vazhedueshme nga ana e Brukselit. Kjo është absurd dhe e pakuptimt, por është shprehje e një konfuziteti të pajustifikueshëm që ka demonstruar BE-ja kundrejt zhvilimeve në Kosovë dhe në Serbi. Të sanksinonosh Kosovën për politikat e saj parimore dhe mbrojtëse ndaj kërcënimeve të vazhdueshme serbe dhe të tolerosh Serbinë edhe përkundër sulmeve të dretpërdrejta mbi sovranitetin territorial të Kosovës, nuk është hiq më pak se hipokrizi e llojit të vet. Kjo hipokrizi, në vend se ta ndihmojë procesin e normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkundrazika ndikuar në përkeqësimin e tyre”, theksoi ai.

Gjithashtu, publicisti tha se vetëm kur të largohen këto masa ndëshkuee mund të pritet rikthimi në normalitet i bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Prandaj angazhimi i diplomacisë gjermane do të duhej të jetë më dinamik në përshpejtimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, sepse vetëm në këtë mënyrë korrigjohet një padrejtësi dhe rikthehet në proces normal dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të ketë normalizim të raporteve nëse njëra palë mbahet me duar lidhur, kurse palës tjetër i lejohet të bëjë sherre dhe për këtë të mos ketë kurrfarë pasoje”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Hertica: BE dhe përfaqësuesit diplomatik duhet që t’i heqin masat me fillimin e qeverisë së re

Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica u shpreh se këto masa ndëshkuese duhet të hiqen me formimin e qeverisë së re.

Image
Ali Hertica

Ai për “Bota sot” përmendi disa nga pasojat me të cilat po përballet, si shkak i këtij vendimi të BE-së.

“BE dhe përfaqësuesit diplomatikë duhet që t’i heqin masat me fillimin e qeverisjes së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëse bëhet konsistuimi i saj. Kosova nuk merr ftesa, po ashtu, në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Masat e tjera janë edhe suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit). Versioni i mëhershëm nuk përmendi fare heqjen e masave dhe ishte pothuajse i njëjtë sikurse ai i vitit të kaluar, duke injoruar faktin se Përfaqësuesi i Lartë kishte dhënë ndërkohë rekomandime që masat të hiqeshin”, nënvizoi analisti.

Në këtë pikë, Hertica potencoi se ndëshkimi i Kosovës dhe “ledhtimi” i Serbisë nuk është qasje e duhur nga ana e BE, pasi kjo e fundit duhet të mbajë qasje të balancuar.

“Një grup i vendeve anëtare, sipas burimeve diplomatike, ka kërkuar që të hiqen menjëherë të gjitha masat. Ndërkaq, një grup tjetër ka kërkuar që BE-ja të ketë qasje më të balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë, sepse sipas këtij grupi, mbajtja në fuqi e masave ndaj vetëm njërës palë nuk është qasja e duhur. Komisioni Evropian ka akuzuar Qeverinë Kurti për veprime të pakoordinuara me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar. Masat ndëshkuese në qershor 2023 përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, suspendimin nga programi i fondeve për Kosovën, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë përveç takimeve në dialogun me Serbinë dhe mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor”.

Në fund, analisti komentoi edhe deklaratën e fundit të ambasadorit Rohde, derisa tha se janë të mirëserardhura përpjekjet e Gjermanisë për largimin e sanksioneve ndaj shteti tonë.

Po ashtu, paralajmëroi se nëse nuk hiqen ato, procesi i dialogut do dëmtohet edhe më shumë.

“Duhet çmuar lart kontributin e madh të Gjermanisë, përkrahjen për Kosovën, përkushtimin dhe rëndësinë e veçantë që ka përkrahja e mëtejme gjermane për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Ambasadori Rohde, nga ana e tij, tha se përkushtimi dhe angazhimi i Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin mbetet i palëkundshëm, mirëpo BE është e palëkundur në qëndrimet e saj për largimin e masave deri sa edhe politika kosovare të ndryshoj qasjen dhe politikën me faktorin ndërkombëtar e pikërisht me EU. Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe në avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm, në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord, sepse mos largimi i këtyre masave do e dëmtoië edhe procesin e dialogut, Kosovë-Serbi”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat