“Ishin me detyra të caktuara nga shërbimet sekrete serbe”, opinionisti flet për operacionin me ‘pelegrinët serbë’

Politika

“Ishin me detyra të caktuara nga shërbimet sekrete serbe”, opinionisti flet për operacionin me ‘pelegrinët serbë’

Nga: A.M. Më: 12 prill 2025 Në ora: 22:44
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Fotografi ilustruese

Dy serbët që u arrestuan të dielën në Prizren, u liruar pas ndalimit të tyre prej 48 orësh.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte thënë se të njëjtit janë oficerë aktiv të sigurisë së Serbisë.

“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, deklaroi Sveçla.

Lirimin e tyre e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

“Lidhur me rastin e fundit, ju informojmë se pas ndalimit të të pandehurve për 48 orë, prokurori i çështjes ka analizuar të gjitha provat dhe rrethanat e paraqitura gjatë fazës fillestare të hetimit. Bazuar në këtë vlerësim profesional dhe të pavarur, është konstatuar se aktualisht nuk ekziston dyshimi i bazuar, si standard i nevojshëm ligjor për të justifikuar paraqitjen e kërkesës për masën e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, Dedë Preqi.

Sipas tij, këta pelegrinë serbë kanë ardhur me detyra të caktuara nga shërbimet sekrete serbe.

“Disa pelegrinë serb u arrestuan këto ditë në Prizeren dhe Gjakovë, nga policia e Kosovës, ndër të cilët kishte edhe të dyshuar se janë pjesëmarrës në aksionin terrorist në Banjskë të Zveçanit, me 24 shtator të vitit 2023, me ç’rasti e humb jetën efektivi i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ky grup prej 12, të ashtuquajturve pelegrinë serbë, që do strehoeshin nëpër manastire dhe kisha serbe në Kosovë, në mesin e tyre kishte edhe oficerë policor dhe ushtarak efektiv serb, të cilët nuk është e mundshme se kanë ardhur për diçka tjetër, por me detyra të caktuara nga shërbimet sekrete serbe, për të mbledhur informacione të nevojshme për ta destabilizuar situatën në këtë vend”, deklaroi opinionisti.

Image
Dedë Preqi.

Po ashtu, Preqi përmendi se si shteti serb arreston shqiptarë në kufi vazhdimisht, e duke u ndërlidhur me këtë, ai tha se nuk po e kupton se si Prokuroria po i liron menjëherë këta persona të dyshimtë.

“Serbia po i arreston përditë shqiptarët në kufijt e vet, sidomos ata që kalojnë nëpër Serbi, duke u kthyer prej diasporës në Kosovë, të cilët përballen me probleme të ndryshme, duke i maltretuar dhe arrestuar pa ndonjë arsye dhe fakte, që mbahen në burg me muaj dhe vite, ndoshta vetëm pse e kanë ndonjë tatuazh të ndonjë heroi kombëtar, siç është edhe rasti i Nezir Memetaj, i cili mbahet në burgjet serbe më shumë se dy vite.

Pse këta njerëz të dyshimtë po lirohen menjëherë nga Prokuroria e Kosovës, brenda ditës apo natës, ku ekziston dyshimi se i takojnë grupeve terroriste serbe, të cilët posedojnë edhe armë me vete, dhe kjo lëvizje e tyre nëpër Kosovë, kinse për t’i vizituar kishat dhe manastiret serbe, bënë me dyshuar se kanë qëllime të planifikuara për t’i vizituar vendet e krimit, për të arritur edhe ndonjë qëllim të mundshëm, apo ndonjë sulëm tjetër i ngjajshëm sikur në Banjskë”, nënvizoi ai.

Tutje, opinionisti tha se do duhej të bëhej një hulumtim më i thellë para se të liroheshin ata serbë, duke potencuar se këtë e vlerëson si shumë të çuditshme.

“Si mund të përmirësohen në këtë mënyrë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë, kur edhe ndërkombëtarët po ndërhyjnë menjëherë në rast se arrestohet një qytetar serb në Kosovë, dhe menjëherë kërkohet lirimi i tyre, duke mos e marrë parasysh shkakun e veprës së krimit, që ka shumë raste, siç ishte rasti në Bansjkë dhe në kanalin Ibër-Lepenc, dhe autorët e krimit shëtisin të lirë në Serbi.

Është pak sa e çuditshme, sikur dikush këta njerëz po i josh dhe po i garanton të veprojnë në këtë mënyrë në Kosovë, apo mbrojtja e tyre është e garantuar, kur brenda një kohe të shkurtër lëshohen të lirë nga Prokuroria e shtetit të Kosovës, pa i hulumtuar mirë rrethanat e tyre, si njerëz me kompetenca shtetërore dhe njerëz me profesione të dyshimta, të cilat kanë materiale të bollshme për t’i hulumtuar se pse e marrin këtë rrugëtim të tillë në vendin tonë ”, përfundoi Dedë Preqi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat