“Një celulë e rrezikshme politike që kërkon ta rrëzojë shtetin nga brenda” – Publicisti sulmon opozitën pas bllokimit të Kuvendit

Politika

“Një celulë e rrezikshme politike që kërkon ta rrëzojë shtetin nga brenda” – Publicisti sulmon opozitën pas bllokimit të Kuvendit

Nga: M.L. Më: 15 prill 2025 Në ora: 16:02
Seanca, 15 prill 2025

Ndonëse ishte planifikuar që sot (e martë, 15 prill) Kosova të bëhej me kryetar dhe kryesi të Kuvendit (të paktën), pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afër dy orësh të punimeve punime.

Kjo për shkak se deputetët nuk arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Partitë opozitare, PDK, LDK e AAK votuan kundër këtij raporti duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk i dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive.

Tashmë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, sikurse edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë dorëzuar dorëheqjen.

Në një nga momentet më vendimtare për të ardhmen institucionale të Kosovës, opozita po akuzohet për sabotim të qëllimshëm të shtetit.

Analisti politik Qani Shabani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka reaguar ashpër ndaj dështimit të sotëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Shabani e quan këtë sjellje “një atentat institucional me pasoja të rënda për sovranitetin dhe stabilitetin e vendit”.

Image
Qani Shabani

“Në një nga momentet më vendimtare për shtetin e Kosovës, kur çdo hap institucional është i domosdoshëm për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme, opozita ka zgjedhur të sillet si armike e interesit shtetëror. Sot, më 15 prill 2025, Kosova dështoi të konstituojë Kuvendin e saj, jo për shkak të ndonjë problemi juridik, por për shkak të një bllokade politike të ulët dhe të turpshme nga opozita, e cila refuzoi të miratojë madje edhe komisionin për verifikimin e mandateve”, ka thënë Shabani për “Bota sot”.

Sipas Shabanit, kjo sjellje ka kaluar kufijtë e antagonizmit politik.

“Kjo nuk është më opozitë,” deklaron ai. “Kjo është një celulë e rrezikshme politike që kërkon ta rrëzojë shtetin nga brenda. Është një opozitë që e do vetëm pushtetin, jo shtetin. Një opozitë që, kur nuk mund të sundojë, preferon të shkatërrojë gjithçka.”, ka nënvizuar ai.

Analisti thekson se bllokadat e tilla nuk janë asgjë më pak se përpjekje për të ndalur funksionimin e shtetit përmes krizës së qëllimshme. Ai e cilëson këtë si një moment të rrezikshëm për demokracinë kosovare, duke e paralajmëruar opozitën se po dështojnë me vetëdije në testin e përgjegjësisë politike.

“Po shohim një opozitë që sillet si sabotatore, jo si aktore demokratike. Po bllokon procedura bazike jo sepse ka ndonjë parim, por sepse nuk mundi të fitojë votën e qytetarit. Kjo është hakmarrje ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë demokracisë,” thotë Shabani.

Në një kohë kur Kosova përballet me presione ndërkombëtare, tensione në veri dhe përpjekje të Serbisë për të dëmtuar imazhin e saj, analisti e quan veprimin e opozitës një dhuratë për Beogradin.

“Në këtë klimë sfiduese, ku Kosova përballet me presione të shumta nga ndërkombëtarët, me kërcënime të vazhdueshme në veri dhe me një Serbi që vetëm pret një shenjë dobësie për të sulmuar kredibilitetin tonë ndërkombëtar – opozita po vepron si aleate e heshtur e Vuçiqit, duke i dhuruar atij argumentin më të mirë: një Kosovë e përçarë, pa institucione funksionale, e përgjumur në krizën e vet politike të brendshme”, ka potencuar ai.

Sipas Shabanit, është koha që qytetarët të refuzojnë rikthimin e logjikës bllokuese që ka lënë pasoja të rënda në të kaluarën.

“E vërteta është e thjeshtë: ata që nuk mundën të fitojnë me votë, tani po përpiqen të fitojnë me krizë. Ata që populli i refuzoi, tani duan ta ndëshkojnë popullin me paralizë institucionale. Por Kosova nuk është peng i inateve, hakmarrjeve apo histerive politike. Kosova është e qytetarëve të saj, që nuk do ta lejojnë më kurrë rikthimin e bllokadave të stilit të vjetër, që kujtojnë kohët e errëta të manipulimeve politike”, shprehet analisti.

Prandaj, sipas tij, ky nuk është thjesht një moment procedural, ky është një test për demokracinë.

“Opozita po dështon me vetëdije në këtë test dhe po i kthen shpinën shtetit që thotë se kontribonë për të. Por populli do të flasë. Historia do t’i mbajë mend këto fytyra. Dhe Kosova do të ecë përpara, pavarësisht atyre që duan ta mbajnë peng të krizës. Sepse asnjë bllokadë, asnjë sabotim dhe asnjë opozitë që punon kundër shtetit nuk do të mund ta ndalë më vullnetin e qytetarit për t’i pasur institucionet që i ka fituar me votë”, ka përfunduar Shabani.

Ndryshe, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe tha se do ta njoftojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat