“Tensionet po rriten”: Paralajmërimi i Kallas – ekspertët tregojnë ‘çelësin’ që zgjidh problemet e sigurisë!

Politika

“Tensionet po rriten”: Paralajmërimi i Kallas – ekspertët tregojnë ‘çelësin’ që zgjidh problemet e sigurisë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 prill 2025 Në ora: 20:05
Kaja Kallas

Siguria është një çështje që ndikon dhe lidhet me shumë aspekte të tjera, si ato, politike, ekonomike, diplomatike…

E duke parë që situata në Ballkanin Perëndimor nuk është stabile, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut.

Kjo për shkak se, tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten vazhdimisht.

“Ne shohim se po rriten tensionet dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit dhe kjo është diçka e prekshme dhe vërtetë na duhen histori suksesi”, tha Kallas para takimit të Këshillit për Punë të Jashtme që mbahet në Luksemburg.

Kallas nuk përmendi shtetet, që sipas saj po rriten tensionet. Por, po nënkuptohet për shtet që bëhet fjala si Kosova, ashtu dhe Bosnja, shtete këto që në vazhdimësi provokohen dhe sulmohen nga shteti serb.

Po ashtu, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë – që dialogojnë për normalizim të raporteve që nga viti 2011 në Bruksel – janë të larta qysh në vitin 2023, kur kryetarët shqiptarë morën drejtimin e katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

E për këtë, ekspertët e sigurisë folën për rëndësinë që ka aspekti i sigurisë në aspiratat e Kosovës drejt BE-së dhe ndikimin që ka në krijimin e një stabilitet, procesi i zgjerimit të bllokut.

Dashevci: Aspekti i sigurisë ka rolin kyç dhe vendimtar

Image
Arben Dashevci

E për këtë temë, për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Si fillim, u shpreh se pajtohen me Kallas dhe faktin se zgjerimi duhet të ndodhë sa më shpejt, pasi Serbia në vazhdimësi sulmon Kosovën dhe Bosnjën, duke krijuar kështu destabilitet në aspektin e sigurisë.

Sipas tij, kjo do ishte një formë e ndalimit të incidenteve.

Kjo do duhej të ndodhte, duke pasur parasysh qasjen destruktive të Serbisë dhe Rusisë, posaçërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë (Dodik dhe problemet që po i shkakton atje, i dënuar nga shteti ku vepron, i sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit)) dhe në Republikën e Kosovës (Incidente të rënda në vitin 2023,2024) tash incidente të shpeshta sporadike për tensionim të situatës dhe luftë të egër hibride kundrejt nesh.

Me të drejtë, mendoj unë që Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, thotë se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten, andaj edhe kërkoi që të vazhdojë procesi i zgjerimit të bllokut që te ndalen dhe përfundojnë këto incidente apo tensionime të mundshme në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi eksperti.

Gjithashtu, Dashevci foli mbi rëndësinë që ka sigurisë në shumë fusha tjera, duke thënë se një qasje serioze nga BE, sjellë stabilitet.

“Aspekti i sigurisë ka rolin kyç dhe vendimtar sipas mendimit tim, sepse pasiguri nuk ka asgjë dhe me sigurinë ke ekonominë, qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, tregtinë, etj.

Pra, sa më shpejtë që jemi në proces për anëtarësim në BE, aq më shpejt do na vjen siguria, duke pasur parasysh që pasiguria po na vjen gjithmonë nga Serbia dhe Rusia.

Me zgjerim, kjo na krijon si shtet atë stabilitetin e kërkuar tash e 25 vite.

Me një qasje serioze nga BE vjen stabiliteti dhe ne vetëm atë po e kërkojmë si shtet, mendoj unë”.

Ndër të tjera, eksperti potencoi se zgjerimi i BE-së dhe hapja e rrugës për shtetet ballkanike do sillte fundin e problemeve të sigurisë.

“Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk ka krijuar destabilitet te fqinjët.

Dhe zgjerimi i bllokut me Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor do të thotë edhe fundi i problemeve në aspektin e sigurisë për ne dhe i ndalon ata që përmenda më lartë të na shkaktojnë pasigurinë dhe destabilitetin”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Procesi i zgjerimit historikisht ka qenë një mjet i fuqishëm i BE-së për stabilizimin e rajonit

Image
Hysen Gecaj

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj u shpreh se aspekti i sigurisë ka një rëndësi të madhe në synimet e Kosovës për anëtarësim në BE dhe organizata ndërkombëtare.

Si fillim, ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Kosova e sheh BE si një lloj garancie për sigurinë kombëtare dhe më gjerë.

“Aspekti i sigurisë ka një rëndësi thelbësore në aspiratat e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ja disa pika kyçe:

1. Siguria si garanci për integrim

BE-ja e konsideron stabilitetin dhe sundimin e ligjit si parakushte për integrim. Prandaj, një Kosovë stabile dhe e sigurt është më afër BE-së.

Kosova, nga ana tjetër, e sheh anëtarësimin në BE si një garanci afatgjatë për sigurinë kombëtare dhe rajonale, veçanërisht përballë sfidave që vijnë nga veriu i vendit apo ndikimet e jashtme (si Rusia përmes Serbisë)”, nënvizoi eksperti.

Krahas kësaj, tha se procesi i zgjerimit do ishte një mjet stabilizues për stabilizimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“2. Zgjerimi si instrument stabilizues

Procesi i zgjerimit historikisht ka qenë një mjet i fuqishëm i BE-së për stabilizimin e rajonit, siç u pa me anëtarësimin e shteteve të Evropës Lindore pas Luftës së Ftohtë.

Në rastin e Ballkanit Perëndimor, vazhdimi i zgjerimit do të krijonte një kornizë politike dhe ekonomike të stabilitetit, ku shtetet nuk e shohin më njëri-tjetrin si rivalë, por si partnerë në një projekt të përbashkët evropian”.

Gjithashtu, Gecaj përmendi edhe pasoja që shkaktohen nga zvarritja e zgjerimit të BE-së.

“3. Pasojat e zvarritjes

Kur procesi i zgjerimit ngec, rritet hapësira për aktorë jo-perëndimorë të ndërhyjnë në rajon. Kjo nxit tensione, ndasi etnike dhe paqartësi strategjike.

Kjo është ajo që Kaja Kallas paralajmëroi: një Ballkan i lënë pas dore mund të bëhet më i paqëndrueshëm”, shpjegoi ai.

Në fund, eksperti përmblodhi disa fusha me të cilat është i ndërlidhur integrimi në BE.

“Po, procesi i zgjerimit të BE-së do të krijonte stabilitet, jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Për Kosovën në veçanti, integrimi në BE është i lidhur ngushtë me sigurinë, njohjen ndërkombëtare dhe përforcimin e institucioneve demokratike”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat