Që nga viti 2012, kur u nënshkrua marrëveshja nga ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, Kosova në përfaqësimin rajonal është shoqëruar me një fusnotë.
Pavarësisht kalimit të viteve, fusnota vazhdon të përfshihet në konferenca rajonale.
Një gjë e tillë ndodhi edhe disa ditë më parë në Tiranë.
Përdorimi i fusnotës nuk është mirëpritur nga Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, i cili u largua nga Konferenca Rajonale e nivelit të lartë “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”.
“Për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës me fusnotën e ‘Rezolutës 1244 të OKB-së’, një fusnote e kundërt me atë që përdor Bashkimi Evropian dhe e cila ne formë të tillë është tërësisht e papranueshme, dhe faktit që edhe pas disa kërkesave deri më sot nuk pati asnjë ndryshim qasjeje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, u detyrova të largohem nga konferenca dhe të mos e nënshkruaj deklaratën e parashikuar aty për nënshkrim nga mbi dhjetë shtete pjesëmarrëse”, ka thënë ai.
Dobruna kishte kërkuar që fusnota të largohej, por një kërkesë e tillë nuk ishte marrë parasysh.
“Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.
Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”.
“Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Lidhur me këtë çështje, njohës të çështjeve diplomatike kanë komentuar si veprimin e Tiranës zyrtare për përdorimin e fusnotës, ashtu edhe reagimin e zëvendësministrit Dobruna, i cili u largua nga konferenca.
Voca: Përdorimi i fusnotës nga Shqipëria ngre pikëpyetje serioze
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, e ka vlerësuar vendimin e Dobrunës si reagim të qartë.
“Vendimi i zëvendësministrit në detyrë të Financave, Agon Dobruna, për t’u larguar nga konferenca rajonale në Tiranë për shkak të prezantimit të Kosovës me fusnotë, përbën një reagim të qartë dhe simbolik ndaj një çështjeje që ka ndjeshmëri të lartë politike dhe diplomatike për Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas tij, përdorimi i fusnotës nga ana e Shqipërisë ngre pikëpyetje serioze.
“Fusnota në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës është trashëgimi e një kompromisi të imponuar nga dialogu në Bruksel – një kompromis që shpesh më shumë ka errësuar sesa ndihmuar pozitën ndërkombëtare të shtetit tonë. Por përdorimi i saj në një ngjarje të organizuar nga Qeveria e Shqipërisë – një shtet që jo vetëm e njeh Kosovën, por ka obligim moral dhe kombëtar të qëndrojë përkrah saj pa ekuivoke – ngre pikëpyetje serioze”, ka potencuar Voca.
Ai ka shpjeguar se çfarë do të thotë përdorimi i fusnotës nga këndvështrimi diplomatik.
“Largimi i Dobrunës mund të kuptohet si një formë e qartë e tërheqjes së vëmendjes ndaj kësaj mospërputhjeje, një reagim për të riafirmuar pozicionin e Kosovës si shtet i barabartë në rajon. Nga këndvështrimi diplomatik, veprimi është i diskutueshëm: nga njëra anë, është i justifikueshëm si një qëndrim për ruajtjen e dinjitetit dhe sovranitetit të përfaqësimit shtetëror; nga ana tjetër, rrezikon të interpretohet si mungesë fleksibiliteti në një kontekst ku bashkëpunimi rajonal mbetet themelor. Prandaj, është jetike që këto lloj reagimesh të pasohen me komunikim të hapur dhe koordinim të kujdesshëm institucional me partnerët nga Shqipëria – jo për të zbutur qëndrimin, por për të shmangur keqkuptimet dhe për të ruajtur përkushtimin ndaj qëllimeve të përbashkëta”, ka deklaruar Voca.
Tutje, Voca ka shtuar se në gjë e tillë nuk do të duhej të ndodhte dhe se Shqipëria do të duhej të reagonte për një gjë të tillë.
“Megjithatë, ajo që ndodhi në Tiranë nuk do të duhej të ndodhte. Dhe nuk guxon të përsëritet. Në marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri, nuk kemi të bëjmë me dy shtete që ndajnë thjesht interesa të përbashkëta, por me një bashkësi të një trungu kombëtar, të një historie të përbashkët dhe të një vizioni të përbashkët. Shqipëria duhet të jetë gardianja më e palëkundur e subjektivitetit të plotë të Kosovës në çdo skenë ndërkombëtare. Prandaj, jo vetëm që nuk duhet të ketë fusnota në territorin shqiptar, por Shqipëria duhet të jetë e para që reagon kur diçka e tillë ndodh diku tjetër”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Voca është shprehur se përdorimi i fusontës nuk do të lërë pasoja në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Në diplomaci, si në jetë, simbolika flet më fort se fjalët. Dhe për ne, simbolika e përfaqësimit nuk është formë, por substancë. Kjo ngjarje nuk pritet të lërë pasoja të thella në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë – sepse ato janë marrëdhënie të rrënjosura në vëllazëri historike dhe në dimensione strategjike – por duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim dhe kujdes më të madh. Sepse si çdo partneritet i afërt, edhe ky kërkon koherencë, përkushtim dhe ndjeshmëri ndaj çdo akti që prek dinjitetin kombëtar”, ka deklaruar Voca.
Gjanaj: Ngjarja nuk duhet të shihet si përplasje me Shqipërinë
Ndërsa, politologu Ramadan Gjanaj është shprehur se largimi i Dobrunës nga konferenca sjellë diskutime në mënyrën se si përfaqësohet Kosova kur ngjarjet zhvillohen në vendet mike.
Sipas tij, duhet edhe të shikohet se si dhe nga kush organizohet ngjarja.
“Largimi i zëvendësministrit në detyrë të Financave, Agon Dobruna, nga konferenca rajonale në Tiranë është një veprim që ngre diskutime të rëndësishme mbi mënyrën se si përfaqësohet Kosova në arenën ndërkombëtare, edhe në raste kur ngjarjet zhvillohen në shtete mike si Shqipëria.
Është e kuptueshme ndjeshmëria që ngjall prezantimi me fusnotë, sidomos në një konferencë të mbajtur në Tiranë, ku pritet mbështetje e plotë dhe pa ekuivoke për shtetësinë e Kosovës. Por njëkohësisht, duhet marrë parasysh edhe natyra e kësaj ngjarjeje – e bashkëorganizuar me institucione ndërkombëtare si Komisioni Evropian dhe UNICEF, që veprojnë brenda kornizave të caktuara diplomatike”, ka thënë ai.
Po ashtu, Gjanaj e ka komentuar largimin e Dobrunës, duke shtuar se veprimet diplomatike duhet të jenë të matura.
“Në këtë kontekst, reagimi i z. Dobruna duket si një shprehje e qëndrimit të palëkundur të Kosovës për respektimin e subjektivitetit të saj shtetëror. Megjithatë, çdo veprim diplomatik duhet të jetë i matur dhe i koordinuar, në mënyrë që të ruhet thelbi i pjesëmarrjes ndërkombëtare pa cenuar interesat strategjike.
Ngjarja nuk duhet të shihet si përplasje me Shqipërinë, por si një rast për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona, për të garantuar që në ngjarje të tilla ndjeshmëritë e ndërsjella të adresohen me kujdes dhe në kohë”, ka thënë ai.
Gjanaj ka theksuar se ky veprim nuk duhet të zmadhohet pasi që Dobruna e përfaqësonet një qeveri në detyrë.
“Vendimi i zëvendësministrit Agon Dobruna për t’u larguar nga konferenca mund të konsiderohet një akt simbolik i afirmimit të qëndrimit shtetëror të Kosovës, për të mos pranuar trajtime që relativizojnë sovranitetin e saj.
Mirëpo, nga këndvështrimi diplomatik, veprimi i Dobrunës është i diskutueshëm. Nga njëra anë, ai dërgon një mesazh të qartë parimor për mospranimin e trajtimeve jokonsistente me shtetësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, largimi nga një tryezë ku Kosova kishte mundësinë të artikulonte pozicionin e saj përballë partnerëve ndërkombëtarë, është një humbje e një hapësire për dialog dhe ndikim – veçanërisht duke pasur parasysh se në shumicën e forumeve ndërkombëtare Kosova pranohet me "fusnotë" dhe kjo nuk duket se e bezdisë shumë.
Nuk duhet harruar se ky veprim nuk duhet të trajtohet në mënyrë të tejzmadhuar, pasi z. Dobruna përfaqësonte një qeveri në detyrë, jo një qeveri me mandat të plotë.
Por, diplomacia kërkon ekuilibër mes parimit dhe pranisë – prandaj, ndonjëherë qëndrimi brenda dhe shprehja e pakënaqësisë nga brenda tavolinës ka më shumë peshë sesa largimi”, ka thënë ai.
Nga “Bota sot” Gjanaj është pyetur se mund të ndikojë kjo ngjarje në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Lidhur me këtë pyetje, ai nuk parasheh që do të ketë ndonjë ndikim, dhe se shprehet që marrëdhëinet ne mës Kosovës dhe Shqipërisë janë të thella.
“Ngjarja, në vetvete, nuk pritet të ketë ndikim afatgjatë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Këto marrëdhënie janë të thella, historike dhe strategjike, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe vizion të përbashkët për të ardhmen
Megjithatë, rasti në fjalë thekson nevojën për koordinim më të mirë diplomatik dhe ndjeshmëri më të lartë institucionale, veçanërisht kur bëhet fjalë për aktivitete ku përfshihen organizata ndërkombëtare që ndjekin formate të standardizuara si fusnota.
Ky episod duhet të shërbejë si një mësim për të shmangur situata të panevojshme në të ardhmen – jo për të krijuar ndarje, por për të forcuar bashkëpunimin dhe për të mbrojtur në mënyrë të ndërsjellë interesat kombëtare dhe shtetërore.
Si shembull konkret, vlen të theksohet se që nga dita e largimit të z. Dobruna, Kosova dhe Shqipëria kanë zhvilluar takime zyrtare bilaterale, pa asnjë problem të natyrës protokollare dhe pa praninë e fusnotës. Përkundrazi, komunikimi institucional ka vazhduar normalisht, çka dëshmon qartë se rastet e tilla nuk cenojnë raportet e qëndrueshme mes dy shteteve, por duhet të trajtohen me kujdesin e duhur diplomatik përvecse krijojnë huti të panevojshme në opinionin publik të të dy anëve të kufirit”, ka përfunduar Gjanaj për “Bota sot”.