Policia e Kosovës ditë më parë arrestoi 7 persona të dyshuar për organizimin dhe vrasjen e rreshterit të Policisë në Kaçanik, Muhamet Lika, i cili u vra më natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton në Kaçanik, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.
E dje Gjykata Themelore e Ferizajt e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për të caktuar një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit e arrestuar, të cilët u identifikuan nga prokuroria vetëm me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., ku të gjithë të vijnë nga Kaçaniku.
Lidhur më këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.
“Aksioni i Policisë së Kosovës në lidhje me arrestimin e 7 personave të dyshuar për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika në Kaçanik, është një dëshmi e mirë se Policia e Kosovës ka kapacitetet e saja profesionale dhe strukturat e nevojshme për të organizuar edhe aktivitete që kanë të bëjnë me zbatimin e drejtësisë”, shprehet Elezi.

Sipas tij, arrestimi i të rinjve që dyshohen për vrasjen e Likës, është një alarm serioz për sigurinë në Kosovë,
“Fakti që në këtë rast të dyshuarit janë pjesë e një organizate jo qeveritare, Rinia Islame, e cila merret me aktivitete fetare e ka bërë këtë rast kompleks dhe mjaft serioz sa i përket aspektit të sigurisë. Edhe pse deri më tani Prokuroria dhe Policia e Kosovës nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse ky rast ka të bëjë me çështje të ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, përkundër faktit që ka qenë një grup i cili është marrë me aktivitete fetare dhe se deklaratën e Prokurorisë së Kosovës ka pasur mund të themi konstatime se ky veprim apo ky rast lidhet me punën e rreshterit Lika”, deklaron Elezi, sipas të cilit, ky rast do të duhej të trajtohej nga Prokuroria Speciale, e jo Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Mundë të konsiderojmë se nuk kemi parë veprime të cilat do ta konstatonin një gjë të tillë, ngase nëse do kemi të bëjmë me çështjen e organizimit të veprave të cenimit të sigurisë në aspektet fetare, atëherë sigurisht që me rastin do të duhej të merrej Prokuroria Speciale dhe jo Gjykata Themelore në Ferizaj”, deklaron Elezi.
“Ky rast shpërfaq edhe njëherë jo sigurinë që është në Kosovë dhe gjithashtu tregon qartazi se ka grupe kriminale që janë të përfshira në aktivitete terroriste me qëllimin e vetëm cenimin e sigurisë dhe rrezikimin e jetës së qytetarëve, përfshirë edhe zyrtarëve, përfshirë edhe policët. Prandaj institucionet e Republikës së Kosovës, pra të gjithë mekanizmat që merren me aspektin e sigurisë urgjentisht duhet të marrin masat e duhura për të kuptuar realisht nëse grupe të tilla kemi në komuna të tjera, dhe ku mund të rrezikohen potencialisht edhe pjesëtarë tjerë të Policisë së Kosovës, ku grupe të ngjashme fetare janë të gatshme me kry edhe veprime kriminale kundrejt një kërkese të posçme nga grupe të caktuara”, shton Elezi.
Ai thotë se gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të angazhohen, në mënyrë që mos të përsëritet më rasti i Kaçanikut.
“Pra duhet të ndërmerren të gjitha masat e duhura për të parandaluar zhvillime të tilla, andaj ne kujtojmë se ky rast duhet të vendos në alarm mekanizmat e sigurisë, gjithë strukturat, përfshirë edhe ato të Inteligjencës që të kemi realisht një matje, fillimisht seriozë rreth rrezikut që mund të vijë nga këto struktura kriminale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhe më pas hartimin e planeve konkrete operative për parandalimin e rreziqeve që mund të vijnë, qoftë për qytetarë ashtu edhe për pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, nënvizon Elezi.
Për fund, Elezi e quan grup të rrezikshëm kriminal grupin që u arrestuan nga Policia e Kosovës në Kaçanik.
“Në konsiderojmë që ky rast duhet të hetohet dhe trajtohet në mënyrën më të mirë të mundshme, ku duhet të kalojë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak që ky grup është një grup i rrezikshëm dhe janë dëshmuar edhe publikisht që ka pas aktivitete tjera në drejtim të këtij grupi, ku personat e arrestuar kanë të bëjnë dhe merren me çështje fetare. Prandaj ky rast duhet të trajtohet nga Prokuroria Speciale, ku do të gjitha provat e nevojshme dhe gjitha të dhënat për të vendosur drejtësinë për vrasjen e rreshterit policor”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.