Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të pestë radhazi të konstituohet, pa arritur të zgjedhë kryetarin dhe strukturat udhëheqëse të tij.
Deri tani, asnjëra nga partitë politike nuk po tregon gatishmëri për kompromis, duke e lënë Kuvendin të bllokuar dhe qytetarët përballë një situate me mungesë të theksuar të përgjegjësisë institucionale e politike.
Nesër, 25 prill pritet të jetë senaca e radhës për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Njohësi i politikës, Xhevat Meha thotë se ngërçi aktual në Kuvend nuk është rastësor – ngërçe të tilla dhe mungesa të kuorumit janë përsëritur ndër vite, duke reflektuar papërgjegjshmëri të lartë politike nga përfaqësuesit e zgjedhur dhe duke dëmtuar funksionimin demokratik të institucioneve.
“Ngërçi i tanishëm nuk është diçka e rastësishme, diçka që po ndodh vetëm në këtë rast. Ngërçe politike ka pasur edhe më herët. Përveç ngërçeve, kemi edhe praktika të tjera si: mungesat tepër të shpeshta të kuorumit, bërja e ligjeve të dobëta e më shumë zbrazëti juridike e të ngjashme. Të gjitha këto janë nivel ekstremisht i lartë i papërgjegjshmërisë politike të përfaqësuesve të zgjedhur”, thotë ai për “Bota sot.
Tutje, Meha shpjegon se ngërçi politik aktual nuk është rastësor, por i planifikuar dhe i nxitur nga një rrjet i fshehtë serbo-rus brenda partive politike në Kosovë.
Sipas tij, ky rrjet, vepron për të dëmtuar interesat e votuesve dhe stabilitetin institucional.
Ai insiston të kërkohet ndërhyrje urgjente nga AKI dhe KFOR për ta dekonspiruar dhe ndalur këtë ndikim të rrezikshëm.
“Pse e si po ndodhin të gjitha këto:
Kur diçka përsëritet nuk është e rastësishme, është diçka e menduar dhe e përgatitur më herët. Demonstrimi i nivelit të lartë të papërgjegjshmërisë politike është lehtë për t'u kuptuar se është ekstremisht në dëm të interesave të votuesve. Dhe dëmtimi i interesave të votuesve është interes i Serbisë e Rusisë. Serbia dhe Rusia interesat e tyre janë duke i realizuar përmes rrjetit të fshehtë serbo-rus të shtrirë nëpër institucionet e Kosovës.
Rasti i tanishëm i ngërçit politik është duke u kryer nga rrjeti që vepron brenda partive politike. Prej shumë kohe më parë ka qenë e domosdoshme që ky rrjet të dekonspirohet e të ndiqet, edhe kur është në nivelet më të larta politike, siç janë krerët e partive politike. Tani është tepër e domosdoshme që institucionet e sigurisë siç është AKI dhe KFOR-i si pjesë e NATO-s të ndërhyjnë në kapjen dhe gjykimin e këtij rrjeti që vepron brenda partive politike” – përfundon ai.