Tashmë po mbushen gati tre muaj që kanë përfunduar zgjedhjet nacionale në Kosovë, dhe vendi po përballet me krizë politike.
Deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të premten në përpjekjen e gjashtë, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme. Haxhiu i mori 57 vota për, katër më pak se minimumi prej 61 votave të nevojshme për t'u emëruar në postin e kryeparlamentares. E mos konstituimi i plotë i Kuvendit, nuk po i hap rrugë formimit të Qeverisë së re në Kosovë.
Kandidatja e VV-së për postin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet, siç po ndodh që gjashtë herë, atëherë është e qartë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Duket që ka mungesë të vullnetit që të konstituohet Kuvendi i Kosovës, por ne jemi shumë të gatshëm që t’i presim partitë politike që të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.
Kurse, liderët opozitarë kanë hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas të cilëve, VV po e mban peng shtetin e Kosovës.
Por, dështimin e Kosovës për t’i formuar institucionet e reja, analistët dhe njohësit e fushës së politikës e shohin si një rrezik që mund t’i sjellë pasoja Kosovës.
Pasojat për Kosovën
Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca për gazetën “Bota sot” thotë se mosformimi i institucioneve të reja, është tregues i qartë i mos pjekurisë politike në Kosovë, gjë që rrezikon të humb besimin ndërkombëtar në shtetin e Kosovës.
“Mosformimi i institucioneve të reja në Kosovë, gati tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, padyshim që ka pasoja në arenën ndërkombëtare. Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, veçanërisht ata që mbështesin fuqimisht shtetndërtimin dhe integrimin euroatlantik, e shohin funksionalitetin institucional si tregues kyç të stabilitetit politik dhe të pjekurisë demokratike të vendit. Vonesa e formimit të institucioneve dërgon sinjale shqetësuese për mungesën e konsensusit politik dhe rrezikon të minojë besimin ndërkombëtar në kapacitetin e Kosovës për të udhëhequr vetë proceset e saj”, shprehet Voca.

Sipas tij, kjo situatë e krijuar në Kosovë mund të ketë pasoja konkrete.
“Si vonesa në implementimin e reformave, humbje të mundësive për financime ndërkombëtare, dhe dobësim të zërit të Kosovës në tryezat diplomatike. Në një kontekst rajonal dhe global ku dinamikat po ndryshojnë me shpejtësi, çdo vakuum institucional përkthehet në humbje kohe dhe pozicionimi”, thekson Voca, i cili kërkon nga klasa politike të dal jashtë petkut të interesave partiake.
“Për të zhbllokuar këtë situatë, kërkohet përgjegjësi politike, vullnet për kompromis dhe përkushtim ndaj interesit shtetëror. Klasa politike duhet të dalë mbi interesat partiake e personale dhe të vendosë prioritet stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve. Zgjidhja është brenda sistemit kushtetues, por kërkon maturi dhe udhëheqje me vizion”, përfundon hësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca.
Kosova larg interesave ndërkombëtare
Kurse, njohësi i proceseve zgjedhore në vend, Blerim Burjani shprehet se pavarësisht vonesave që po ndodhin në Kosovë dhe situatës së krijuar, bashkësia ndërkombëtare nuk ka kohë më të merret me Kosovën.
“Nuk besoj. Kosova është shumë larg interesave ndërkombëtare. Bota po merret me luftën tregtare të Trump-it. Trump po merret me Ukrainën, duke kërkuar një zgjidhje me Rusinë për ta ndalur luftën. Ai përkrah zgjidhjen ruse për Ukrainën, gjë që është shumë e rrezikshme, dhe Europa nuk pajtohet fare me këtë angazhim të Trump-it”, thotë Burjani.
“Bashkimi Evropian dhe aleatët janë të zënë me Trump-in, i cili po luan “filma” dhe po përpiqet të tregojë sa i rëndësishëm është. Asnjëherë më parë Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë kaq të paqarta në politikën e jashtme: të paqarta me NATO-n, të paqarta në lidhje me interesat e tyre tek aleatët. Trump ka ndarë rrugët me aleatët. Ndërkohë, BE-ja duhet të fillojë të mendojë seriozisht për forcat e saj ushtarake, si Eurocorps-in apo për ndërtimin e një force të brendshme mbrojtëse të saj”, shton Burjani.

Burjani thotë se nga situata e krijuar, Kosova mund të ketë vetëm pasoja të brendshme të cilat mund të ndikojnë në funksionimin normal të shtetit.
“BE-ja është e frikësuar nga ndonjë aventurë e madhe e mundshme e Trump-it. Pasojat mund të ndihen edhe për shkak të faktorëve të brendshëm, të cilët mund të pengojnë zhvillimin e shtetit. Nga ana tjetër, BE-ja kërkon konsolidim të shpejtë dhe ngritjen e institucioneve funksionale. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Serbisë dhe Kosovës është e pamundur, për aq kohë sa BE-ja vazhdon të luajë të njëjtën lojë që ka nisur prej kohësh dhe që tashmë ka dështuar. SHBA, me Trump-in, janë shumë larg kësaj çështjeje”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.