Dështimet për formimin e kuvendit, zgjedhjet e reja në horizont? Ja çka thonë analistët

Politika

Dështimet për formimin e kuvendit, zgjedhjet e reja në horizont? Ja çka thonë analistët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 prill 2025 Në ora: 14:04
Kuvendi i Kosovës

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në shkurt të këtij viti, por nuk përjashtohet mundësia që ato të përsëriten, kjo për shkak të mos konsituimit të kuvendit.

Të premten që e lëmë pas ka dështuar për herë të gjashtë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk po arrinë t’i sigurojë votat e nevojshme që të marrë pozitën e kryeparlamentares

Pas dështimit, kanë folur nga pozita dhe opozita të cilët nuk përjashtojnë as mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Deputetja e e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk janë për ta bllokuar formimin e institucioneve, por afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit janë duke u afruar drejt përfundimit.

Ajo shtoi se sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, afat që përfundon këtë të diel.

“Ne në asnjë moment nuk jemi për të bllokuar formimin e institucioneve. Është paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diel.

Mund të jetë edhe nesër. Kjo situatë nuk është që mund të shkojë në pafundësi. Po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, u shpreh Kusari-Lila.

Zgjedhjet është duke i përmendur edhe kandidatja e zgjedhur nga VV-ja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Është e rëndësishme të konstituohet Kuvendi i Kosovës, VV-ja tashmë e ka dhënë qartë qëndrimin e saj, duket se ka mungesë të vullnetit të konstituohet Kuvendit, por ne jemi të gatshëm t’i presim partitë politike, të flasim me to për datën e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Për zgjedhje është edhe partia e dytë fituese, PDK.

Deputeti i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë të premten se nëse Vetëvendosja nuk e ndërron emrin e kryekuvendarit, do të mbajnë zgjedhje në maj apo qershor.

“Nëse nuk zgjedhet kjo situatë na kemi me mbajte zgjedhje në maj a qershor, nuk mundemi me mbajtë peng për teke të Albin Kurtit. Le ta qesin Albin Kurtin, ai ka më shumë vota se Haxhiu”, u shpreh Krasniqi.

Ngurimi i pozitës dhe opozitës

Image
Vesel Makolli

Sekretari i Aleancës Kosova e Re, Vesel Makolli, kritikon partinë fituese për gjendjen aktuale.

“Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht Albin Kurti, është i pari Kryeministër pas shpalljes së pavarësisë që e ka çuar deri në fund mandatin e tij katërvjeçar. Po ashtu, është i pari Kryeministër që, përpos në rrafshin e brendshëm – ku nuk i ka realizuar thuajse asnjë premtim të dhënë gjatë fushatës për të ardhur në pushtet – edhe në rrafshin ndërkombëtar ka qenë i pari që ka “arritur” t’i ftohë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe të mos i përmbushë obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare të monitoruara nga faktori ndërkombëtar, gjë që ka rezultuar me sanksione nga BE ndaj Kosovës. Në kontekst të kësaj dhe të ardhjes në pushtet të republikanëve, ambasada e SHBA-së – e cila zakonisht në raste të tilla, kur kemi pasur vakum institucional, ka ndihmuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët të partive politike – këtë herë nuk po vepron, dhe kjo është një shenjë jo e mirë për zhvillimet e mëtejshme politike në Kosovë, e në veçanti për vetë Kryeministrin Kurti. Të gjitha këto kanë ndikuar që, edhe pse LVV doli e para nga zgjedhjet, me veprimet paszgjedhore dhe në seancën konstituive të Kuvendit, po e zarrit krijimin e institucioneve”, shprehet Makolli.

Ai thotë se VV jep sinjale që nuk vullnet për të formuar qeverinë.

Sipas Makollit, edhe opozita përveç mungesës së harmonizimit të qëndrimeve, kanë rezerva për të marrë pushtetin.

“VV po jep sinjale se nuk ka një vullnet të qartë për ta formuar shpejt qeverinë dhe për t’u përballur me sfidat, sidomos ato ndërkombëtare. Po ashtu edhe opozita, përveç mungesës së harmonizimit të qëndrimeve ndërmjet tyre, kanë rezervat e veta për ta marrë pushtetin, duke qenë të vetëdijshëm se duhet të marrin vendime të vështira për t’i shtyrë përpara proceset e finalizimit të shtetësisë së Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur, prandaj shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ishte humbje për të gjithë. Kurti dhe të tjerët duhet ta harrojnë idenë se mund t’i fitojnë zgjedhjet me një fitore absolute, sepse një gjë e tillë është e dëmshme për demokracinë dhe në këto rrethana është e pamundur. Pak a shumë, rezultatet e zgjedhjeve që i dëshiron Mimoza Kusari, gjegjësisht LVV, do të ishin të përafërta me këto që i kemi, me tendencë të rënies së përqindjes së VV-së dhe ngritjes së dy partive tjera, LDK-së dhe PDK-së. Në këtë kontekst dhe për të mos humbur kohë, liderët e partive politike – e në veçanti z. Kurti – duhet t’i lënë anash inatet mes veti dhe interesat partiake e vetjake, duke e vënë interesin shtetëror mbi të gjitha”, deklaron Makolli.

Tutje, ai kërkon një qeveri gjithëpërfshirëse, për të marrë përgjegjësi për vendimet jetike për shtetin.

“Duke parë se ekziston një lloj “frike” për të marrë përgjegjësinë e krijimit të qeverisë, në këto rrethana gjeopolitike evropiane dhe botërore që po kalojmë, zgjidhja më e mirë – thuajse ideale – do të ishte krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse, të ashtuquajtur teknike, e cila do të ishte stabile, do të merrte përgjegjësi për vendime jetike për shtetin dhe do t’i përmirësonte shpejt marrëdhëniet me miqtë tanë, duke e ngritur rejtingun e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, shton Makolli.

Një propozim të ngjashëm si të AKR-së, e ka pasur edhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, i cili kërkon një qeveri kalimtare 6 deri 8 muaj, e cila do të menaxhonte vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fund të nëntorit.

Opsioni i zgjedhjeve

Ndërsa, analisti Gani Qarri, thotë se vetëm vota e popullit mund t’i vë pikë gjendjes së krijuar.

Ai sheh opsion zgjedhjet e reja.

Image
Gani Qarri

“Në fakt maskarada e formimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryesisë së tij, ka tejkaluar çdo normë dhe hy në absurditet, kështu që derisa partitë politike, nuk arrijnë gjuhë të përbashkët për këtë çështje të rëndësishme, vetëm vota e popullit, gjendjes së krijuar mund ti vejë pikë! Realisht edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, është e paraparë që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjidhet kryetari e kryesia dhe të konstituohet përfundimisht Kuvendi, andaj nëse kjo nuk ndodhë edhe ditët e fundit të afatit të paraparë ligjor, duket se nuk ngelet rrugëdalje tjetër, përveçse të shkohet definitivisht në përsëritjen e zgjedhjeve. Bazuar në këto afate edhe deputetja Mimoza Kusari- Lila, ka theksuar se afatet kushtetuese për konstituimin e kuvendit janë drejt fundit, dhe ka përmendur edhe zgjedhjet e reja, që tashmë po përmenden edhe nga opozita. Andaj nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje parimore dhe kompromis të arsyeshëm për formimin e Kuvendit nuk, megjithëse me Nenin 66 të Kushtetutës parashihet që “Kuvendi i Kosovës, të konstituohet brenda tridhjetë ditësh, sipas rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, krejt kjo flet qartë se, nuk mbetet rrugëdalje tjetër, përpos që vendi, të shkojë drejt këtij opsioni, opsionit të zgjedhjeve të reja”, deklaron Qarri.

Tutje, sipas bindjes së tij partia fituese ka gjasa të marrë më shumë vota në rast të zgjedhjeve të reja.

“Marrë parasysh deklarimet aktuale, të partive kryesore politike, na bën të kuptojmë se "zgjidhja më e mirë" duket të jetë, shkuarja në zgjedhje të reja, e cila sipas atyre që pretendojnë në to, do t’u përshtateshin më shumë. Ndërsa sipas bindjes time, partia fituese ka gjasa të marrë më shumë vota, se sa partitë opozitare, nëse LVV arrin ta inkorporojë Partinë Nisma, në koalicionin e saj parazgjedhor, AAK e ka të sigurt dështimin nëse përsëriten zgjedhjet, kështu që Zgjedhjet e reja do t’ia mundësonin Lëvizjes Vetëvendosje përqindjen më të lartë të votave dhe numër më të madh të deputetëve në Kuvend, pasi që opozita, pa formatin politik të zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk do të arrinte më rezultatin aktual”, përfundon analisti.

Theksojmë, se edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur gatishmëri për zgjedhje të reja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat