Vizita e ‘papritur’ e Sorensen në Kosovë, zbërthehen prapaskenat e saj

Politika

Vizita e ‘papritur’ e Sorensen në Kosovë, zbërthehen prapaskenat e saj

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 prill 2025 Në ora: 16:03
Foto nga takimi

Dialogu Kosovë-Serbia ka stagnuar tash e sa kohë, derisa zhvillimet e brendshme politike në dy shtetet kanë marrë vëmendjen kryesore.

Megjithatë, derisa mendohej se ndërkombëtarët e kishin lënë nën hije dialogun, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, bëri një lëvizje interesante.

Sorensen erdhi në një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë të enjten, nga ku më pas udhëtoi për në Beograd.

Në vizitën e tij të dytë në Prishtinë, Sorensen u takua me kryenegociatorin e Kosovës për dialogun, Besnik Bislimi.

I pyetur rreth vizitës, Sorensen tha shkurtimisht për gazetarë se “jemi duke punuar” dhe se ndodhej në Kosovë ashtu siç ia kërkon detyra si i dërguar i bllokut.

“Është një vizitë normale, siç mund ta shihni. Jam i lumtur që jam këtu dhe tani do të shkoj në Beograd dhe pastaj do të kthehem në Bruksel”, tha ai.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në Bruksel më 19 mars 2025.

Qeveria në detyrë e Kosovës tha në një njoftim për media se Bislimi dhe Sorensen biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik.

Mirëpo, si duhet parë kjo vizitë e paparalajmëruar dhe e “mbyllur” sa i përket diskutimeve?

Ukshini: Elita politike e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme që me asnjë çmim të mos bëjë më lëshime

E në lidhje me këtë temë foli njohësi i çështjeve diplomatike, Sylë Ukshini.

Së pari, për “Bota sot” ai u shpreh se kjo vizitë e befasishme tregon sinjal se mund të ketë pasur lëvizje të rëndësishme në prapaskenë.

Po ashtu, tregoi se çka do të thonë këto vizita të shkurtra në diplomaci.

“Vizita e befasishme e përfaqësuesit të BE-së, Peter Sorensen, në Prishtinë, sidomos pa një paralajmërim të qartë dhe pa shumë informacione për publikun, nënkupton se mund të ketë lëvizje të rëndësishme në prapaskenë. Në diplomaci, vizita të tilla të shkurtra dhe diskrete shpesh lidhen me përpjekje për të kapërcyer ngërçe ose për të përcjellë mesazhe të rëndësishme, jashtë syrit të mediave.

Mundësitë janë disa: ose po përgatitet një dinamikë e re në dialogun Kosovë-Serbi, ose ka ndonjë shqetësim që BE-ja dëshiron ta adresojë shpejt, ndoshta lidhur me implementimin e marrëveshjeve ekzistuese. Pa shumë transparencë mbi përmbajtjen e takimit, është vështirë të jepet një vlerësim i plotë, por fakti që ky takim ndodhi është tregues se procesi i dialogut nuk është statik dhe BE-ja po kërkon mënyra për ta mbajtur atë aktiv”.

Image
Sylë Ukshini

Po ashtu, Ukshini e mirëpriti vizitën e Sorensen, megjithatë tha se duhet të jenë më të hapur me publikun, sa i përket diskutimeve dhe qëllimeve të tyre.

“Kjo ishte vizita e dytë e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Pavarësisht se nuk pati shumë informacione nga delegacioni i Sorensen, unë mendoj se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duhet të jetë më i hapur me mediat dhe publikun vendor lidhur me procesin e dilogut, i cili, duhet ta pranojmë se nuk ka pasur ndonjë progres. Edhe vetë Marrëveshja e Ohrit ka mbetur pa realizuar, në rend të parë për shkak të jorezioziutzetit të BE-së dhe të palës serbe, e cila ka bërë me dije nga fillimi se nuk do të komplemntojë pjesët e marrëveshjes që do të nënkuptonin njohje de jure apo de facto të Kosovës.

Edhe në takimin e fundit Sorensen-Bislimi, edhe pse nuk pati shumë ideja, por formulimeve se në takim fokusi do të jetë tek zhvillimet e fundit lidhur me procesin e dialogut dhe sfidat që mbesin përpara, unë mendoj se BE—ja ka mbetur peng i plotësimit dhe akomodimit të kërkesave të Beogradit për formimin e Asociacionit dhe më pas kësaj krijimi i terrenit për hapjen e kapitullit të Trashëgimisë kulturore dhe fetare”.

Gjithashtu, diplomati përmendi edhe formimin e qeverisë së re, derisa tha Se BE duhet të ndryshojë qasje, pasi tash e sa kohë nuk ka pasur progres në këtë aspekt.

“Është e qartë se BE-ja me padurim po pret formimin e Qeverisë së re të Kosovës me qëllim që ta rinisi dialogun e Brukselit, i cili në katër vitet e fundit nuk ka shënuar ndonjë përparim konkret. Përjashto Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, që u inauguruan me bujë dhe pompozitet si një lloj marrëveshje historike, madje u krahasua me Traktatin bazë gjermano-gjerman, edhe pse ishte larg shumë larg këtij traktati. Por qasja mbetet e gabuar dhe nuk duhet të kemi pritje se mund të kemi ndonjë sukses. Më para do të arrihet përfundimi i luftës Rusi-Ukrainë sesa do të kemi ndonjë hap konkret të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Më vjen keq, por BE-ja ose po bëhet sikur nuk kupton ose po dëshiron të na mashtroj se përmes koncesioneve mund të arrihet normalizimi, por asnjë shenjë nuk ekziston në horizont e që mund të konsiderohet premtuese për sukses të dialogut. Serbia nuk është e interesuar për normalizim dhe asnjëherë nuk ka qenë as e sinqertë dhe as serioze në dialog me shqiptarët përgjatë shek.20.

Për takimet e fundit, por edhe për takimet tjera, Bislimi duhet të jetë më komunikimues dhe më transparent me publikun dhe mediat, sepse një gjë ia lehtëson edhe atij punën dhe mbi të gjitha është detyrim dhe interesa nacional i Kosovës. Edhe ky fakt tregon se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile dhe që një konsensus të gjerë në çështjet me interes nacional, sepse këto çështje nuk janë as pjesë e një premtimi të këtij apo atij emisarit, por e marrëveshjeve ligjërisht obligative”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, ai potencoi se Sorensen nëse i merr shumë parasysh kërkesat e shtetit serb, edhe mund të dështojë dhe të mos ketë sukses në këto negociata.

“Në këtë kontekst, unë mendoj se edhe Sorensen nuk do të ketë ndonjë sukses në këtë dialog, sepse normalizimit nuk arrihet duke mikluar Beogradin dhe duke “Akomoduar “kërkesat e pafundshme të Beogradit dhe për intencën kanë vështirësimit e rrugës së Kosovës për integrim në sistemin ndërkombëtar.

Ashtu siç u themelua Gjykata Speciale në Hagë për t’ia bërë qejfin Serbisë dhe për ta joshur që të arrinte marrëveshje me Kosovën, edhe Asociacioni do të kërkohet për ta rehatuar Serbinë. Por, një gjë duhet ta kemi të qartë, ashtu siç Qeveria e Kosovës i dha Manastirit Serb pronat e Deçanit, që nuk doli të jetë e mjaftueshme por nga BE-ja u kërkua edhe drafti i Asociacioni, të njëjtën gjë do ia bëjnë Kosovës me asociacionin. Sapo ta formojë Kosova këtë trup brenda sistemit të Kosovës, e që në fakt do të jetë një zgjatje e Serbisë brenda Kosovës, do të kërkohet hapja e pikës 7 të Marrëveshjes së Ohrit për çështjen e akomodimit të Kishës Ortodokse Serbe, krerët e së cilët, siç e pamë së fundi edhe vizitën e patriarkut të KOS-it në Moskë dhe takimit me diktatorin rus Vladimir Putin, angazhohen me të gjitha forcat kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës”, theksoi diplomati.

Ndër të tjera, Ukshini kërkoi vëmendje më të madhe nga elita politike e Kosovës dhe të mos bëhen lëshime në raport me Serbinë.

“Në këtë kuptim, unë konsideroj se elita politike kosovare duhet të jetë e vëmendshme që me asnjë çmim të mos bëjë më lëshime sepse rrezikohet e ardhshme dhe siguria nacional e Kosovës. Qëllimi i Beogradit në dialogun e Brukselit është të minojë autoritetin qendror të Qeverisë së Kosovës, një strategjie të cilën e ka ndjekur edhe Milosheviqi në Dejton.

Mënyra si ka rrjedhur procesi i Gjykatës së Hagës, e cila për ta amnistuar Serbinë po përdor edhe kriminel ordiner dhe vrasëse të kategorive të ndryshme, duhet të jetë mësimi më i mirë që në rastin e asociacionit nuk duhet bërë asnjë lëshim, aq më pak të pranojë hapjen e kapitullit për një aranzhim të statusit të Kishës Ortodokse Serbe, e cila ka qenë dhe mbetet në shërbim të ideologjisë serbomadhe. Për më tepër, duhet pasur parasysh se konturat e Serbisë së Madhe përputhen me ato të organizimit kishtar”, përfundoi Sylë Ukshini për “Bota sot”.

Hertica: Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime.

Kurse, analisti politik, Ali Hertica komentoi në tërësi vizitën e Sorensen, ku tha se dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime të mëtutjeshme, por që nuk do thotë gjithsesi që bëhen kompromise.

Image
Ali Hertica

“Kjo ishte vizita e dytë e Sorensenit në Kosovë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit dhe erdhi në një kohë kur Kosova nuk po arrin ta konstituojë Kuvendin dhe ta formojë Qeverinë e re më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to. Gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë në mars, Sorensen kishte thënë se prioritet për të ishte të caktonte takime mes dy shteteve. Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kjo kompromise apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar”, nënvizoi ai.

Po ashtu, analisti në bashkëbisedimin me “Bota sot” përmendi edhe gabimet që janë bërë ndër vite në lidhje me dialogun, ku kritikoi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë dhe lëshimet që janë bërë ndaj saj.

Megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë që vizita e Sorensen të lidhet edhe me lehtësimin e masave ndëshkuese që janë vendosur ndaj Kosovës tash e një kohë.

“Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen ky është takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar në këtë takim kanë biseduar  rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut, dhe Implementimit i Ohrit duhet të zbatohen në tërësi përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve. Këtë e tha edhe Shefja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha në fillim të këtij muaji se BE-ja është duke i zbërthyer gabimet në dialogun e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që t’i japë gjallëri procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. Ai vlerësoi edhe qëndrimin publik të Bashkimit Evropian se sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është shkelje e marrëveshjes, një zbatim i këtyre marrëveshjeve teknike që u arritën në Ohër, ndoshta do të jetë lehtësim për heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Europian për Kosovën…”, përmbylli Ali Hertica për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat