Më 1 qershor pritet të hyjë në fuqi vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 16.1%, i miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ky vendim, megjithatë, nuk do të zbatohet në katër komunat veriore të Kosovës, të cilat përjashtohen nga rritja e çmimit
Në lidhje me këtë ka folur për gazetën “Bota sot” Luan Hasanaj, përfaqësues i iniciativës “Asnjë Cent Më Shumë”. Ai e ka cilësuar vendimin e ZRRE-së si të padrejtë.
“Ashtu siç e kam thënë rregullisht, vendimi i ZRRE për shtrenjtimin e rrymës është i padrejtë dhe do ta rëndojë jetesën e shumë qytetarëve në Kosovë, veçanërisht në kushte të krizës ekonomike”, ka theksuar ai.
Sa i përket përjashtimit të katër komunave veriore, Hasanaj është shprehur se ky vendim përbën diskriminim ekonomik.
“Përjashtimi i katër komunave veriore nga ky vendim përbën diskriminim të hapur ekonomik dhe cenon parimin e barazisë para ligjit. Ky trajtim i pabarabartë dëmton besimin në institucione, krijon ndasi mes qytetarëve dhe minon përpjekjet për ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë”, ka thënë ai.