Eksperti tregon mënyrat se si mund të arrestohet terroristi, Milan Radoiçiq – alarmon Kosovën

Politika

Eksperti tregon mënyrat se si mund të arrestohet terroristi, Milan Radoiçiq – alarmon Kosovën

Nga: P.R. Më: 29 prill 2025 Në ora: 08:02
Milan Radoiçiq

Ishte tashmë i kërkuar nga Kosova për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, por që nga sot, shteti i Kosovës ka lëshuar flet arrest ndërkombëtar për krime lufte për terroristin serb, Millan Radoiçiq.

Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, Radoiçiq akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur 'Ura e Taliqit' në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e fletarrestimit.

Lidhur më këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se ky fletarrest është një hap i rëndësishëm për shtetin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

“Gjeopolitikisht, lëshimi i fletarrestit ndërkombëtar për Milan Radoiçiq për krime lufte është një hap që e forcon legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës si shtet që kërkon drejtësi dhe sundim të ligjit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo vendos Serbinë para një dileme të madhe: Ta mbrojë publikisht Radoiçiqin dhe të përballet me presion ndërkombëtar, veçanërisht nga SHBA dhe BE. Apo të japë sinjale të bashkëpunimit duke e dorëzuar atë (çka politikisht është e vështirë për Vuçiçin për shkak të brendësisë nacionaliste serbe). Ky fletarrest mund të rrisë presionin ndaj Serbisë për të zgjedhur mes vazhdimit të rrugës evropiane ose izolimit të mëtejshëm”, shprehet Shala.

Image
Drizan Shala

 

Siç thotë ai, Radoiçiq është njeri i strukturave të sigurisë së Serbisë për veprime në veri të Kosovës.

“Gjeostrategjikisht, Radoiçiq është jo thjesht një individ; ai është një instrument strategjik i strukturave të sigurisë serbe në Kosovë, veçanërisht në veri. Ai kontrollon: Rrjetet e strukturave paralele, trafikun ilegal të armëve, mallrave dhe njerëzve, aktivitetet destabilizuese në zonat me shumicë serbe. Arrestimi i tij do të dobësonte thellësisht kapacitetet e Beogradit për të ushtruar ndikim të dhunshëm në veri të Kosovës. Për këtë arsye, Serbia ka shumë pak gjasa që të dorëzojë vullnetarisht Radoiçiqin”, deklaron Shala.

Më tej, për “Bota sot”, eksperti Shala tregon mënyrat se si mund të përfundojë terroristi Milan Radoiçiq në duart e drejtësisë së Kosovës.

“Për Kosovën, kjo do të thotë se arrestimi i tij mund të realizohet vetëm në këto mënyra: Operacion i koordinuar ndërkombëtar (p.sh., nëpërmjet Interpolit ose Europolit). Presion politik shumë i madh ndaj Serbisë nga faktorët ndërkombëtarë. Dështimi ose ndarja e Radoiçiqit nga vetë Vuçiçi, nëse ai bëhet "barrë" për Serbinë”, shpjegon Shala, i cili paralajmëron aksione të strukturave kriminale në veri të Kosovës.

“Nga aspekti i sigurisë kombëtare të Kosovës, fletarresti tregon vendosmërinë për të luftuar terrorizmin dhe krimet e luftës, por gjithashtu mund të provokojë rritje tensioni në veri, sidomos nëse perceptohet si sulm ndaj “mbrojtësve të serbëve”. Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të përgatiten për veprime hakmarrëse nga strukturat kriminale, operacione dezinformuese në terren dhe media, mobilizim të grupeve radikale”, thekson Shala.

Për fund, Shala rekomandon një forcim t bashkëpunimit me KFOR-in dhe EULEX-in, si dhe intensifikim i masave të inteligjencës dhe sigurimit në veri.

“Nga aspekti i inteligjencës, për kapjen e Radoiçiqit është e domosdoshme: Zbulimi i lëvizjeve të tij, rrjetit të mbrojtjes dhe mbështetjes që ai ka brenda dhe jashtë Serbisë. Përdorimi i inteligjencës teknike (SIGINT) dhe bashkëpunimi me shërbime partnere. Zgjedhja e momenteve të dobësisë së tij (udhëtime jashtë Serbisë, përplasje me grupe rivale, etj.). Nëse Serbia refuzon ekstradimin, ekziston mundësia që Radoiçiq të "neutralizohet" përmes metodave të tjera, për shembull, duke e diskredituar ose duke ndikuar që ai të humbasë vlerën strategjike për Vuçiçin”,përfundon për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat