Zgjedhjet e reja, pas atyre të 9 shkurtit të këtij viti që shkaktuan ngërҫ politik, po përmenden disa herë në kohën kur Kosova ende nuk po arrin të formojë institucionet e reja.
Për të tetën herë me radhë, deputetët nuk arritën të zgjedhin krye-parlamentaren e re. Partia fituese ka propozuar ish ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun për kryetare kuvendi, mirëpo partitë tjera janë kundër këtij propozimi. Kësisoj, Kosova ka hyrë në bllokadë institucionale.
Si opsion për të dalë nga kjo krizë, po përmenden zgjedhjet e reja. Por kujt i konvenojnë më së shumti zgjedhjet e reja? Sa mund të sjellin ndryshime nëse do të mbaheshin zgjedhjet në këtë periudhë?
Deri më tani janë deklaruar nga Partia Demokratike e Kosovës që atyre iu konvenojnë më së shumti këto zgjedhje. Kështu, deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Artan Behrami, ka thënë se më së shumti PDK-së i konvenojnë zgjedhjet.
“Nëse ka një parti politike e cila do të kishte interes për zgjedhje në kuptimin elektoral është PDK-ja sepse matjet e fundit kanë treguar se ka rritje. Por, interesi i qytetarëve të Kosovës është krejt i ndryshëm ata presin nga ne deputetët dhe nga Qeveria e ardhshme që unë besoj se do të jetë nga opozita, presin që t’i adresoj shqetësimet e tyre të përditshme dhe krejt çfarë po shohim sot është një tallje me qytetarët. Kur e sheh Albin Kurtin dhe deputetët e tjerë duke qeshur dhe nënqeshur në një proces, në një krizë të tillë kjo tregon shumë mirë se çka mendon ky njëri. Talljet e tjera që kanë ndodhur në Kuvend këto ditë janë të papranueshme”, ka thënë ai.
Ndërkohë për opsionin e zgjedhjeve të reja, ka folur për ‘Bota sot’, njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj.
Zogaj: Nga këto zgjedhje të reja nuk ka asnjë shpresë që situata të ndryshoj për të mirë
Ai e ka quajtur si turp historik bllokadën institucionale, që sipas tij po e përgënjeshtrojnë shpresën e shtet bërjes.
“Situata bllokuese e krijimit të Kuvendit të Kosovës është më tepër se turp historik, sepse e përgënjeshtron ëndrrën shekullore dhe e cenon shpresën historike të shtet bërjes për të cilën janë sakrifikuar me mija bijë dhe bijat më të devotshme atdhetare! Por, për habi, klasa politike e Kosovës, në vitin 2025, pas realizimit të lirisë dhe të pavarësisë së vendit, brutalisht e përdhunon vlerën më sublime të popullit të vet!!! Kjo është një verbëti e paimagjinueshme, që i kapërcen përmasat e qëndrimeve më armiqësore, derisa, të zgjedhurit e popullit e shkelin besimin e dhënë”, ka vlerësuar ai.
Sipas Zogajt, Kuvendi për shtatë herë radhazi nuk e bëri asnjë lëvizje të vullnetit të mirë, prandaj, nuk ka shumë udhë tjetër, pos zgjedhjeve të reja
“Por, nga këto zgjedhje të reja nuk ka asnjë shpresë që situata të ndryshoj për të mirë, sepse Kosova është kontaminuar nga divergjencat ideologjike dhe strukturat e organizuara të krimit dhe korrupsionit material dhe shpirtëror, aq sa epidemia është vështirë e kalueshme pa humbje të mëdha! Kujt i konvenon kjo gjendje: Askujt e gjithkujt, por jo shqiptarëve që e duan jetën në Kosovë”, tha ai.
Sipas analistit, zgjedhjet e reja janë dështimi i radhës, sepse partitë politike të gjitha, kanë degjeneruar dhe, nuk janë më të denja për të mbajtur fjalën e tyre.
“Asnjëra, sepse, të gjitha po shihet se e kanë rrejtë elektoratin, kur kanë thënë se luftojnë për shtet e jo për pushtet! Asnjëra nuk po e mbanë fjalën e dhënë, prandaj, nëse bëhen zgjedhjet e reja, askush më nuk do t'i besojë nëse i përsërisin sloganet atdhetare! Nuk do t'i besoj dhe, kam frikë se në zgjedhjet e reja përqindja e votuesve do të zvogëlohet në minimum, vetëm me militantët e verbër që nuk dinë çfarë duan e çfarë flasin! Pra, zgjedhjet e reja nuk sjellin ndryshim cilësor, e kjo d.m.th., se do të jenë dështim i ri që e thellon krizën dhe, ia realizon aspiratat armiqve të Kosovës, të cilët me arsye janë shumë të lumtur me këto që po zhvillohen në Kosovë”, thotë analisti Zogaj.
Shkodra: Të kemi afate kohore të përcaktuara dhe të dimë secili se sa guxon të zgjatë kjo situatë
Poashtu, për çështjen e zgjedhjeve të reja, se sa mund të ndryshojnë situatën aktuale në vend, ka folur edhe analistja politike, Magbule Shkodra. Ajo thekson se tani nuk është momenti që asnjë parti të flasë për zgjedhje të reja. Qytetarët kanë votuar dhe kanë kërkuar bashkëpunim.
“Qytetarët nuk kanë votuar për të shkuar përsëri në zgjedhje. Mendoj se partia politike, dhe këtu i referohem partisë fituese Vetëvendosje, e cila po përdor si kërcënim zgjedhjet e reja në mënyrë që të detyrojë deputetët e opozitës që ta votojnë kandidaten për kryeparlamentare. Mendoj se zgjedhjet e reja nuk i konvenojnë askujt. Edhe sikur të shkonim në zgjedhje të reja, rezultati do të jetë i ngjashëm, ndoshta edhe më i keq, sepse një numër i qytetarëve janë revoltuar dhe të irrituar që nuk ka zgjidhje në këtë situatë. Dhe unë mendoj që nuk është koha për të menduar për zgjedhje por ne duhet të mendojmë si duhet ta zgjidhim këtë nyje që zgjedhja e kryeparlamentarit dhe mendoj që kjo situatë është mirë që njëherë e përgjithmonë të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese në mënyrë që edhe në ardhmen të mos kemi kësi lloj bllokade. Pra të kemi afate kohore të përcaktuara dhe të dimë secili se sa guxon të zgjatë kjo situatë”, thekson ajo.
Shkodra thotë tutje se, Presidentja do të duhej që nëse edhe nesër përsëri vazhdon e njëjta, nuk kemi zgjedhje të kryeparlamentares, Presidentja duhet të marrë hapat e duhur që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Unë e kam parasysh që Gjykata Kushtetuese në një vendim në të kaluarën thotë se nuk do të merret me procedurat e Kuvendit, por dua të shtoj që kjo situatë nuk duhet të reduktohet në atë që këto janë procedura të Kuvendit. Ne kemi bllokim të shtetit, pra institucioni më i lartë i shtetit është bllokuar dhe nuk do të mund të kemi as qeveri. Andaj mendoj që Presidentja i ka të gjitha faktet në duart e veta dhe që mund të përpiloj një kërkesë për Gjykatën Kushtetuese dhe në të na qartësoj se si duhet të veprojë sa i përket afateve kohore, pra sa herë mund të propozohet kryeparlamentarja nga partia fituese dhe sa herë mund të dështoj në mënyrë që të mos gjendemi në një situatë të njëjtë, pra edhe nëse shkojmë në zgjedhje të reja, mund të gjendemi përsëri në një situatë të njëjtë dhe çfarë kemi bërë asgjë, po i humbim kohë Kosovës dhe popullit, asgjë më shumë”, nënvizoi Shkodra për ‘Bota sot’.