Bllokimi i Kuvendit, profesori nuk përjashton skenarin e zgjedhjeve të reja – paralajmëron pasoja nëse ndodhë kjo gjë!

Politika

Bllokimi i Kuvendit, profesori nuk përjashton skenarin e zgjedhjeve të reja – paralajmëron pasoja nëse ndodhë kjo gjë!

Nga: A.M. Më: 29 prill 2025 Në ora: 14:56
Kuvendi i Kosovës

Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi i konstituimit të Kuvendit ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryeparlamentarit.

Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas tentimit të tetë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk moti votat e mjaftueshme.

E në lidhje me bllokadën që është krijuar në Kuvend, për “Bota sot” foli Prof.Dr. Fejzulla Berisha.

Së pari, ai tha se zgjedhjet e 9 shkurtit sollën një rezultat të fragmentuar, pasi asnjëra parti nuk mori shumicën.

Krahas kësaj, sipas tij, erdhën në pah edhe më shumë dallimet dhe përplasjet mes partive politike, ku nuk po arrihet të bëhet asnjë marrëveshje politike për ta formuar qeverinë dhe për ta konstituar Kuvendin.

“Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 prodhuan një rezultat të fragmentuar që thelloi ndarjet në skenën politike të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e udhëhequr nga Albin Kurti, siguroi rreth 41% të votave dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Kjo shënoi një rënie të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ku kishte fituar 58 mandate. Edhe partitë kryesore opozitare – PDK dhe LDK – regjistruan humbje të konsiderueshme, duke lënë skenën parlamentare pa një fitues me shumicë të qartë. Kjo situatë imponoi domosdoshmërinë e krijimit të një koalicioni për të formuar qeverinë dhe për të garantuar funksionalitetin institucional.

Përkundër përpjekjeve të LVV-së për të marrë drejtimin e institucioneve, mungesa e një shumice parlamentare çoi në bllokimin e konstituimit të Kuvendit. Kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, mori vetëm 57 vota në seancën e parë, duke dështuar të arrijë shumicën e nevojshme prej 61 votash. Opozita – përkatësisht PDK, LDK dhe AAK – refuzoi të mbështesë kandidaturën e LVV-së dhe kërkoi që posti të mos monopolizohej nga partia fituese. Ky moskoordinim institucional e la Kuvendin të paralizuar për një kohë të pacaktuar”, u shpreh ai.

Image
Prof.Dr. Fejzulla Berisha.

Gjithashtu, profesori theksoi polarizimet e thella politike dhe akuzat mes subjekteve politike.

Në këtë pikë, potencoi edhe shqetësimet e ndërkombëtarëve për këtë ngërç të krijuar.

“Kriza e moskonstituimit nxori në pah një polarizim të thellë politik dhe institucional. Opozita e akuzoi LVV-në për tentim monopolizimi të pushtetit dhe për refuzim të dialogut me subjektet tjera. Debati u përshkallëzua nga mospajtime politike në tensione publike, me akuza të ndërsjella dhe ngritje të toneve politike.

Ngërçi institucional dhe mungesa e një qeverie funksionale shkaktuan shqetësim edhe te partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Bashkimi Evropian shprehu brengosje për bllokimin e proceseve demokratike dhe theksoi se polarizimi i tejzgjatur mund të dëmtojë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian”, nënvizoi Berisha.

Ndër të tjera, ai nuk i përjashtoi zgjedhjet e reja, si një mundësi për të dal nga kjo bllokadë e krijuar, ndonëse tha se mund të ketë pasoja të paparashikueshme për zhvillimin politik.

“Në mungesë të zgjidhjes për formimin e institucioneve, një opsion i hapur mbetet shpërndarja e Kuvendit dhe organizimi i zgjedhjeve të reja, si rrugëdalje kushtetuese nga bllokada. Megjithatë, kjo do të nënkuptonte shtyrje të mëtejshme të funksionimit institucional dhe përkeqësim të pasigurisë politike në vend.

Kriza paszgjedhore e shkurtit 2025 ka dëshmuar fragjilitetin e sistemit politik dhe mungesën e kulturës së dialogut ndërpartiak në Kosovë. Bllokimi i Kuvendit dhe paaftësia për të ndërtuar një shumicë funksionale e kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin institucional dhe integritetin demokratik të shtetit. Nëse situata vazhdon, vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri zgjedhor, me pasoja të paparashikueshme për zhvillimin politik dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, përfundoi Fejzulla Berisha për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat