Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca konstituive do të vazhdojë të enjten, në ora 10:00.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtën herë nuk mori mbështetjen për postin e krye- parlamentares.
Kësaj radhe, ajo mori 54 vota për, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, për të kishin votuar 57 deputetë - por kësaj radhe disa deputetë të LVV-së munguan.
E të gjendur në këtë situatë, njohës të çështjeve juridike dhe politike po kërkojnë që Presidentja Vjosa Osmani të iniciojë një rast në Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një interpretim të ri kushtetues që do të ndihmonte në zhbllokimin e kësaj situate.
Mirëpo, përveç kërkesës së Presidentes Osmani është përmendur edhe ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të zhbllokuar këtë 'ngërç' politik.
Njëri ndër ta është edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Bekë Berisha, i cili ka kërkuar ndihmën e presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë.
Pas dështimit për herë të tetë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Berisha tha se liderët politikë në Kosovë nuk janë mësuar t’i zgjidhin të vetëm situatat politike, andaj është e nevojshme që të vjen dikush dhe t’i kapë siç tha për krahu për të zgjidhur bllokadën në Kuvend.
Se sa e nevojshme është ndërhyrja e ndërkombëtarëve kanë folur njohësit e çështjeve politike.
Haziri: Vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë është një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.
Ai thotë se ndërkombëtarët janë të shqetësuar për disa çështje ndërkombëtare dhe nuk munden të merren ngërçin që është krijuar në Kuvend.
Gjithashtu analisti thekson që partitë politike duhet të reflektojnë që të mos bllokojnë formimin e Qeverisë.
“Duket se faktori ndërkombëtar është më i preokupuar me zhvillimet tjera në skenën gjeopolitike ndërkombëtare, sesa me ngërçin politik në Kosovë, i cili tashmë është shndërruar në një teatër absurd që prodhon seriale tragjiko-komike. Nuk vërej ndonjë interesim serioz nga ana e faktorit ndërkombëtar edhe për arsyet që i përmenda më lart.
Megjithatë, janë partitë politike në Kosovë ato që duhet të reflektojnë, e kjo veçanërisht i takon partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila duhet të ndryshojë kandidatin apo kandidaten për kryetar të Kuvendit. Në këtë mënyrë do të zhbllokohej formimi i institucioneve të vendit, sipas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Por, siç duket, mungesa e votave për të themeluar qeverinë Kurti 3 i leverdis Vetëvendosjes që të vazhdojë me bllokimin e zgjedhjes së kreut të Kuvendit”, shprehet ai.
Ndër të tjera analisti thotë që një koalicion mes LVV-PDK është e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë.
“Mendoj se e vetmja rrugë për të dalë nga kjo situatë është një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së. Është me rëndësi që liderët e këtyre dy partive të ulen sa më shpejt për të finalizuar një marrëveshje, në mënyrë që të mos humbet më shumë kohë në këtë bllokadë politike, e cila ka pasoja të mëdha për vendin.
Ky koalicion nuk do të ishte asgjë jonormale apo e jashtëzakonshme, pasi edhe në nivel lokal, konkretisht në kryeqytet, bashkëpunimi mes këtyre dy partive – edhe pse i pashpallur – po funksionon mirë në përpjekjet për ta penguar qeverisjen e LDK-së dhe të kryetarit Përparim Rama në Prishtinë. Pra, LVV dhe PDK tashmë kanë një marrëveshje për zgjedhjet e ardhshme lokale në Prishtinë, ku do ta ndihmojnë njëra-tjetrën. Nuk shoh arsye pse kjo frymë bashkëpunimi kundër LDK-së të mos bartet edhe në nivel qendror”, foli analisti Haziri për “Bota sot”.
Hertica: Partitë politike duhet më në fund ta kuptojnë seriozitetin e rolit që u është besuar nga qytetarët përmes votës
Ndërsa analisti tjetër politik, Ali Hertica në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që partitë politike duhet të reflektojnë dhe të bashkëpunojnë mes vete për një zgjidhje.
Sipas tij, nuk duhet të jetë prezente lojërat politike dhe përfitimet personale pasi në këtë rast po dëmtohet shteti dhe qytetarët.
“Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi politik në vend ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare lidhur me postin e Kryetarit të Kuvendit.
Partitë politike – nëse jo të gjitha, atëherë ato më të rëndësishmet – duhet më në fund ta kuptojnë seriozitetin e rolit që u është besuar nga qytetarët përmes votës. Ata janë të obliguar të krijojnë institucione funksionale, të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me kushtet e brendshme dhe zhvillimet globale. Prandaj, është jetike të shmangen lojërat politike dhe kalkulimet për përfitime afatshkurtra, të cilat janë të dëmshme për shtetin dhe qytetarët, dhe shpeshherë kthehen si bumerang për vetë partitë.
Përgjegjësinë për këtë situatë e mbajnë të gjitha partitë politike, e në veçanti ajo që ka dalë e para në zgjedhjet e fundit”, shprehet ai.
Analisti tutje thekson që dështimi i seancës së tetë është një sinjal që jemi në një fazë pa përfundim të qartë.
Gjithashtu cek që politika e Kosovës ka nevojë për dakordim mes vete.
“Është thelbësore të gjendet një zgjidhje kushtetuese, e cila respekton Kushtetutën dhe rezultatin e zgjedhjeve, si dhe të drejtat e të gjitha partive për të propozuar kandidatë për pozita institucionale. Por kjo nuk do të thotë që vota duhet të shkojë sipas tekave të një subjekti të vetëm.
Procesi për konstituimin e Kuvendit ka hyrë në një fazë të zgjatur pa përfundim të qartë. Për herë të tetë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës. Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, dhe deri më tani janë kaluar vetëm dy pika të rendit të ditës. Politika e Kosovës ka nevojë për kompromis, dakordim dhe konsensus mes partive të mëdha, të cilave u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë dhe të tjera pozita, pa e imponuar vullnetin e tyre ndaj të tjerëve”, shpjegon analisti.
Në fund, ai shton që konstituimi i Kuvendit do të lejonte formimin e institucioneve dhe në këtë rast do të jetësohej qëllimi i qytetarëve.
“Institucionet janë të popullit, jo të partive. Çdo parti politike duhet të kuptojë se koha e një sistemi të mbyllur ka përfunduar. Në një shoqëri moderne dhe demokratike, të gjitha subjektet kanë të drejtë të barabartë për pjesëmarrje. Secila parti mund të propozojë krye parlamentarin, por askush nuk ka të drejtë të imponojë mënyrën se si duhet të votojnë përfaqësuesit e popullit.
Konstituimi i Kuvendit do të hapte rrugën për formimin e ekzekutivit të ri dhe nisjen e realizimit të planeve afatshkurtra dhe afatgjata, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve. Sepse në fund, është qytetari i zakonshëm – punëtori dhe i varfëri – ai që po i paguan kostot e krizës politike dhe inateve personale që shfaqen sot në skenën politike”, përfundoi analisti Hertica për “Bota sot”.