Viti 1993 ka qenë viti kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, kishte shpallur 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.
3 Maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët që kanë humbur jetën në krye të detyrës.
Shumë gazetarë në periudha të ndryshme kanë dhënë një kontribut të madh në fushën e gazetarisë.
3 Maji shërben për të kujtuar dhe reflektuar rreth punës, kurajës dhe guximit të individëve që gjatë diktaturës komuniste dhanë një kontribut të madh me shkrimet dhe veprat e tyre të ndaluara nga regjimi i kohës dhe që për të mbrojtur lirinë e shprehjes disa e paguan edhe me jetë.
3 Maji shënohet edhe në Kosovë, ndërsa sot më shumë kujtohen ata gazetarë që janë vrarë pas raportimit të tyre.
“Bota sot”, gazetë kjo kombëtare dhe afro 30 vite në treg, ka humbur 2 gazetarë dhe dy bashkëpunëtorë ndër vite dhe në anën tjetër atentate me bombë e kërcënimet ndaj saj nuk kanë munguar.
Përjetim nga afër çmimin e rëndë të fjalës së lirë
Në Ditën e Lirisë së Shtypit, kryeredaktorja e “Bota sot”, Mimoza Lakna- Rogova, thotë se për lirinë e medias është vështirë të flitet, kjo për shkak se vrasjet e gazetarëve mbeten të pa zbardhura dhe heshtja institucionale vazhdon.
Sipas saj, gazeta “Bota sot”, ka përjetuar nga afër çmimin e rëndë të fjalës së lirë.
“Sot kur shënojmë Ditë Botërore të Lirisë së Medias, është e rëndësishme që të gjithë si shoqëri të reflektojmë për rolin jetik që ka shtypi i lirë dhe i pavarur. Konsideroj se është e vështirë të flasim për lirinë e medias në Kosovë, kur edhe sot, vrasjet e gazetarëve mbeten të pazbardhura, dhe heshtja institucionale vazhdon? Gazeta “Bota sot” ka përjetuar nga afër çmimin e rëndë të fjalës së lirë: Dy gazetarë, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, si dhe dy bashkëpunëtorë të saj, Xhemail Mustafa e Enver Maloku janë vrarë për “shkak” të misionit të tyre informues. Por, gjithashtu, “Bota sot” ndër vite ishte pre e kërcënimeve, atentateve dhe presionit të vazhdueshëm. Është e dhimbshme kur e mendojmë se asnjëherë nuk pati drejtësi për padrejtësitë e vazhdueshme që iu bënë “Botës sot” duke përfshirë këtu edhe humbjen e gazetarëve të saj më të mirë. Po ashtu, në Kosovë janë vrarë edhe gazetarë të tjerë si Ismail Bërbatovci e Shefki Popova, vrasjet e të cilëve nuk janë zbardhur asnjëherë”, deklaron Lakna- Rugova.
Është i dhimbshëm fakti dhe shqetësues, që përfaqësues të gazetarëve në Kosovë shpesh zgjedhin të heshtin për këto raste, thotë Lakna- Rogova, gjersa shton se shënimi i Ditës së Lirisë së medias nuk duhet të jetë vetëm një slogan ndërkombëtar.
“Ata ishin misionarë të së vërtetës në një periudhë kur bëheshin përpjekje kriminale për ta fshehur të vërtetën. Ata që e donin pushtetin më shumë se shtetin që po formohej ua morën jetën misionarëve të demokracisë dhe të së vërtetës. Andaj, mendoj se është e dhimbshme dhe shqetësuese që edhe përfaqësues të gazetarëve në Kosovë shpesh zgjedhin të heshtin për këto raste. Aty ku duhej të kishte solidaritet, ka harresë. Aty ku duhej të kishte kërkesë për drejtësi, ka heshtje. Për çdo vit mbahen konferenca të ndryshme për Ditën Botërore të Lirisë së medias gazetarët e vrarë të gazetës “Bota sot” për ironi nuk përmendën fare! Për këtë arsye më duhet të them se shënimi i Ditës së lirisë së medias nuk duhet të jetë vetëm një slogan ndërkombëtar, apo një “fasadë” mbi realitetin e dhimbshëm duke injoruar ata që humbën jetën duke luftuar për të vërtetën”, shprehet kryeredaktorja.
Heshtja ose neglizhenca institucionale
Vrasjet e gazetarëve në Kosovë kanë mbetur të pazbuluara që nga përfundimi i luftës, sipas të dhënave të OSBE-së, llogaritet se janë vrarë dhe zhdukur 14 gazetarë.
Gazetari dhe nipi i Bardhyl Ajetit, Nebi Ajeti, thotë se është e pamundur të flitet me besueshmëri për liri të shtypit kur vrasjet e gazetarëve mbesin pa drejtësi.
Sipas tij, pa ndëshkueshmëria për krimet ndaj gazetarëve krijon një klimë frike, vetëcenzurë dhe mos besim.
“Më 3 maj, në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, kujtojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, por edhe plagët e thella që cenimet ndaj tij kanë lënë, veçanërisht në raste tragjike si ai i gazetës Bota sot, e cila ka humbur gazetarë dhe bashkëpunëtorë në atentate që ende sot nuk janë zbardhur. Është e pamundur të flitet me besueshmëri për liri të shtypit kur vrasjet e gazetarëve mbesin pa drejtësi. Pa ndëshkueshmëri për krimet ndaj gazetarëve, krijohet një klimë frike, vetëcensure dhe mosbesimi – jo vetëm për gazetarët, por edhe për publikun që duhet të mbështetet në ta për informacion të pavarur. Heshtja ose neglizhenca institucionale për zbardhjen e këtyre rasteve është një dështim i rëndë i sistemit të drejtësisë dhe një cenim i rëndë i demokracisë”, deklaron Ajeti.
Sipas tij, rasti i gazetës “Bota sot”, me dy gazetarë dhe dy bashkëpunëtorë të vrarë është një plagë e hapur që vazhdon të mbulohet me heshtje, frikë ose servilizëm.
Çdo vit që kalon pa zbardhjen e vrasjeve, është vit i fitores së krimit mbi të vërtetën, shton Ajeti.
“Nuk ka liri të shtypit kur gazetarët vriten dhe drejtësia hesht. Nuk ka dinjitet profesional kur përfaqësuesit e gazetarëve mbyllin sytë dhe gojën përballë krimeve që kanë goditur kolegët e tyre. Rasti i gazetës Bota sot, me dy gazetarë dhe dy bashkëpunëtorë të vrarë, është një plagë e hapur që vazhdon të mbulohet me heshtje, frikë ose servilizëm. Çdo vit që kalon pa zbardhje, është një vit tjetër i fitores së krimit mbi të vërtetën. Liria e medias nuk matet me fjalime nëpër konferenca, por me guximin për të kërkuar drejtësi, edhe kur ajo djeg interesat e pushtetit apo të heshtjes së organizuar”, përfundon gazetari.
Theksojmë, se nga indeksi vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, pesë vendet e para me gjendjen më të mirë të lirisë së shtypit janë: Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia dhe Finlanda.