Sot do të mbahet seanca e dhjetë si përpjekje për formimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit si fituese e zgjedhjeve ka dështuar për shtatë herë radhazi që të sigurojë 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si pasuese të Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit.
Në seancën e fundit, duke parë disa dështime radhazi, partia e Kurtit përmes Avni Deharit si kryesues i seancës, kishte tentuar të ndryshojë mënyrën e votimit, por pa sukses. Sipas tyre, nëse votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë, deputetët s’do të kenë presion dhe do të votojnë më lirshëm.
Se e duan votimin e fshehtë edhe në seancën që do të mbahet sot në orën 10:00 e ka paralajmëruar edhe deputeti Hekuran Murati, i cili përmes një reagimi në orët e vona të së premtes i kërkonte opozitës që ta përkrahin kandidaturën e Haxhiut për kryeparlamentare dhe sugjeronte mënyrën e fshehtë të votimit.
“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj që mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada dhe deputetët e zgjedhur të mund të çojnë në vend pushtetin e deleguar nga qytetarët, duke konstituuar Kuvendin e duke zgjedhur qeverinë e re”, ka shkruar Murati të premten.
Në anën tjetër, kërkohet ndërhyrja e presidentes Vjosa Osmani nëse për një periudhë nuk formohen institucionet e reja të vendit.
Kadri Kryeziu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, thotë se presidentja është me kompetenca neturale dhe nëse nuk ndërhyn ajo, atëherë ndërhyn Amerika.
“Presidentja është me kompetenca neutrale, pra karakteri i saj është karakteri i unitetit, në situata të caktuara ajo e ka për detyrë për t’i ndihmuar që të krijohen institucionet. Ajo duhet të jetë shumë aktive, ajo e ka dhënë betimin në parlament, nëse jo atëherë ndërhyjnë forcat jashtme, respektivisht administrata amerikane. Kur nuk ndërhyn Osmani, Amerika ndërhyn”, ka thënë Kryeziu.
Ndërsa, opinionisti Lirim Gashi, thotë se nëse heshtja zgjat, atëherë faktori ndërkombëtar mund të ndihmojë si lehtësues i dialogut.
Sipas tij, Amerika mund të ndihmojë duke i rikujtuar palëve se demokracia funksionon kur respektohet vullneti i popullit.
“Presidentja ka kompetencë dhe përgjegjësi për të ndërmarrë hapa që shmangin paralizën institucionale. Nëse heshtja zgjat, atëherë faktori ndërkombëtar – veçanërisht SHBA-ja – mund të ndihmojë si lehtësues i dialogut, por jo si imponues zgjidhjesh. Amerika mund të ndihmojë duke i rikujtuar palëve se demokracia funksionon kur respektohet vullneti i popullit, jo kur manipulohen procedurat. Megjithatë, ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar nuk duhet të vijë si zëvendësim i vullnetit të qytetarëve. SHBA dhe BE mund të ndihmojnë si lehtësues, por jo si arbitra që imponojnë zgjidhje politike që nuk kanë bazë demokratike”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Ai fajëson opozitën për ngërçin politik, gjersa shton se ajo mund ta bëjë hapin për zhbllokim të kësaj situate.
“Ngërçi politik është rezultat i një opozite që nuk po sillet si alternative demokratike, por si pengesë sistematike ndaj vullnetit të qytetarëve. Përkrahja e Listës Serbe në këtë sabotim nuk është rastësi, por një strategji e orkestruar që e dobëson funksionalitetin e shtetit. Hapi i duhur për zhbllokim do të ishte një reflektim i sinqertë nga opozita, që duhet ta kuptojë se nuk ka të drejtë të bllokojë një shumicë legjitime, vetëm pse nuk është vetë në pushtet. Pra zhbllokimi kërkon guxim politik nga opozita – jo për t’u pajtuar, por për ta respektuar demokracinë”, shprehet opinionisti.