Publicisti zbërthen merakosjen politike: Pozita e Presidentit, nën hijen e pazareve

Politika

Publicisti zbërthen merakosjen politike: Pozita e Presidentit, nën hijen e pazareve

Nga: A.M. Më: 3 maj 2025 Në ora: 21:23
Presidenca

Më 4 prill, Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes së vendit me një mandat pesëvjeçar.

Tani kishte mbetur vetëm një vit deri në përfundimin e mandatit të saj, ndërsa e ardhmja e postit presidencial vazhdonte të ishte e paqartë.

Që nga fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte nisur të përflitej për pozitën e presidentit dhe për mundësitë e reja politike që mund të pasonin. Megjithatë, zhvillimet politike në vend janë ndërlikuar për shkak të bllokimit të Kuvendit të Kosovës.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të siguroj numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe as për formimin e institucioneve të reja shtetërore.

Vlen të theksohet se Osmani ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit.

Publicisti Idriz Zeqiraj, në një prononcim për 'Bota sot', ka komentuar interesimin e partive politike për pozitën e presidentit të Kosovës.

Sipas tij, në shtetet demokratike, presidentët e suksesshëm zakonisht rizgjidhen, pavarësisht përkatësisë partiake.

Image
Idriz Zeqiraj

“Merakosja e subjekteve politike, për të zgjedhur Presidenten e Kosovës një vit më parë, nuk ka të bëjë me cilësinë, por me pazaret politike. Dhe, kjo është e pamoralshme, madje turpëruese për pazarxhinjtë. Shtetet me traditë demokratike, nëse një president është i suksesshëm, në detyrën e tij, nuk mendojnë largimin e tij, por, thjeshtë, vazhdimin e mandatit, pra, rizgjedhjen, pavarësisht përkatësisë partiake. Kur Presidenti i suksesshëm, Ronald Regan po e përmbyllte mandatin e dytë, edhe pse i kishte kaluar të 80-at, amerikanët kërkuan ndryshimin e Kushtetutës, për t`i dhënë mandatin e tretë”, ka thënë ai.

Zeqiraj ka theksuar se rrugëtimi politik i grave si Osmani, Gërvalla, Kusari dhe Haxhiu ka qenë i ndershëm dhe ka pasur një ndikim të rëndësishëm në procesin e emancipimit politik në Kosovë.

 “Rrugëtimi politik i Vjosë Osmanit, Donikë Gërvallës, Mimozë Kusarit, Albulenë Haxhiut, me simotrat e tyre, ka qenë fisnik dhe kanë ndikuar mençurisht, për emancipimin e klasës politike në Kosovë. Një nuse e zgjuar është edhe Melizë Haradinaj, qoftë në paraqitjet shkrimore, ashtu edhe në debate. Por, adresa partiake e saj ishte fatalisht e gabuar. Rreshtimi i serishëm në politikë, por në një subjekt të pa kriminalizuar, do të mirëpritej nga opinioni dardan.

Një vajzë tjetër i ngjiti shkallët e karrierës, paksa, artificialisht, megjithatë, dha shenja shkathtësie. Por, shefi i saj, duke qenë i implikuar në vepra të pista, për rrjedhojë i shantazhuar me dosje penalizuese, e cyti vartësen në abuzim të misionit që përfaqësonte, madje duke bërë lobimin  e kundërt, duke zvetënuar karrierën, deri në pa kthim. Kështu po rrezikon edhe një nuse tjetër institucionaliste, duke emituar një provinciale nga një parti e haraçit, e cila, në një takim jashtë Kosovës, glacoi sloganin `Zdravo!`,”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Zeqiraj ka sjellë fakte që mbështesin idenë se një grua duhet të jetë në drejtimin e shtetit.

 “`Pa emancipim të burrave, nuk ka emancipim të grave`,- porosiste njeriu i letrave, shumë dekada më parë, Sami Frashëri ynë. Udhëheqësi rus, i partisë-shtet, Nikita Hrushov, në vitet `60-a, thoshte se Bashkimit Sovjetik i duhet një grua, për drejtimin e shtetit, sepse janë më të arsyeshme, më njerëzore se sa burrat, të cilët, përgjatë sundimit po kthehen në diktatorë, në mizorë. Sipas një studimi të një grupi të shkencëtarëve anglezë, ka rezultuar se femrat kanë inteligjencë më të lartë se sa meshkujt”, ka shpjeguar ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat