Kriza politike – Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme?

Politika

Kriza politike – Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme?

Nga: P.R. Më: 4 maj 2025 Në ora: 22:10
Kuvendi i Kosovës

Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja, edhe tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Pas dhjetë tentimesh, ka dështuar zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës – një post për të cilin partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun. Emri i saj është refuzuar nga opozita, duke e futur vendin në një krizë të thellë politike.

Sipas analistit politik Gani Qarri, për këtë krizë është përgjegjëse e gjithë klasa politike në Kosovë.

“Realisht, duke pasur parasysh se edhe sot, në parlamentin tonë, kemi deputetë që kanë votuar për faljen e tokave të Kosovës vendeve fqinje, kanë miratuar në Kuvend ‘Zajednicën’ antikushtetuese serbe dhe Gjykatën Speciale, unë nuk besoj se njerëz të tillë janë të vullnetit të mirë për të konstituuar Kuvendin dhe për të formuar institucionet e reja të Republikës së Kosovës. Kështu që populli duhet ta kuptojë sa më parë se, përveç dëmtimit të imazhit të vendit përmes pengimit të formimit të institucioneve, Kosovën po e dëmton më së shumti prania në politikë dhe në Kuvend e politikanëve të shantazhuar, të dyshimtë dhe të përfshirë në aventura të rrezikshme që cenojnë integritetin territorial dhe kushtetues të vendit,” tha Qarri.

Image
Gani Qarri

Si zgjidhje të vetme, ai sheh shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sot, 26 vite pas luftës me Serbinë, kemi ende politikanë si Ramush Haradinaj, i cili pas dhurimit të Kullës dhe Çakorrit me 8300 hektarë tokë autoktone Malit të Zi, në vend të integrimit të pakicave, akuzon të tjerët për bashkëpunim me Serbinë, ndërkohë që vetë është shprehur publikisht për formimin e ‘Zajednicës’ dhe komunës gorane të Duda Baljes. Pas saj mund të pasojnë komuna hashkalike, boshnjake, egjiptase, rome apo edhe ‘bullgare’, që do të copëtonin më tej shtetin e Kosovës. Prandaj, partitë kryesore duhet urgjentisht të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të reja, për të pastruar skenën politike nga figurat e dyshimta,” thekson ai.

Qarri shton se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova është futur në një gjendje të pasigurt, të cilën e quan “gjendje PAT”, një situatë ku nuk ka zgjidhje të qëndrueshme për shkak të mungesës së konsensusit.

“Sot, edhe nëse ndonjëra parti lëshon pe, kjo nuk do të sillte institucione të qëndrueshme. Prandaj, duhet një marrëveshje konstruktive për një kandidat konsensual për kryetar të Kuvendit dhe, menjëherë pas konstituimit, Kuvendi duhet të marrë vendim unanim për përsëritjen e zgjedhjeve. Kjo është e vetmja zgjidhje që do t’i jepte fund kësaj maskarade të pafund, përmes votës së lirë të qytetarëve”, shtoi Qarri.

Por a duhet që Lëvizja Vetëvendosje të propozojë dikë tjetër në vend të Albulena Haxhiut për të tejkaluar krizën?

“Tani po shihet qartë se edhe nëse propozohet një emër tjetër, si Glauk Konjufca apo Mefail Bajçinovci, nuk ka garanci që opozita do ta votojë. Prandaj, për sa kohë që mbretëron kjo pasiguri, vetëm përsëritja e zgjedhjeve do të ofronte një zgjidhje të vërtetë. Vetëm kështu mund të krijohen konstelacione të reja politike që mundësojnë jo vetëm zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit, por edhe formimin e një qeverie të re, me legjitimitet të plotë për të marrë vendime të rëndësishme – sidomos tani, pas rikthimit të Donald Trump në krye të SHBA-së,” përfundon Qarri për "Bota Sot".

Kujtojmë se seanca konstituive pritet të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat