Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzitore dhe “unifikuese”.
Propozimi i Abdixhikut vjen pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.
Kësisoj, Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.
“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi, i cili për “Bota sot” analizoi fillimisht ftesën e Kurtit dhe më pas edhe refuzimin e Abdixhikut.
“Lumir Abdixhiku mori nga Albin Kurti të hënën një letër me kërkesën për koalicion të përbashkët qeverisës, ndërsa të martën dha përgjigjen. Përgjigja është refuzuese. Ndërsa Kurti i thoshte kreut të Lidhjes Dempokratike të Kosovës se shpreh dëshirën të qeverisin së bashku, ky i fundit në përgjigje thotë se “duhet një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”! Pra se Abdixhiku dëshiron të shkojë në zgjedhje të reja. Nuk dëshiron të kyçet në qeverisjen e Kosovës me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen.
Nuk ka rëndësi se kush kë ftoi më përpara në një koalicion qeverisës. Natyrshëm zotin Kurti e ngarkoi sovrani të krijojë qeverinë, por me koalicion me njërën prej partive politike opozitare. Ndryshe nuk do të kishim dhe nuk mund të ketë institucione të qëndrueshme. Por Lumir Abdixhiku e refuzoi ofertën e Vetëvendosjes, e cila logjikisht mund t’i drejtohej fillimisht Partisë Demokratike të Kosovës për një koalicion të tillë”, nënvizoi profesori.
Për këtë, Bytyçi vlerëson se kryetari i LDK-së nuk ka marrë vendim të duhur, derisa tha se këtë e bëri pa u konsultuar me gjithë strukturën e partisë.
Madje, ai beson se Abdixhiku këtë përgjigje e ka dhënë, duke marrë parasysh këshillën e Isa Mustafës.
“Unë e shoh përgjigjen e zotit Abdixhiku të shpejtuar e të pakonsultuar me partinë e aq më pak me bazën e saj. Jam i bindur se anëtarët e Lidhjes Demokratike në shumicë e duan LDK-në në qeverisje. Abdixhiku nuk e dëshiron partinë që drejton në qeverisje, sa dëshiron Lumirin kryeministër. Ai nuk do t’ia dijë se sovrani nuk ia ka besuar atë detyrë kreut të LDK-së, sepse i ka dhënë më shumë se dyfish vota më pak sesa koalicionit të Vetëvendosjes. “Megjithatë, thotë Lumiri, kur Ramushi u bë kryeministër me 10-12 deputetë, pse të mos bëhem edhe unë me 20 deputetë”?! Ndaj dhe nuk duhen yhvilluar politika me precedentë. Sepse më pas bëhen normë.
Kur themi se kryetari i Lidhjes Demokratike e ka dhënë këtë përgjigje krye më veti, kam parasysh edhe këshillën e zotit Isa Mustafa, kur tha se koalcionet i përcakton Këshilli i Përgjithshëm, gjithnjë sipas statutit. Por kjo nuk u diskutua në këtë organ të partisë së ftuar për koalicion. Me kë u konsultua kryetari? Me pak politikanë të LDK-së, saktësisht me ata që kanë qenë dhe janë kundër çdo bashkëpunimi të kësaj partie me partinë e Albin Kurtit. Sepse ai e kishte fiksuar vetë në tru se “O kryeministër, ose rashë e vdiqa”!” – shpjegoi ai.
Krahas kësaj, profesori përgjigjen e Abdixhikut në tërësi e cilësoi si denigruese dhe të pamatur politikisht.
“Përgjigja është gjithashtu deri diku denigruese. Sipas kësaj përgjigje Lumiri dëshiron të përcaktojë vijën politike të gjithë spektrit politik, përfshirë dhe dy partive me më shumë vota e deputetë sesa ai. Në vend që të përgjigjej pozitivisht, Lumiri ka marrë përsipër rolin përcaktues në zhvillimet politike në Kosovë, edhe pse këtë rol nuk ia ka dhënë sovrani, populli. Nuk ka dhënë mendim, por ka bërë ftesë për të diskutuar për qeveri tranzicioni. Që do të thotë se kryetari i LDK-së e sheh veten mbi “kapacitetet e Kurtit e Krasniqit”! Prandaj them se përgjigja është denigruese dhe jo e matur. Pra, përveçse e pakonsultuar me LDK-istët është edhe e pamatur politikisht”.
Tutje, Bytyçi me këtë veprim po e shtyn një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së, ku kjo gjë do ishte jo e duhur jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë partinë që e udhëheq Abdixhiku.
Kësisoj, në këtë pikë, përmendi edhe një ndikim të mundshëm të Edi Ramës tek Abdixhiku, për ta refuzuar politikisht Kurtin.
“Kësisoj me këtë përgjigje zoti Lumir Abdixhiku ka bërë autogol. Mund të nxisë një koalicion midis Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Gjë që do të ishte jo produktive për Kosovën dhe e dëmshme për Lidhjen Demokratike. Mospranimi për bashkëqeverisje të LDK-së me Vetëvendosjen prish ekuilibrat në Kosovë. Në fakt këto ekuilibra i prishi vetë Lidhja Demokratike e Isa Mustafës në vitin 2020, kur pas 50 ditësh bashkëqeverisje me Kurtin e prishi atë koalicion për hatër të Hashim Thaçit dhe Richard Grennell. Dhe vazhdon të njëjtën linjë sot, edhe pse Thaçi gjendet prej gati pesë vitesh në Hagë dhe Grennell bëhet garant i Vuçiq për takime me Trump si dhe i Ramës për takime me djalin e Trump. Por që dështoi në këto aventura korruptive.
Heeee! Më doli sërishmi emri i Edi Ramës! Është pikërisht ky, Edi Rama, që e ka bindur Lumir Abdixhikun të mos afrohet në bashkëqeverisje me Kurtin dhe bën të tilla akrobacirash me kërkesa absurde. Rama ndërkohë po ia bën shërbimet e fundit Aleksandër Vuçiq, duke ndikuar në krizën institucionale të Kosovës me ndrërhyrje brutale për moskrijimin e institucioneve. Të dy këta, Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, janë tashmë në fund të jetës së tyre politike dhe duan të zvarriten me thonj e me këmbë në tregon politik të përfunduar prej tyre. Janë këta të dy q më në fund i kanë marrë mesazhet e prera se nuk mund të jenë partnerë të SHBA-ve të Donald Trump, derisa u bënë kavie eksperimentale e Antony Blinken të Sorosit”, potencoi ai.
Në fund, profesori shtoi se nëse Kurti e pranon ofertën për qeveri tranzitore, atëherë LVV do të dobësohet.
“Prandaj dhe këta shfrytëzojnë ndikimin e tyre te njerëzit kryesor në Lidhjen Demokratike e në Partinë Demokratike, po ashtu të AAK-ja, që Albin Kurti të dështojë në ndërtimin e institucioneve të vendit. Me këtë dështim të Kurtit për hesapet personale të Ramës, Vuçiq dhe Grennell, ata besojnë se në zgjedhjet e reja të ardhshme Vetëvendosje dobësohet edhe më shumë. Nëse Kurti pranon qeveri tranzitore, mund të dobësohet. Por kryeministri në detyrë duhet ta çojë vendin menjëherë në zgjedhje, pas 45 ditësh dhe ta testojë tani forcën politike të tijën dhe të kundërshtarëve të vet. Qeveritë e tranzicionit vetëm se i zgjasin dhimbjet e ndikimit të krizës institucionale në Kosovë”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.