LDK refuzon ftesat e VV-së: Strategji opozitare apo pengesë për dalje nga kriza?

Politika

LDK refuzon ftesat e VV-së: Strategji opozitare apo pengesë për dalje nga kriza?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 7 maj 2025 Në ora: 09:55
Foto ilustrim

“Jo” i ka thënë LDK-ja thirrjes së kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të LVV-së Albin Kurti për një marrëveshje politike.

Gjatë ditës së hënë, kur Kuvendi dështoi të konstituohej për të njëmbëdhjetën herë me radhë, ftesa e Kurtit drejtuar Abdixhikut u pa si “një dritë në fund të tunelit”.

“Po ju drejtohem me këtë letër, meqë ende nuk kemi pasur mundësi të takohemi. Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së fundmi, kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, veçanërisht në lidhje me konstituimin e Kuvendit, nevojitet një marrëveshje politike. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, dua të shpreh gatishmërinë time për një marrëveshje politike me LDK-në, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate dhe të krijimit të institucioneve të reja. Është e vërtetë që mes nesh ekzistojnë dallime në bindje politike dhe në qasjen qeverisëse. Por koalicionet, në vetvete, bëhen pikërisht mes palëve që kanë dallime, duke vënë në plan të parë interesin e shtetit dhe nevojat e qytetarëve”, kështu fillon letra e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Tutje, Kurti në letër i ka kujtuar LDK-së se nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse, gjersa ka shtuar se mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato.

Letra e Kurtit është e treta thirrje që i drejtohet LDK-së dhe kjo e fundit për të tretën herë ka refuzuar.

Por, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në përgjigjen drejtuar thirrjes për koalicione, ka propozuar një qeveri  nacionale të tranzicionit.

“Në përputhje me këtë, LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik. LDK propozon nisjen e këtij procesi konsultativ me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim formimin e Qeverisë nacionale të tranzicionit. Një qeveri me afat të caktuar deri në zgjedhjen e presidentit të ri. Për këtë si kryetar i LDK-së jam i gatshëm të takohem me të gjitha partitë politike shqiptare, te ndihmoj në këtë proces dhe ftoj dhe zotin Kurti si dhe liderët e tjerë një takim të radhës kurdo që e shohin të arsyeshme”, ka thënë Abdixhiku.

Refuzimi i Abdixhikut a e bën LDK-në bllokuese dhe shkaktare të krizës politike?

Lëvizja Vetëvendosje me peshën kryesore

Për këtë ka folur sekretari i AKR-së dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Vesel Makolli, i cili thotë se për bllokadën peshën kryesore e mban Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, ka dallime në figurat e Kurtit në pushtet dhe opozitë.

Image
Vesel Makolli

“Për bllokadën aktuale në Kuvendin e Kosovës, përgjegjësia kryesore bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe në veçanti mbi Albin Kurtin. Sipas çdo logjike politike dhe demokratike, përgjegjësia duhet të ndahet në proporcion me fuqinë elektorale që partitë përfaqësojnë në Kuvend. Duke qenë se VV ka shumicën relative dhe është subjekti që synon të marrë qeverisjen, ajo mban peshën kryesore për zhbllokimin institucional.

Në këtë kontekst, është e nevojshme të bëhet dallimi mes dy figurave të Albin Kurtit: ai i opozitës, që bëri gjithçka për të ardhur në pushtet — përmes premtimeve të mëdha dhe sulmeve të ashpra, shpesh edhe personale, ndaj kundërshtarëve politikë — dhe Albini i pushtetit, që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet madhore të bëra. Përkundrazi, me veprime të pamatura ndaj faktorit ndërkombëtar dhe me moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, ai ka vënë në pikëpyetje raportet me aleatët strategjikë të Kosovës, duke e ulur reputacionin ndërkombëtar të vendit në nivelet më të ulëta të mundshme”, deklaron Makolli.

Bashkëpunimin me Kurtin, Makolli e sheh sfidë me të panjohura, gjersa shton se ftesa e Kurtit ndaj LDK-së në përmbajtje ka qëllim nënçmues.

“Konsistenca, besueshmëria dhe përmbushja e zotimeve nga ana e z. Kurti lënë shumë për të dëshiruar. Në këtë rrethanë, çfarëdo forme bashkëpunimi me të dhe me VV-në është një sfidë me shumë të panjohura dhe rrezikon të kthehet në një kurth politik për cilindo subjekt që do të pranonte të bashkëqeveriste me të. Kemi të bëjmë me një lider tejet kontradiktor, për të cilin fjalët "po" dhe "jo" shpesh kanë kuptim identik. Ftesa që Kurti i ka dërguar LDK-së, përveç fasadës miqësore, në përmbajtje lë të kuptohet për një qëllim nënçmues dhe përçarës. Prandaj, është shumë e vështirë t’i thuhet "po" kësaj ftese, pa vendosur më parë disa kushte të qarta dhe të panegociueshme”, shton Makolli.

Përgjigjja e LDK-së dhe kryetarit Abdixhiku është në frymën e ruajtjes së unitetit të opozitës dhe në të njëjtën kohë, është rikthim i përgjegjësisë rikthejë përgjegjësinë aty ku realisht qëndron: te Vetëvendosje. Është kjo parti, përmes veprimeve dhe ngurrimit të saj për të përmbushur obligimet ndërkombëtare, që po bllokon zhbllokimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja. Propozimi i tyre është i drejtë dhe gjithëpërfshirës, kjo sepse do të ishte angazhimi i tri partive të mëdha për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e krizës institucionale. Kushti themelor duhet të jetë që pozita e Kryeministrit t’i takojë opozitës, si një kompromis i drejtë dhe i balancuar në rrethanat aktuale”, përfundon ai.

Koalicion, dallime, qëndrime

Ndërsa, analisti Ali Hertica, sheh dallime në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai letrën e Kurtit e quan përmirësim imazhi, gjersa shton se LDK ka qenë shtylla e shtetformimit të Kosovës dhe nuk e Meriton një trajtim të tillë.

Image
Ali Hertica

“Letra që Kurti i ka dërguar Abdixhikut për një koalicion të mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së, që do të zhbllokonte Kuvendin dhe do të mundësonte formimin e qeverisë së re, paraqet më shumë një veprim formal dhe simbolik sesa një përpjekje reale për bashkëpunim politik. Kjo iniciativë ka për qëllim përmirësimin e imazhit të Kurtit në publik si një lider "bashkëpunues", por në të vërtetë, është një lëvizje taktike pa thelb konkret. Ironikisht, Kurti i drejtohet me letra dhe thirrje për bashkëpunim atyre që më parë i ka quajtur “bashkëpunëtorë të Serbisë”, “mbetje të regjimeve të vjetra” apo “hajvana politikë”. Kjo hipokrizi është veçanërisht shqetësuese për qytetarët dhe përkrahësit e LDK-së që e kujtojnë mirë se si ai, në fushata të ndryshme, ka sulmuar ashpër këtë subjekt dhe liderët e saj me gjuhë rrugaçërore e fyese. Nuk duhet harruar se LDK-ja ka qenë shtylla e shtetformimit të Kosovës, dhe si e tillë nuk e meriton këtë trajtim”, deklaron Hertica.

Ai kërkon që LDK të qëndrojë e palëkundur në qëndrimet e saj dhe kësisoj duhet ta refuzojë Kurtin.

“Dallimet mes VV-së dhe LDK-së nuk janë vetëm programore, por edhe ideologjike, kulturore dhe intelektuale. Këto dy subjekte funksionojnë mbi baza krejt të ndryshme të perceptimit politik dhe institucional. LDK duhet të qëndrojë e palëkundur në qëndrimet e saj dhe e lidhur fort me elektoratin besnik, që ka besuar në vlerat dhe seriozitetin e kësaj partie. Për këtë arsye, përgjigjja e LDK-së ndaj letrës së Kurtit duhet të jetë një refuzim i qartë dhe klasik, pa hezitim dhe pa nevojë për diskutime të mëtejshme mbi një bashkëpunim që nuk ka bazë reale. LDK nuk është parti bllokuese, por është e përkushtuar për zbatimin e Kushtetutës dhe për funksionimin e institucioneve të shtetit, sipas vlerave demokratike. Përballë zgjedhjeve të ardhshme, ajo duhet të qëndrojë e qartë në pozicionet e saj dhe të mos bie pre e manovrave politike që kanë për qëllim vetëm mbijetesën e një qeverie në ikje”, përfundon analisti.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të fitojë shumicën absolute parlamentare dhe për këtë i nevojitet një partner koalicioni për të qeverisur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat