Ndërkohë që Kosova prej tre muajsh është futur në një krizë politike, në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët ndër të tjera akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Tashmë ka përfunduar dëshmia e të gjithë dëshmitarëve të Prokurorisë, dhe që nga 15 prilli ka nisur dëshmia e dëshmitarëve të mbrojtjes së të akuzuarve.
Megjithatë, mbrojtja ka kërkuar në vazhdimësi disa herë lirimin me kusht të të akuzuarve dhe vendosjen e tyre në arrest shtëpiak, kërkesë kjo që është refuzuar kategorikisht nga Gjykata Speciale.
Lidhur me këtë kërkesë të mbrojtjes dhe refuzimin nga Specialja, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Faton Mehmeti.
“Është e drejtë e mbrojtjes të kërkojë lirimin e të akuzuarve në kohën kur dëshmitarët e Prokurorisë veçse kanë përfunduar dëshminë. Por kjo gjë nuk mund të ndodhë, pasi Prokuroria mbështet arsyetimin e saj në mundësinë e ikjes së të akuzuarve ose tentimin për të ndikuar tek dëshmitarët e mbrojtësit të viktimave, në rastin e Thaçit për pengim të drejtësisë,” deklaron Mehmeti.
Sipas tij, pengimi dhe rrezikimi i dëshmitarëve mbetet padyshim një nga arsyet kryesore pse Specialja po refuzon lirimin me kusht të të akuzuarve.
“Pra, Thaçi është edhe në një proces tjetër për pengim të drejtësisë, ndikim te dëshmitarët – çka i mundëson Prokurorisë të paraqesë këtë si fakt, dhe Gjykata ta aprovojë një vendim të tillë. Kështu bie poshtë ideja e lirimit me kusht të të akuzuarve, për shkak të arsyeve të përmendura më lart,” thekson Mehmeti.
Më tej, ai parashikon se Thaçi dhe të tjerët do të vazhdojnë të mbeten në burg deri në verdiktin final të Speciales, i cili pritet të jepet deri në fund të këtij viti.
“Në rrethana të tjera ndoshta edhe mund të ishte pranuar një kërkesë e tillë, pasi Prokuroria veçse ka përfunduar me dëshmitarët e saj. Por Thaçi dhe të tjerët do të mbesin në burg deri në përfundimin e procesit, që parashikohet të përmbyllet në fund të këtij viti, kur edhe do të jepet verdikti final.”
“Edhe këtu kam dilema nëse mund të ndodhë ndonjë lirim, ngase dëshmitë janë të shumta dhe akuza është për vrasje, maltretim dhe keqtrajtim të mbi 100 personave. Gjithsesi, të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të gjykimit,” përfundon analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.