Kanë mbetur edhe dy ditë që nga dita kur qytetarët shqiptarë do të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare.
Fushata tashmë ka filluar të bëhet më “e ashpër” me akuza e kundër akuza.
Në anën tjetër, dy ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përcjellë një mesazh për qytetarët shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson rëndësinë e votës si një mjet për të ndikuar në të ardhmen.
“Vota jote është zëri yt. Vota jote është e ardhmja jote. Vota jote nuk ka çmim”, është thirrja drejtuar çdo qytetari me të drejtë vote.
Analisti Milaim Nela, ka folur për “Bota sot” rreth zgjedhjeve të 11 majit që sipas tij po zhvillohen në kushtet krejt të pazakonta.
“Të dielën do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Shqipëri. Çfarë pritet nga këto zgjedhje? Ato zhvillohen në kushte krejt të pazakonta. Zgjedhjet po zhvillohen në një situatë kur vendi ka rënë në autokraci të plotë dhe të gjitha institucionet që presupozohen të jenë të pavarura nga njëra-tjetra, në fakt varen nga një njeri i vetëm – Kryeministri Edi Rama.
Këtu kam parasysh institucionet qendrore që përbëjnë shtetin, si Presidenti, që është krejtësisht formal dhe thjesht një noter i qeverisë.
Kuvendi, po ashtu, kontrollohet nga Edi Rama dhe ai as që paraqitet në Kuvend për t’u ballafaquar me opozitën, e cila është krejt e dobët. As e drejta e fjalës nuk i lejohet opozitës, pasi me votë nuk mund të ndryshojë apo ndikojë asgjë.
Gjykatat, përfshirë sistemin e ri të Prokurorisë dhe Gjykatën Speciale që presupozoheshin të hetonin zyrtarët e lartë, janë në kontroll të plotë të Kryeministrit. Askush nuk hetohet apo dënohet pa miratimin e tij.
Të mos harrojmë që shefi i opozitës dhe kryetari i partisë më të madhe opozitare u mbajt për 11 muaj në arrest shtëpiak pa asnjë akuzë bindëse, dhe tre kryetarët e partive kryesore opozitare janë me akuza ose në burg.
Media, që presupozohen të jenë të pavarura dhe të mbrojnë interesin publik, kontrollohen nga oligarkë dhe klientë të qeverisë, dhe i paraqesin popullit një pamje që nuk përputhet askund me realitetin faktik. Çdo natë, në orarin kryesor televiziv (Prime Time), analistë të superpaguar lyejnë me ngjyra të bukura qeverinë dhe sulmojnë e fajësojnë opozitën. Pra, kjo është klima zgjedhore”, deklaron Nela.

Risi në këto zgjedhje janë votat e mërgatës përmes votimit me postë, por sipas Nelës, kjo është mënyra më e pasigurt dhe më e manipulueshme nga qeveria.
“Shqipëria ka sistemin më absurd zgjedhor, ku dy të tretat e listës së deputetëve praktikisht emërohen nga kryetarët e partive. Zgjedhjet janë për vetëm rreth 40 kandidatë që do t’u duhet të luftojnë më shumë kundër njëri-tjetrit brenda partisë së vet sesa me rivalët e partisë tjetër.
Partia në pushtet kontrollon votuesit përmes një sistemi patronazhi që e quan "Aktiv1sti", që është një bazë të dhënash me informacionet personale të marra nga e-Albania, ku ruhen të dhënat e gjithë qytetarëve shqiptarë. Përmes këtij sistemi dhe këtyre të dhënave, kontaktohen qytetarët, sidomos ata me bindje të ndryshme politike, dhe shantazhohen apo detyrohen të votojnë për partinë në pushtet. Në shumë raste, u merren dokumentet personale për t’ua pamundësuar votimin dhe ato u kthehen vetëm pas zgjedhjeve. Në çdo vend tjetër të botës, kjo do të ishte një skandal që do të rrëzonte çdo qeveri dhe do të hapte një hetim të madh. Risia në këto zgjedhje është vota e mërgatës përmes votimit me postë, por që, për mendimin tim, është mënyra më e pasigurt dhe më e manipulueshme nga qeveria, sepse nuk ka asnjë garanci që kjo votë nuk do të tjetërsohet nga patronazhistët e regjimit autokratik. Megjithatë, kjo mbetet për t’u pare”, shprehet analisti.
Qytetarët duke e kuptuar që janë nën kontroll dhe të shatazhuar, sipas Nelës, nuk i besojnë askujt për të dhënë një përgjigje të sinqertë rreth sondazheve.
“Duke pasur parasysh klimën e përshkruar më sipër dhe median e kontrolluar, edhe sondazhet nuk janë aspak të besueshme. Qytetarët, duke e kuptuar që janë nën kontroll dhe të shantazhuar, nuk i besojnë askujt për të dhënë një përgjigje të sinqertë. Sondazhet që i serviren publikut dhe i shiten si të pavarura përpunohen në zyrat e qeverisë dhe kanë për qëllim të demotivojnë opozitën. Sistemi është kaq i kontrolluar, saqë partia në pushtet, pasi planifikon sa do të fitojë dhe ku, nxjerr sondazhin për të justifikuar manipulimin e votës dhe më pas thotë: “Ja, e vërtetoi edhe sondazhi.””, nënvizon Nela.
Duke komentuar fushatën e partive politike, Nela thotë se po zhvillohet në kushtet krejt të pabarabarta.
Ai shton se pavarësisht vullnetit të një numri të madh votuesish që kërkojnë ndryshim, patronazhimi dhe autokracia – që tashmë ka arritur nivele të ngjashme me ato të Rusisë së Putinit – përbëjnë pengesa shumë serioze për një ndryshim të vërtetë
“Është shumë e vështirë të flasim për fushatë normale në Shqipëri, kur gjithçka zhvillohet në kushte krejt të pabarabarta. Sistemi kriminal i patronazhit e bën fushatën dhe premtimet krejt të pavlera. Opozita, megjithëse në kushte tepër të vështira, ka paraqitur një program të detajuar për të ndaluar shpopullimin masiv të shqiptarëve – që është plaga më e madhe e vendit – uljen e taksave dhe kostos së jetesës, rritjen e pensioneve dhe premtimin për herë të parë për vendosjen e një minimumi jetik. Nga ana tjetër, partia në pushtet ka ardhur në këtë fushatë me tezën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda viteve 2027–2030, që, duke pasur parasysh mënyrën se si funksionon ky proces, është sa absurde, aq edhe e pabesueshme. Partitë e reja, shumica prej tyre të sponsorizuara nga regjimi, janë krijuar vetëm për të copëtuar votën opozitare. Ato bëjnë premtime nga më jorealistet, por në thelb janë në lojë vetëm për të dëmtuar opozitën dhe për të zgjatur regjimin e Edi Ramës. Shpresoj që shqiptarët ta kuptojnë këtë lojë dhe të dinë ta orientojnë votën e tyre më 11 maj. Pavarësisht vullnetit të një numri të madh votuesish që kërkojnë ndryshim, patronazhimi dhe autokracia – që tashmë ka arritur nivele të ngjashme me ato të Rusisë së Putinit – përbëjnë pengesa shumë serioze për një ndryshim të vërtetë. Dhe nëse ky ndryshim nuk lejohet më 11 maj, atëherë vendi do të futet në një spirale të re pasigurie, ndërsa hemorragjia e popullsisë do të vazhdojë me ritme të larta”, përfundon analisti.