Dita e Evropës në Kosovë është festë zyrtare, derisa shënohet edhe me aktivitete të ndryshme, me qëllim promovimin e vlerave evropiane dhe afrimin e mëtejshëm të vendit me familjen evropiane.
Kjo ditë u vendos në përkujtim të Deklaratës së Schuman-it, të bërë më 9 maj 1950 nga ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, i cili propozoi një formë të re bashkëpunimi politik dhe ekonomik në Evropë — një hap kyç drejt krijimit të Bashkimit Evropian.
Deklarata e Schuman-it konsiderohet si themeli i integrimit evropian dhe si një pikënisje për ndërtimin e një Evrope të bashkuar, paqësore dhe pa kufij të brendshëm.
Në këtë ditë, të gjitha shtetet anëtare të BE-së organizojnë aktivitete të ndryshme si koncerte, ekspozita, aktivitete kulturore dhe sportive, për të festuar arritjet e përbashkëta dhe për të nxitur më tej bashkëpunimin evropian. Edhe institucionet evropiane hapin dyert për qytetarët, duke ofruar mundësi për t’u njohur më nga afër me punën dhe vlerat e BE-së.
Megjithatë, ndonëse Kosova e ka festë zyrtare Ditën e Evropës, fatkeqësisht ende nuk është pjesë e BE-së, derisa edhe proceset për integrim nuk duken të jenë të lehta.
Sa i përket integrimit të plotë të Kosovës në strukturat e BE-së, ka sfida të shumta, si dhe kushte nga më të ndryshmet.
Një nga pengesat më të mëdha të integrimit ndërkombëtar për vendin tonë, po del të jetë dialogu me Serbinë, i cili ka stagnuar tash e një kohë.
E në lidhje me sfidat dhe proceset integeruese të Kosovës në “familjen” e Bashkimit Evropian, folën njohësit e çështjeve ndërkombëtare.
Agon Batusha: Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian

Së pari, ish-deputeti nga radhët e LVV-së, Agon Batusha u shpreh se shteti ynë mbetet i përkushtuar në integimin në BE, derisa përmendi disa sinjale pozitive që ka marrë Kosova së fundi.
Ndër to, përmendi liberalizimin e vizave, si dhe hyrjen e Kosovës në një numër të madh programesh të BE-së.
“Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Përmbushja në masë të madhe e Agjendës së Reformave Evropiane është një sinjal pozitiv dhe i qartë për Bashkimin Evropian nga ana e shtetit tonë.
Duhet të kujtojmë se liberalizimi i vizave është arritur pas një procesi të stërzgjatur dhe të ngarkuar me dyfishin e kritereve në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Sepse, si në çdo proces integrues, për Kosovën rruga është më e vështirë, më sfiduese dhe shpeshherë më kërkuese sesa për fqinjët tanë.
Një nga sukseset e rëndësishme të viteve të fundit është hyrja e Kosovës në një numër të madh programesh të BE-së, duke i dhënë qytetarëve tanë – bizneseve, studentëve, artistëve dhe të rinjve – mundësi konkrete për zhvillim, rrjetëzim dhe qasje në fonde që nxisin inovacionin dhe investimet”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, tha se dialog me Serbinë është një sfidë në vete, që ndikon në proceset integruese të vendit.
Në këtë pikë, përmendi ehde zhvillimet e fundit gjeopolitike, si dhe mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së.
“Dialogu me Serbinë mbetet ndër sfidat kryesore në këtë proces, dhe dinamika e re gjeopolitike në Evropë nuk ka ndihmuar që Kosova të ecë përpara me hapa meritorë drejt BE-së. Megjithëse, Kosova është shteti i vetëm aspirant që ende nuk ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, unë besoj fuqishëm se ajo e meriton këtë status.
Megjithatë, mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe ndryshimet në qëndrimet gjeostrategjike të disa shteteve e kanë vështirësuar këtë rrugë”, shpjegoi ish-deputeti.
Në fund, ai tha se Kosova ka vullnet institucional për të përmbush kriteret për anëtarësim në BE.
“Kosova, qytetarët dhe institucionet e saj kanë vullnetin, gatishmërinë, përkushtimin dhe kapacitetin për të ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe për të përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, përfundoi Agon Batusha për “Bota sot”.
Alma Lama: Dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm dhe normalizimi i raporteve është një nga kushtet e integrimit

Ndërsa, ish-deputetja dhe diplomatja, Alma Lama tha se çështja kyçe që e pengon Kosovën në intergrimin evropian është mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së.
“Përsa i përket integrimit të Kosovës, pengesa kryesore në aspektin procedural dhe politik është mosnjohja e pesë vendeve të BE-së. Kosova ka dërguar kërkesën për aplikim, por ajo nuk është marrë në shqyrtim nga BE deri tani. Ka vetëm deklarata politike për perspektivën europiane të rajonit dhe Kosovës, si pjesë e tij”, tha ajo për “Bota sot”.
Gjithashtu, diplomatja komentoi edhe ndikim e dialogut me Serbinë dhe faktin që është një kusht kyç për të hyrë në BE.
“Dialogu me Serbinë është shumë i rëndësishëm dhe normalizimi i raporteve është një nga kushtet e integrimit
Një dialog që përfundon me njohje reciproke do të ndikonte edhe në njohjen e pesë shteteve.
Aktualisht Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të sjelljeve jokonstruktive të qeverisë së Kosovës”, përmbylli Alma Lama për “Bota sot”.