Bllokada në Kosovë, vjen kërkesa për Vjosa Osmanin

Politika

Bllokada në Kosovë, vjen kërkesa për Vjosa Osmanin

Nga: P.R. Më: 12 maj 2025 Në ora: 08:00
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, por Kosova ende nuk ka një Kuvend funksional, pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk po merr votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në postin e kryeparlamentares.

Duke e parë krizën politike në të cilën është futur vendi, analistët politikë po kërkojnë ndërhyrjen e presidentes Vjosa Osmani, e cila shihet si garantuese e funksionimit të institucioneve shtetërore.

Të paktën kështu deklaron analisti dhe njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani.

“Është obligim kushtetues që ajo të merret me funksionimin e institucioneve. Sipas Kushtetutës, ajo garanton funksionimin e shtetit. Pra, ajo duhet t’i thërrasë dhe të zhvillojë negociata me partitë politike. Duhet të krijojë konsensus ndërpartiak për të gjetur një zgjidhje. Presidentja duhet të negociojë paralelisht formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. Ajo duhet të hartojë agjendën e takimeve me të gjitha partitë politike dhe të bisedojë edhe me liderët e tyre, veç e veç”, ka thënë Burjani për “Bota sot”.

Në rast të një ftese nga Osmani, Burjani thekson se të gjitha partitë politike duhet t’i përgjigjen asaj.

“Pra, ajo duhet t’i ftojë një nga një liderët, e pastaj të gjitha partitë bashkë për të negociuar zgjidhjen. Kjo është e mundshme. Të gjitha partitë duhet t’i përgjigjen ftesës për zgjidhje. Nëse nuk ka asnjë opsion që pranohet, duke filluar nga votimi për konstituimin e Kuvendit e deri te formimi i Qeverisë…”, përfundon Blerim Burjani për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat