As pas takimit të presidentes Vjosa Osmani me krerët e partive parlamentare të enjten, nuk është shënuar ndonjë përparim për zhbllokimin e ngërçit politik, i cili është shkaktuar nga dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës tre muaj pas zgjedhjeve.
Presidentja Osmani tha pas takimit se nuk ka pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se ka parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Osmani tha se ky ishte vetëm takimi i parë dhe paralajmëroi se takimet do të vazhdojnë edhe javën tjetër me secilin lider veç e veç, nëse është e nevojshme.
E në lidhje me këtë takim, për “Bota sot” ka folur eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Së pari, ai përmendi disa nga dëmet që iu faturohen Kosovës, shkaku i bllokadës së krijuar.
Madje, eksperti austriak tha se tani është koha që të japë Osmani dorëheqje nga posti i presidentes dhe të bëhet kryetare e Kuvendit, pasi sipas tij ky do ishte një gjest fisnik dhe do ta nxirrte vendin nga kriza, ndonëse e vlerësoi punën e saj si presidente.
“Kriza dhe ngërçi aktual po i kushton shtrenjtë Kosovës. Vetë Presidentja vlerëson kostot deri në 900 milionë euro.
Edhe më të larta janë kostot politike për dëmtimin e reputacionit të Kosovës brenda BE-së dhe NATO-s, pasi Kosova shihet si kaos dhe jo si demokraci e pjekur dhe klasa politike si e papërgjegjshme dhe e papjekur.
Tani është koha që Vjosa Osmani të thyejë ngërçin dhe të tregojë se është më e pjekura dhe më e përgjegjshmja nga të gjithë udhëheqësit dhe të japë dorëheqjen nga Presidenca.
Ky është një gjest fisnik, por ka mbetur vetëm një vit në mandatin e saj dhe ajo nuk ka asnjë mënyrë për t'u rizgjedhur pavarësisht performancës së saj të shkëlqyer dhe reputacionit të shkëlqyer në Evropë, Amerikë dhe botë, siç e ka treguar pritja e saj e fundit triumfale në Azi, Austri dhe Amerikë”, deklaroi ai.
Fehlingeri konsideron se kjo do ishte një mundësi shumë e mirë për ta thyer ngërçin e krijuar politik, me Osmanin kryeparlamentare dhe me një qeveri të përbërë nga partitë shqiptare, e cola do e minonte ndikimin e Listës Serbe dhe presionin e Grenellit.

“Mënyra më e mirë për të thyer ngërçin është që Vjosa Osmani të japë dorëheqjen dhe të njoftojë qëllimin e saj për të kandiduar si Kryetare e Parlamentit dhe që të gjitha partitë e shqiptarëve të Kosovës ta zgjedhin atë si Kryetare.
Kjo i ofron asaj një mandat të ri 4-vjeçar për të përfaqësuar Kosovën ndërkombëtarisht dhe për të vazhduar punën e saj të shkëlqyer për Kosovën në një rol të rëndësishëm.
Nevoja për të zgjedhur një President të ri shteti ofron një mundësi të re për udhëheqësit e Kosovës që të bien dakord për një koalicion të ri evropian midis Social Demokratëve VV dhe PPE-së, LDK-së Konservatore dhe PDK-së Liberale pa ndonjë rol pengues për Listën Serbe të drejtuar nga Vuçiç dhe pakicat e tjera.
Kjo do ta bëjë Kosovën më të fortë kundër ndikimit serb dhe do t'i lejojë Kosovës të gjejë aleatë më të fortë në familjet e partive evropiane dhe ta bëjë Kosovën të fortë kundër presionit të Grenellit”, nënvizoi ai.
Tutje, eksperti austriak kishte edhe një kandidat potencial për president, e që sipas tij është profesori Alush Gashi.
Kurse, sipas tij, kryeministër i një qeverie gjithëpërfshirëse do ishte Kurti, kurse Abdixhiku e Hamza zëvëndëskryeministra.
“Partitë duhet të bien dakord gjithsesi për një President me 80 vota dhe për këtë një burrë shteti i moshuar si Prof. Alush Gashi mund të jetë kandidati ideal për President, i pranueshëm për të gjitha palët ose për t'i kërkuar përsëri Pacollit, këtë herë për një mandat të plotë, por sigurisht dikush mjaftueshëm i vjetër për të bërë vetëm një mandat si President.
3 pretendentët për t'u bërë Kryeministër mund të bien dakord thjesht për madhësinë e partisë duke vendosur se kush do ta marrë Kryeministrin, dhe ky është Albin Kurti me 2 Zëvendëskryeministra nga LDK dhe PDK, Lumir Abdixu dhe Bedri Hamza. Ky është realiteti i rezultatit politik dhe zgjedhjet e reja do të rezultojnë në një rezultat të ngjashëm, prandaj bëhuni realistë dhe pranoni vullnetin e popullit”.
Në fund, Fehlinger shtoi se, tash ka mbaruar koha e lojërave për karrige të pushtetit dhe liderët poliitkë duhet të bëhen më serioz.
E këtë gjë, beson se mund dhe i takon ta bëjë presidentes Osmani.
“Tani duhet të bëhemi seriozë.
Koha për lojëra për karrige ka mbaruar.
Dëmi për Kosovën bëhet më i madh me çdo raund të ri votash të humbura.
A do ta kemi atë spektakël të trishtueshëm deri në tetor? Dhe pastaj zgjedhje të parakohshme që çojnë përsëri në një rezultat të ngjashëm dhe drama përfundon në tragjedi?
Jo, kjo nuk mund të ndodhë.
Është koha për të ndryshuar lojën dhe i takon znj. Presidente të ndryshojë situatën.
Nëse jo, do të jetë koha që Trump ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe kjo nuk do të na pëlqejë të gjithëve...”, përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.