“Presidentja ime e preferuar”!

Politika

“Presidentja ime e preferuar”!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 19 maj 2025 Në ora: 12:00
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja e Republikës së Kosovës ishte të premten e kaluar në Samitin e Komitetit Politik të Europës në Tiranë. E fisme, elegante, e artikuluar, e komunikueshme, si ajo. Aq sa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Mark Rutte, e komplimentoi me zemër, duke iu drejtuar publikisht me fjalët “Presidentja ime e preferuar”! Aq shumë ka hyrë ajo në zemrat e liderëve europianë, sa imponon të jetë preferenca e autoriteteve më të larta dhe më të rëndësishme të kontinentit dhe madje edhe të SHBA-ve. Ne kemi parë sesi presidenti amerikan, Donald Trump, ndalet vazhdimisht, përshëndetet dhe këmben me presidenten Osmani fjalë të ngrohta miqësie e simpatie. Po ashtu me presidentin e Republikës Turke, Rexhep Tayp Erdogan.

Dy presidentë në historinë e Kosovës kanë zënë vend me përparësi dhe preferencë në kancelaritë e Perendimit, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Vjosa Osmani. Edhe Fatmir Sejdiu e Ahtifete Jahjaga ishin të pëlqyer, përbashkues dhe të respektuar, por jo aq të preferuar sa Rugova dhe Osmani. Por le të kthehemi te vëmendja që krijon presidentja aktuale te liderët dhe autoritetet euro-amerikane. Është unike kjo që ndodh në këto kohë të vështira të Kosovës. Sepse ajo duket e vetmuar, më e vetmuar sesa Ibrahim Rugova, i cili asokohe kishte si mbështetje Shqipërinë.

Ashtu si në samite të tjera, edhe në këtë të fundit, presidentja e Kosovës foli hapur, drejtpërdrejt, me guxim, pa u ndrojtur aspak. U tha europianëve se “Ju po përkdhelni një aleat të Rusisë së Vladimir Putin e ndërkohë ndëshkoni me sanksione Kosvën, megjithëse është vendi më pro-europian në Ballkan”! E bëri Aleksandër Vuçiq të “fliste me veten” e të bënte viktimën me këtë konstatim sa të vërtetë aq edhe të drejtë. E si e tillë, e drejtpërdrejtë, kritike, por edhe racionale, ajo shihet si “Presidentja e preferuar”! Kjo sepse liderët e vërtetë euro-atlantikë e pëlqejnë të qenit i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Është një stil leximi e reflektimi njëkohësisht, kjo që bën Vjosa Osmani.

Karakteristika themelore e qëmdrimeve dhe performancës së presidentes Vjosa Osmani është të qenit në lartësinë e detyrës së saj në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës. “Njëherë dialog me Europën, më pas dialog me Serbinë”, artikuloi ajo. Eshtë pikërisht ajo që i duhet Kosovës, shtetit dhe lirisë së saj. Dhe në çdo rast në vëmendjen e saj janë interesat e vendit. Kjo do të thotë se Vjosa Osmani nuk ka përparësi vëmendjen e prestigjin e saj, por interesat e shtetit dhe të vendit të vet. Kjo do të thotë se gjithçka që ajo bën, gjithçka artikulon, shkon në dobi të Kosovës së pavarur e sovrane. Strategjia e presidentes së Kosovës është të shfrytëzojë çdo mundësi për ta mbajtur lart e shumë lart stekën e marrëdhënive të Kosovës më partnerët ndërkombëtarë e sidomos ata perendimorë.

Prej kohësh zonja Osmani ka marrë rol parësor në politikën e jashtme të vendit të saj, rol të cilin ia njeh kushtetuta e Kosovës. Ajo e luan këtë rol me mjeshtëri të jashtëzakonshme. Duket sikur tërheq vëmendjen për veten e saj, por mes indentitetit të Vjosa Osmanit dhe identitetit të Kosovës nuk ka asnjë diferencë. Ne kemi parë liderë që promovojnë më shumë veten e tyre, sesa interesat e vendit që përfaqësojnë. Kemi shembuj të freskët sesi egoja personale le anash interesat e shtetit e të demokracisë. Shohim se si liderë shqiptarë flasin me partnerët europianë për atë se si duhet të jetë e të duket Europa, sesa vetë Shqipëria. Vjosa Osmani nuk ka ambicie të mësojë të tjerët në shtëpinë e vet. Ajo thjesht dhe bukur, me etikë e në mënyrë estetike parashtron shqetësimet, brengat e dilemat që lidhen me fatin e Kosovës, të bendit që ajo përfaqëson.

Nëse e analizojmë në të gjitha dimensionet, në kuadër të performancës me ndërkombëtarët, Vjosa Osmani është një risi. Është një aset, për të cilin duhet që shqiptarët në Kosovë e kudo të ndjehen krenarë. Ajo ka mundur të neutralizojë shumë situatat e ndërlikuara në përpjekje për vendosjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit me ndërkombëtarët. Dhe kësisoj është bërë jo vetëm interprete e denjë për të mbrojtur sovranitetin shtetëror në veri, por edhe ta mbajë Kosovën të lidhur ngushtë me aleatët perendimorë. Madje ajo mundi që këta aleatë ta mbajnë atë si “presidenten e preferuar të tyre”!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat