Nga Bashkimi Evropian po bëhet thirrje vazhdimisht për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Për këtë ҫështje mendohet se do të flas nesër edhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, e cila do të qëndroj në Kosovë.
Pas Kosovës, zyrtarja evropiane do të vizitoj edhe Serbinë. Në Kosovë, ajo pritet të takoj përfaqësues të partive politike si dhe shoqërinë civile.
Për presionet e BE-së ndaj Kosovës, ka folur në një prononcim për ‘Bota sot’, profesori universitar Prof.Dr. Eshref Ymeri. Ai ka thënë se BE-ja tashmë e ka dëshmuar se qëndron në anën e Serbisë.
“Mos ua vini veshin dërdëllitjeve të Bashkimit Evropian, i cili e ka treguar me fakte se qëndron tërësisht në anën e Serbisë fashiste, kundër interesave jetësore të Republikës së Dardanisë. Si shqiptar, si dashamirës i popullit vëlla dardan, në një analizë, me titull “Kujt i hyn në punë dialogu me Serbinë?!”, të botuar më shumë se katër vjet më parë, ja çfarë pata theksuar shumë pëmbledhtas:
Dialogu me Serbinë që pati zhvilluar kasta e bandës së Thaçit, e meriton të hidhet poshtë kryekëput, se, së pari, ka qenë tërësisht kundër interesave jetike të vendit. Aq më tepër që ajo bandë tradhtare jo vetëm që nuk pati menduar kurrë për të ngritur padi kundër Serbisë, por pati pranuar madje që të krijohej bashkësia e komunave serbe, e cila, në të vërtetë, do të ishte një “republikë serbe”, si një shtet brenda shtetit, dhe që Gjykata Kushtetuese, me shumë të drejtë, e pati hedhur poshtë krijimin e asaj bashkësie. Së dyti, dialogu dinjitoz me Serbinë, në këndvështrimin tim, mund të fillojë vetëm pas plotësimit të tre kushteve themelore”, vlerëson ai.
Profesori Ymeri numëron kushtet që sipas tij, pa këto nuk duhet të vazhdohet dialogu me Serbinë.
“Kushti i parë: Serbia duhet të dalë me një pendesë publike para opinionit ndërkombëtarë dhe t’i kërkojë ndjesë Republikës së Dardanisë për gjenocidin e rëndë dhe për të gjitha shkatërrimet që kreu atje, të informojë për fatin e të zhdukurve, si edhe të njohë pavarësinë e Dardanisë. Kushti i dytë: Mbi bazën e dokumentacionit konkret, të parashtruar nga Kryeministri Albin Kurti, Serbia duhet të paditet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e rëndë dhe për të gjitha shkatërrimet që i shkaktoi popullit shqiptar të Dardanisë gjatë viteve të luftës dhe t’i kërkohet asaj Gjykate që Serbia t’i kompensojë financiarisht në mënyrë tërësore. Jo vetëm kaq, por, siç e parashtroi në programin e qeverisë Kryeministri Albin Kurti, Serbia duhet t’i kthejë Bankës Qëndore të Dardanisë 3 miliardë euro që i pati grabitur si depozita të qytetarëve, dhe 400 milionë euro të pensioneve. Kushti i tretë: Serbia, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të kalojë në Bankën e Shtetit të Republikës së Dardanisë kompensimin e plotë financiar të krimeve, të shkatërrimeve dhe të grabitjeve të lartpërmendura. Prandaj, paraprakisht, qeveria e re duhet të bëjë gati krejt inventarin e krimeve serbe në Dardani dhe të përurojë muzeun e përhershëme të atyre krimeve, me të gjitha materialet illustrative”, vlerëson ai.
Ai thotë tutje se pa plotësimin e këtyre tre kushteve, rifillimi dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, është vetëposhtërim i Republikës së Dardanisë, një vetëposhtërim ky, të cilit kasta e bandës së Thaçit i dha një status të veçantë.
“Vetëposhëtërimi i Republikës së Dardanisë nuk mund të vazhdojë më, duke zhvilluar dialog me një shtet agresor që e ka fyer dhe nëpërkëmbur rëndë një popull të tërë, jo vetëm me gjenocidin e egër që ushtroi dhe me shkatërrimet e përmasave masive që kreu, por edhe me përdhunimin e 20 mijë femrave shqiptare. Veç kësaj, është paradoks ta përfytyrosh, e jo më ta mendosh zhvillimin e dialogit me Serbinë fashiste, e cila e ka të fiksuar në paçavure-kushtetutën e vet se Kosova është pjesë e Sebisë”, thotë ai.