Më 16 maj 2025, Tirana u shndërrua në qendrën politike të kontinentit, duke pritur Samitin e Komunitetit Politik Evropian, ku morën pjesë 47 liderë evropianë. Nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, samiti trajtoi sfidat kryesore të sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit në Evropë.
Në qendër të diskutimeve ishin figura të rëndësishme si Presidenti Emmanuel Macron, Presidenti Volodymyr Zelensky, Kancelari Friedrich Merz, Kryeministrat Donald Tusk dhe Keir Starmer, ndërsa Presidenti Donald Trump u bashkua në mënyrë virtuale përmes një telefonate.
Mediat kryesore ndërkombëtare si Associated Press, Reuters, Al Jazeera, Le Figaro, Franceinfo, L’Humanité, ANSA, Süddeutsche Zeitung dhe Frankfurter Allgemeine pasqyruan me vëmendje zhvillimet e samitit, duke e cilësuar atë një moment kyç për të ardhmen e bashkëpunimit evropian, si dhe për takimet bilaterale të mbajtura menjëherë pas tij.
Le Figaro e cilësoi samitin si një sinjal të qartë për angazhimin e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, ndërsa Reuters vuri theksin te mesazhi i unitetit përballë sfidave globale si lufta në Ukrainë dhe ndikimet ruse. Al Jazeera nënvizoi rolin strategjik të Shqipërisë si vend mikpritës dhe partner i besueshëm për sigurinë rajonale, ndërsa Süddeutsche Zeitung e quajti Tiranën “qendër të diplomacisë evropiane për një ditë”.
Kurse, në mediat italiane fokusi ishte pritja në gjunjë që i bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama homologes së tij, Giorgia Meloni.
Përkundër kësaj jehone mediatike, a e kanë të njëjtin mendim edhe ata që jetojnë në Shqipëri?
Samiti i Tiranës/Evropa, më e sigurt me vendet e Ballkanit në BE
Njohësi i çështjeve politike, Ilir Vata, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Samiti Evropian në Tiranë u zhvillua në një kohë me ndryshime gjeopolitike, për shkak të kursit të ri të SHBA-së ndaj Evropës dhe qëndrimit për NATO-n dhe luftën në Ukrainë.
“Samiti Evropian në Tiranë u mbajt në një kohë kur situata gjeopolitike po ndryshon nga kundërshtitë, për shkak të kursit të ri të SHBA-së për sa i përket marrëdhënieve tregtare me Evropën dhe qëndrimit në lidhje me NATO-n dhe luftën në Ukrainë.
Në samit morën pjesë edhe vende të Ballkanit Perëndimor, por dhe më gjerë, pasi ishte pjesë e samitit edhe vetë Turqia, e cila ka një rol të rëndësishëm në rajonin tonë.
Pra, samiti, në kontekstin politik, ishte më i gjerë se sa një samit evropian, dhe mund të thuhet se pjesë e samitit ishin vendet e Evropës së nesërme, Evropës së zgjeruar me vendet ballkanike”, ka thënë Vata.
Vata ka vlerësuar se Samiti Evropian kishte rëndësi të madhe politike, si në aspektin gjeopolitik ashtu edhe për zhvillimet aktuale në Evropë dhe rajonin tonë.
Ai ka shtuar se Samiti dha një mesazh të qartë për zgjerimin e BE-së dhe nxitjen e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit.
“Samiti në Tiranë ka rëndësi të madhe politike, si për sa i përket gjeopolitikës, ashtu dhe politikës aktuale në Evropë dhe kryesisht për vendet e rajonit tonë.
Në këtë pikëpamje, Shqipëria shihet si një vend në zemër të Ballkanit Perëndimor, që ka një qasje të qartë perëndimore, pro Evropës, anëtar i NATO-s dhe me një mbështetje të madhe nga SHBA.
Kur themi Shqipëria, nënkuptojmë edhe Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe vetë Serbinë, e cila qëndron me dy standarde, ose mes Lindjes dhe Perëndimit, dhe shpeshherë sjell trazira në rajon për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë e më gjerë.
Pra, Samiti Evropian në Tiranë dha një mesazh për zgjerimin e BE-së në të ardhmen me vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe nga pikëpamja politike, Evropa po përshpejton hapat për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit në BE, dhe po nxit këto vende të bëjnë hapa përpara në lidhje me plotësimin e kritereve për anëtarësim”, ka vlerësuar ai.
Tutje, Vata është shprehur se ndryshe nga pasqyrimi në mediat evropiane, Shqipëria ka bërë si përparime ashtu edhe hapa pas në drejtim të demokracisë.
“Në lidhje me pasqyrimin e Shqipërisë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim nëpër mediat evropiane, them se Shqipëria ka bërë hapa përpara dhe pas për sa i përket demokracisë në vend. Shqipëria ka përparime për sa i përket reformës në drejtësi, përpjekjeve për të luftuar korrupsionin, por Shqipëria mbetet një vend ish-komunist me probleme të thella për sa i përket demokracisë në tërësi.
Në Shqipëri po krijohet një shtet autokratik, sepse peng i së ardhmes është politika e vjetër që vjen nga e shkuara e regjimit komunist dhe e mban peng të ardhmen.
Partitë politike, si të majta dhe të djathta, vijnë nga e njëjta shpellë e errët e regjimit diktatorial që lamë pas, dhe sot në Shqipëri ka probleme të thella me lirinë e mediave, me të drejtën e votës, me Kodin Zgjedhor, me standardet e jetesës, me zbatimin e ligjit, me luftën ndaj krimit të organizuar që është bërë pjesë e shtetit.
Në këtë dimension, Shqipërisë i duhet shumë të punojë për të bërë reformat e duhura që të plotësojë standardet e BE-së, që në një të ardhme të shpejtë të bëhet pjesë e saj. Pra, Samiti në Tiranë është një dritë që mund të ndriçojë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe jo vetëm për t’u bërë pjesë e BE-së”, ka potencuar ai.
Vata ka deklaruar se Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë ishte një mundësi e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Shqipërinë.
“Në lidhje me pyetjen se a është Samiti i Komunitetit Politik Evropian një mundësi për Shqipërinë për forcimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe si mund të ndikojë kjo në stabilitetin politik të rajonit, them se Samiti Evropian në Tiranë u mbajt në Shqipëri, por fuqia e ndriçimit ishte për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Nuk zgjidhen problemet e rajonit me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por me hapjen e BE-së për të gjithë vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, madje dhe vetë Serbin, që në thelb është problemi i Ballkanit.
Kosova është përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë. Nëse lëngon Kosova e trysnuar nga politika nihiliste e Tiranës zyrtare, Shqipëria bën hapa pas.
Shqipëria, në radhë të parë, duhet të korrigjojë linjën e saj politike me Kosovën, pasi vitet e fundit gjërat kanë shkuar në zhgarravje me një ftohje të panevojshme politike. Ideja nga Tirana e "Ballkanit të Hapur" goditi Kosovën duke e lënë jashtë, deri sa dështoi vetë si slogan, si qasje, duke rifutur në skenë Samitin e Berlinit, që në një farë mënyre edhe ky është zbehur dhe nuk po e kryen misionin e krijimit”, ka theksuar Vata.
Po ashtu, Vata ka shtuar se edhe pse më parë ka pasur skepticizëm në BE për zgjerimin, lufta në Ukrainë ka ndryshuar këtë qasje, duke e shtyrë Evropën të shohë integrimin e Ballkanit Perëndimor si një çështje sigurie
“Vendet evropiane kanë qenë skeptike me zgjerimin, dhe është punuar pak me qasjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, por lufta në Ukrainë ka vënë në një plan tjetër BE dhe tashmë po lexohet se Evropa është më e sigurt me vendet e Ballkanit në BE.
Pra, Samiti Evropian në Tiranë është një sinjal i plotë i përshpejtimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e BE-së, por jo vetëm kaq, ky samit po lëviz Evropën drejt një qasje të re për sa i përket sigurisë evropiane, pasi vetë Evropa në këtë klimë të politikës globale ndihet e pasigurt.
SHBA po harton një plan të ri të hartës së të ardhmes për sa i përket gjeopolitikës, sigurisë globale, të vetë SHBA-së.
Evropa po lëviz në një kur të ri të ndikuar nga kushtet gjeopolitike. Lufta në Ukrainë po ndryshon dhe vetë Evropën, pasi konfliktet mund të rindizen në rajonin e Ballkanit, duke e vënë BE në zhgrip të ekzistencës së saj politike dhe ekonomike. Prandaj, kursi i ri i Evropës është zgjerimi i saj me vendet e Ballkanit Perëndimor, para se të vihet në dyshim ekzistenca e saj”, ka nënvizuar Vata.
“Adoleshenca e plakut Edi Rama në Samitin e Tiranës”
Ndërkaq, publicisti dhe analisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu ka deklaruar se Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë ishte si një shfaqje pa fuqi vendimmarrëse, të shfrytëzuar nga qeveria shqiptare për propagandë.
Ai ka treguar se çfarë lajme buruan nga Tirana në ditën që u mbajt samiti.
“Samiti i Komunitetit Politik Europian (KPE) në Tiranë nuk është samit i Bashkimit Europian dhe ky ekskursion i liderëve nuk ka fuqi ekzekutive te BE. Këtë është mirë ta dimë gjithë ne shqiptarët që na impresionon shou e tallavaja politike.
Mirë u bë që kryeministri Rama e ka blerë 10 herë më shtrenjtë këtë spektakël. U bë lajm Shqipëria kjo është gjë e mirë, u zbeh krimi e shëmtimi elektoral i qeverisë shqiptare qe pati dorë të rëndë me shume se duhej në grabitje votash e mandatesh, ky ishte qëllimi i qeverisë në fund të fundit.
Dy lajme në fakt buruan fort nga Tirana, që shefat e Gjermanisë, Francës, Polonisë e Ukrainës folën në telefon me presidentin Trump dhe një gazetar i Rojters-it ia shembi zgjedhjet shokut Rama. Këto dy ishin lajmet më politike nga Tirana ditën e samitit”, ka thënë ai.
Rexhep Shahu ka folur edhe për sjelljen e Edi Ramës gjatë Samitit të KPE, duke e quajtur adoleshente e pa klas, veçanërisht ndaj kryeministres italiane. Ai ka ironizuar promovimin e Ramës përmes pikturave dhe ndërtimin e strukturave provizore në qendër të Tiranës, duke e parë si përpjekje për vetëlavdërim dhe përqendrim të vëmendjes te figura e tij.
“Sytë e të gjithëve kërkonin të shihnin ndonjë amerikan në samit. Po të shfaqej atë ditë edhe roja e ambasadës amerikane Edi Rama do rritej 20 centimë më shumë.
Po ajo që kërciti shumë ishte adoleshenca e plakut Rama që iu jargavit kryeministres italiane e cila në fakt nuk u josh nga ajo lloj jargavitje pa klas dhe u ndje e përdorur nga Rama. Në gjunjë ulet një burrë kur i propozon martesë një gruaje, ndërsa një kavalier për të treguar nderimin ndaj një gruaje, klasin e tij, ia puth dorën një gruaje që e nderon. Kryeministri Rama u soll pa klas me kryeministren italiane, beri veprim banal.
Kërciti gjithashtu atë dite ekspozimi i pikturave të Ramës sikur veç ky është A dhe ZH e shqiptarëve, sikur nuk kanë shqiptarët piktorë të tjerë.
Kërciti biznesi i ndërtimit të atyre barakave me pritë miqtë sikur vendit tonë i mungojnë institucionet, zyrat e sallat mondane. Rama deshi t’u thotë miqve se edhe barakat në sheshin Skënderbeu i ndërtova për ju dhe çdo gjë që ka ky vend ka nisë jetë me shfaqjen e Ramës në politikë”, ka thënë ai.
Ai kritikon mungesën e përfaqësimit institucional dhe e quan sjelljen e Ramës shfaqje me ndjenjë inferioriteti.
“Rama do ta fshehë e fshijë, por ka pritë ky vend figura më të larta se këto figura të larta që priti shoku Rama mes një inferioriteti ulëritës dhe e paraqiti vendin tonë sikur jemi banorë shëtitës të brigjeve të lumenjëve.
Rama nuk pati askënd, nuk i besoi askujt të delte t’i priste miqtë te dera e oborrit e ky t’i priste në odë, sepse duket se Rama nuk e ka të njohur në ADN e tij institucionin e odës ose nuk i duket i denjë vetja për zot shtëpie por për djalë hyzmeqar me pritë e me përcjellë mysafirët te dera e oborrit. Doli i vetëm me çadër në dorë t’i priste të gjithë, shkëlqeu në këtë shëmti, nuk lejoi të kishte asnjë ndihmës në këtë mikpritje sikur ky vend ka veç atë zotni e të tjerët janë skllevër të padenjë”, ka theksuar ai.
Komentet për integrimin në BE i ka quajtur shpresa të vakëta dhe i vënë në pikëpyetje, duke përmendur shembullin e Serbisë si aleate të privilegjuar të Francës.
“Le të shpresojmë se nuk është gabim përkthimi ajo që thanë portalet që presidenti francez ka deklaruar se për dy vjet, përtej shakave me Ramën, Shqipëria do të hyjë në BE. Edhe të vdekurit do t’ia falnin mëkatet shokut Rama nëse presidenti i Francës e fut Shqipërinë në BE në 2027. Ndoshta edhe Shqipëria do ta ketë një mik siç e ka p.sh. Serbia Francën”, ka deklaruar Shahu.