Seanca e 20-të dështon sërish – analisti me thirrje të fortë për deputetët: Ja si mund të funksionojë zgjidhja

Politika

Seanca e 20-të dështon sërish – analisti me thirrje të fortë për deputetët: Ja si mund të funksionojë zgjidhja

Nga: N.E Më: 23 maj 2025 Në ora: 11:58
Foto ilustrim

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për herë të 20-të që të konstituohet.

Në seancën e së premtes (sot), deputetët nuk arritën që të procedojnë tutje dhe kësisoj seanca si zakonisht u ndërpre për të vazhduar as 48 orësh.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, e quajnë këtë serial, e kryeneçësi të kryeministrit Albin Kurti, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të përsëris një qeveri kalimtare.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës “lëshon” pe për emra tjerë që mund të votojnë.

Kurse, nga qeveria civile kërkojnë që deputetët të bllokohen deri në zgjidhje.

Një grup i organizatave të shoqërisë civile, ka reaguar rreth bllokimit të konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.

Këto organizata thonë se kriza institucionale që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 ka kaluar çdo kufi të tolerueshëm dhe po dëmton jo vetëm Kuvendin, por edhe funksionimin e gjithë sistemit demokratik dhe institucional të vendit.

“Qeveria aktuale, të cilës i ka përfunduar mandati, po vazhdon të veprojë pa mbikëqyrje dhe kontroll parlamentar, situatë kjo e papranueshme për një shtet demokratik”.

“Në anën tjetër, Kuvendi jofunksional po e pamundëson miratimin e ligjeve të rëndësishme dhe vendimeve strategjike që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe qytetareve, duke rrezikuar stabilitetin institucional, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në përfaqësim demokratik. Bllokada aktuale është duke vonuar e rrezikuar pranimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në kohën kur masat e vendosura nga BE dhe pezullimi pothuajse i tërësishëm i fondeve amerikane kanë reduktuar ndjeshëm mbështetjen financiare për Kosovën”.

“Zhvillimet gjeopolitike aktuale kërkojnë përgjegjësi dhe veprime të shpejta nga shtetet demokratike. Mosfuksionalizimi i Kuvendit të Kosovës është i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm. Ky stagnim rrezikon që vendet partnere të humbin besimin në aftësinë tonë për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të vepruar si një shtet serioz në skenën ndërkombëtare”.

Ato i bëjnë thirrje udhëheqësve të partive parlamentare që të marrin përgjegjësinë që u është besuar dhe të veprojnë menjëherë për tejkalimin e krizës politike.

“Përmes dialogut dhe me fokus te zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarëve, të arrijnë një marrëveshje që i jep fund bllokadës. Mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe përqendrim në interesin e përbashkët është e papranueshme dhe cenon thellë besimin publik në përfaqësimin demokratik.

Mosveprimi nuk është opsion. Çdo vonesë e mëtejme kërkon llogaridhënie publike.Shoqëria civile mbetet e gatshme të ofrojë kontributin e saj për tejkalimin e kësaj krize dhe rikthimin e funksionalitetit demokratik në vend”, theksohet në reagim.

Analisti Ali Hertica, thotë se pasojat lidhen direkt me qytetarët.

Sipas tij, problem i qeverisë mund të evidentohet nëse partitë politike ndalojnë së kërkuari faj tek njëra- tjetra.

“Pasojat lidhen drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve, pasi shumica e marrëveshjeve janë kredi për financimin e projekteve, të cilat, nëse nuk zbatohen në praktikë, mund të kenë pasoja të brendshme.

Problemi kryesor është në aspektin e krijimit të koalicionit të ri qeveritar. Këto probleme mund të evitohen nëse partitë politike ndalojnë së kërkuari faj tek njëra-tjetra për gjuhën fyese dhe linçuese”, shprehet Hertica.

Image
Analisti Ali Hertica

Liderët e partive politike në Kosovë, javën që lëmë pas ishin takuar me presidenten Vjosa Osmani, për zgjidhjen e bllokimit të kuvendit.

Një “zgjidhje” për këtë çështje ishte propozimi për qeveri gjithëpërfshirëse.

Sipas analistit Ali Hertica, VV duhet ta bëjë këtë propozim dhe kryeministri të vijë nga kjo parti.

“Plani për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë

Periudha nga përfundimi i çertifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 e deri më tani tregon se, edhe nëse arrihet marrëveshja për qeverisjen e vendit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, projeksionet programore dhe objektivat e këtyre dy subjekteve për procesin e shtetndërtimit mund të dështojnë. Për të mos u përballur me këtë situatë, Lëvizja Vetëvendosje duhet të veprojë në vijim:

I. Përbërja e Qeverisë

VV do të duhej të propozonte një qeveri kalimtare, të përbërë nga ekspertë, por me karakter kombëtar dhe tematik, për një periudhë 12 deri në 18 muaj.

Qeveria kalimtare duhet të jetë rezultat i një kompromisi gjithëpërfshirës, duke përfshirë të gjitha partitë politike që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri i kësaj qeverie të përkohshme duhet të jetë i propozuar nga VV.

Reduktimi i numrit të ministrive duhet të jetë pjesë e Reformës së Administratës Publike dhe të vendoset si një nga prioritetet kryesore.

Numri i këshilltarëve politikë në ministri duhet të reduktohet në tre për ministri, dhe përzgjedhja e tyre të bëhet nga një komision i pavarur profesional, pa ndikim partiak.

Këta profesionistë duhet të kenë linja të drejtpërdrejta komunikimi me kabinetin e Kryeministrit dhe profili i tyre të përputhet me 34 politikat sektoriale të rëndësishme për shtetin, duke qenë jashtë çdo agjende partiake. Në fakt, ata do të përbëjnë boshtin qendror të teknokratëve të shtetit”, shprehet Hertica.

Ai përmend edhe çështjet për të cilat partitë politike duhet të bien dakord sa i përket prioriteteve të qeverisë kalimtare.

“Depolitizimi i agjencive të pavarura shtetërore, me mundësinë e shuarjes së atyre të panevojshme. Përzgjedhja e drejtuesve të rinj të bëhet nga një komision tërësisht i pavarur, pa ndikim politik. Marrëveshja me Ambasadën Britanike të implementohet plotësisht në këtë aspekt.

Reforma në sistemin e drejtësisë dhe largimi i elementëve kriminalë, oligarkikë dhe partiakë është themel për shtetin ligjor. Vetëm kur të gjithë janë të barabartë para ligjit mund të tërhiqen investime të jashtme dhe të ndalet largimi i qytetarëve nga Kosova. Reforma zgjedhore të realizohet gjatë kësaj periudhe kalimtare. Reforma e Administratës Publike të jetë prioritet i lartë. Përshpejtimi i funksionalizimit të plotë të FSK-së me kapacitetet e saj operacionale. Të rriten fondet për FSK-në përmes reduktimit të shpenzimeve nga sektorët e panevojshëm, veçanërisht nga privilegjet e zyrtarëve të lartë publikë. Rritja e investimeve në njësitë speciale të Policisë së Kosovës, me rritje dhjetëfish të pagave për njësinë elitare dhe dyfishim të numrit të pjesëtarëve të saj. Fondet mund të sigurohen nga shitja e veturave të tepërta dhe heqja e përdorimit të tyre nga zyrtarët, të cilët do të kompensohen për transport publik. Fondet publike si Trusti Pensional dhe të ardhurat nga shitja e aseteve publike të orientohen drejt sektorëve që gjenerojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik. Rishikim i sektorëve të energjisë dhe telekomunikacionit, duke u bazuar në një analizë gjithëpërfshirëse dhe zbatim të strategjive të dalë nga kjo analizë. Reforma në sektorin e arsimit, me qëllim çlirimin nga ndikimet politike, kriminale dhe oligarkike. Të rishikohet plotësisht periudha e fundit 10-vjeçare dhe të ndërmerren masa për një reformë thelbësore në të gjitha nivelet e arsimit. Sektori i shëndetësisë të pastrohet nga ndikimet politike dhe oligarkike. Sigurimet shëndetësore të funksionalizohen realisht. Hartimi i një strategjie për investimet nga diaspora, duke ofruar stimuj si zero tatime për investimet nga diaspora për një periudhë prej 5 vitesh”, përfundon Hertica.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat