“Vetëvendosje e di që opozita nuk ia voton një kandidat tjetër për kryeparlamentar, nuk dorëzohet para saj”

Politika

“Vetëvendosje e di që opozita nuk ia voton një kandidat tjetër për kryeparlamentar, nuk dorëzohet para saj”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 maj 2025 Në ora: 10:03
Albulena Haxhiu

 

Kandidatja e Vetëvendosjes për Kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk po arrinë të marr votat e nevojshme për këtë pozitë. As në seancën e 20-të, Haxhiu nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme si kryeparlamentare për të vazhduar me konstituimin dhe më pas formimin e qeverisë së re.

Nga opozita disa herë janë deklaruar se duhet të ndërrohet kandidatja e propozuar dhe të vazhdohet tutje, për të kaluar ngërҫin politik.

Nga Vetëvendosje, vazhdojnë të propozojnë të njëjtën kandidate dhe kështu seancat e kuvendit mbyllen brenda pak minutash, për t’u takuar pas 48 orëve.

Mirëpo, nëse Vetëvendosje do të propozonte një tjetër kandidat për kryeparlamentar, a do të ishte zgjidhje e ngërҫit politik?

Lidhur me këtë ҫështje, njohësit e politikës kanë dhënë qëndrimet e tyre.

Hoti: Nëse partitë tjera nuk do ta votonin një kandidat/e tjetër të VV-së, atëherë ato do të jenë humbëse para qytetarëve

Image
Agron Hoti

Kështu, analisti politik, Agron Hoti thotë nëse pozita e ndërron kandidatin, atëherë përgjegjësia për ngërҫ politik bie tek opozita.

“Nëse partia fituese do ta propozonte një kandidat/e tjetër, atëherë topi do të hidhej te partitë tjera për ta votuar atë. Por, partia fituese ka pak gjasa ta ndryshojë kandidatin/en, sepse kjo do të merrej si dorëzim para partive tjera. Ndërkohë që nuk jam shumë i bindur nëse partitë tjera do ta votonin kandidati/en tjetër të VV-së. Me gjasë VV është e vetëdijshme që edhe kandidati/ja tjetër i/e saj mund të mos votohet, prandaj këmbëngul te znj. Haxhiu”, vlerëson ai.

Sipas Hotit, në këtë rast Vetëvendosja duhet të gjej alternativa, si parti fituese.

“Me këmbënguljen që po ndodh për mos-zëvendësimin e znj.Haxhiu humbëse në vota dhe sondazhe është VV, ngase si parti fituese duhet të gjejë alternativë. Ndërsa nëse partitë tjera nuk do ta votonin një kandidat/e tjetër të VV-së, atëherë ato do të jenë humbëse para qytetarëve në kuptimin e sondazheve dhe votave”, thotë ai.

Analisti Hoti thotë për ‘Bota sot’ se, ky qorrsokak dhe kjo krizë politike është pasojë e mënyrës se si partitë tona kanë bërë koalicione deri me sot dhe mosbesimeve të ndërsjella që kanë mbjellë.

“Mjerisht koalicionet e derisotshme s’kanë qenë asnjëherë programatike. Ato kanë qenë ad-hoc dhe ku partitë kanë pasur shumë mosbesim ndaj njëra tjetrës. Ndaj edhe është e vështirë të parashihet ndonjë zgjidhje e shpejtë”, vlerëson ai.

Shkodra: Kjo situatë pra mund të zgjidhjet shumë thjeshtë, të propozojë Lëvizja Vetëvendosje një kandidat tjetër dhe dy partitë e ish opozitës janë të gatshme që ta votojnë

Image
Magbule Shkodra

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analistja politika, Magbule Shkodra.

Ajo thekson se duhet të sqarohet se askush nuk po ia mohon të drejtën Lëvizjes Vetëvendosje për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar për Kryetar të Kuvendit të Kosovës.

“Nëse do të ishte i vetmi kandidat, Albulena Haxhiu, atëherë unë do ta fajësoja ish opozitën që nuk po e voton dhe nuk po kontribuon në konstituimin e Kuvendit. Duke pasur parasysh që Vetëvendosje i ka edhe 47 deputetë të tjerë, atëherë përgjegjësia i mbetet Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë Shkodra.

Sipas saj, kjo mund të ketë një zgjidhje të shpejtë, të propozohet kandidati tjetër, që do të votohej nga opozita dhe kështu do të konsistuohej Kuvendi.

“Kjo situatë pra mund të zgjidhjet shumë thjeshtë, të propozojë Lëvizja Vetëvendosje një kandidat tjetër dhe dy partitë e ish opozitës janë të gatshme që ta votojnë dhe kështu mund të konsistuohet Kuvendi dhe kështu të ecim përpara me formimin e qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thotë ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat