Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginë të Preshevës janë shprehur të shqetësuar për mungesën e reagimit ndërkombëtar ndaj diskriminimit që u bëhet nga shteti serb.
Ata kanë akuzuar BE-në për qasje të padrejtë, pas vizitës së Kaja Kallasit në veri të Kosovës dhe jo edhe në Luginë të Preshevës.
Përfaqësuesja e BE-së vizitoi fillimisht Serbinë, më pas edhe Kosovën. Në këtë të fundit vizitoi edhe serbët në veri.
Kallas ka thënë se është e rëndësishme që të jetë dëshmitare e asaj që po ndodh në terren, pasi që ka narrativa të ndryshme rreth situatës atje.
“Isha në Gjykatë dhe gjykata po funksionon. Po presin kthimin e gjyqtarëve serbë. Gjithashtu u takova me përfaqësues të shkollave për të kuptuar situatën, të flas me popullin dhe të shoh me sytë e mi se çfarë po ndodh në këtë pjesë. Po lëvizim përreth. Fola me KFOR-in, EULEX-in, për atë se çka shohin në terren dhe mendoj se kjo është informatë shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Kallas.
Mirëpo një veprim i tillë u pa si injorim dhe diskriminim për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
BE-ja edhe njëherë e luajti rolin ‘përkëdhelës’ me serbët, ndërsa injoroi shqiptarët.
Zogaj: Është fatbardhësi që diplomacia ndërkombëtare po i kushton vënendje, vatrës qendrore të krizës
Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Zogaj, në një prononcim për ‘Bota sot’ thotë se, zhvillimet me thyerje dhe ngjarje të shumta që po e mbajnë peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kanë filluar të na e humbasin logjikën racionale të të menduarit dhe kjo, është arritje e madhe e armiqve tanë.
“E kam fjalën për mënyrën e të menduarit dhe të gjykuarit në disa koluare që, nuk shohin përtej hundës së tyre, ndërsa flasin për politikat e mëdha dhe delikatesën e strategjive që, janë të vështira të vlerësohen edhe nga qarqet akademike! Kjo është fatkeqësi e rëndë dhe me pasoja fatale, sepse injoranca prodhon injorancë! Rezultat i kësaj injorance janë thashethemet mediale që po e vrasin qytetarin e zakonshëm, me interpretime koti! Të këtilla janë edhe shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët nuk kanë aspak të drejtë që bëjnë vërejtje ndaj vizitës së përfaqësueses së BE-s, Kaja Kallas, pse ajo ka vizituar Veriun e Kosovës, por jo edhe Luginën e Preshevës!? Cila është ajo arsye që, vizitat në Veriun e Kosovës të kushtëzohen me Preshevën? Ku shihet ky injorim, kur dihet se, problemi thelbësor ballkanik është Veriu i Kosovës dhe, është fatbardhësi që diplomacia ndërkombëtare po i kushton vëmendje, vatrës qendrore të krizës. Kjo është për tu përshëndetur, e jo të shpjegohet si përkëdhelje e serbëve dhe injorim i shqiptarëve”, thekson ai.
Zogaj thotë se, BE-ja po nuk po hesht, por po habitet me mënyrën e sjelljes së shqiptarëve gjithandej, në vend se të kryejnë me përgjegjësi detyrat e veta shtetërore dhe të veprojnë me platforma konkrete, llomotisin e nuk janë të zotët ta bëjnë asnjë punë siç duhet.
“Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të shqetësohen për mënyrën e organizimit të brendshëm të tyre, dhe, përgjegjshëm të faktorizohen, e jo të këqyrin rreth e rrotull dhe të shqetësohen pse të huajt nuk ua kryejnë punët e tyre të brendshme, dhe jo të honepsen, duke menduar se ta ndërkombëtarët duhet t'ua shtrojnë sofrën, t'ua fshijnë troshat dhe t'ua lajnë pjatat e lugët”, thotë Zogaj.
Makolli: Marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative dhe serioziteti i shtetit dëshmohet përmes respektimit dhe zbatimit të tyre
Po ashtu, për këtë ҫështje foli edhe analisti Vesel Makolli. Ai thotë se, historikisht gjithmonë fajin për të gjitha problemet tona, deri edhe për stagnimet zhvillimore dhe kulturore gjatë historisë, i kemi hedhur te të tjerët.
“Si rrjedhojë e mungesës së lidershipit kombëtar largpamës dhe mos rreshtimit tonë të drejtë në konstelacionin e forcave botërore, dy shtetet shqiptare janë krijuar nga shtetet mike, dhe sot e kësaj dite sovranitetin e tyre cep më cep e mbrojnë ushtria e NATO-së, formacionit më të fortë ushtarak të botes, kjo vlen në veçanti për Kosovën. Liria jonë e pritur me shekuj ka ardhur falë intervenimit ushtarak të NATO-s, i cili u bë me miratimin e SHBA-s dhe BE-s. Nëse është e vërtet që BE-ja që na solli lirinë po e përkëdhel Serbinë, atëherë na duhet me e pyet veten se pse po ndodhë kjo dhe se çka dhe ku kemi gabuar ne. Po ashtu duhet t'i analizojmë në detaje veprimet tona politike dhe diplomatike nga paslufta e deri sot, dhe ta gjejmë përgjigjen se; si u bë që rejtingu i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar ka ra aq shumë, sa qe jemi ndëshkuar me sanksione dhe cilat gabime ne i bëmë që i mundësuan Serbisë ngritje të rejtingut të BE -ja dhe SHBA-të”, vlerëson Makolli.
Sipas tij, marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative dhe serioziteti i shtetit dëshmohet përmes respektimit dhe zbatimit të tyre. Në rastin tonë, ne u kemi bishtnuar dhe nuk i kemi realizuar marrëveshjet ndërkombëtare të arritura nën patronatin e SHBA-së dhe BE-së, qysh nga viti 2015.
“Kaja Kallas, gjatë vizitës së fundit, ka njoftuar të dyja palët (Kosovën dhe Serbinë) se janë të obliguara t’i realizojnë detyrimet që i kanë marrë me marrëveshjet ndërkombëtare, dhe se, pa ndërmarrë hapa të duhur në këtë drejtim, nuk do të ketë avancime drejt arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do ta përmbyllte procesin e shtetësisë së Kosovës. Paralelizmi i Luginës së Preshevës me pjesën veriore të Kosovës është dashur të bëhet menjëherë pas luftës, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe tani po frikësohem se është tepër vonë”, vlerëson ai.
Makolli thotë tutje se, edhe zvarritja e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve nacionale po bëhet nga partia fituese, e cila e di se duhet të marrë vendime të vështira për obligimet e ndërmarra, sidomos për Asociacionin, dhe kjo bie ndesh me premtimet e saj populiste të dhëna elektoratit.
“E njëjta qeveri e ka humbur besimin te SHBA-ja dhe BE-ja, për shkak të veprimeve të saj të pamatura dhe të pakoordinuara me SHBA-në dhe BE-në në pjesën veriore të vendit, dhe tani krejt këto do të na kthehen si bumerang. Është urgjente që forcat tona politike ta vendosin interesin e shtetit mbi interesat individuale e partiake, dhe sa më shpejt t’i krijojnë institucionet dhe t’i shtyjnë përpara proceset që çojnë drejt përmbylljes së shtetësisë sonë. Për mosrealizimin e këtyre objektivave, faji është vetëm i yni”, vlerëson ai.