“Partitë ‘humbëse’ synojnë rikthimin në pushtet”, befason veprimtari nga Gjermania – përmend një deklaratë të Rohde-s

Politika

“Partitë ‘humbëse’ synojnë rikthimin në pushtet”, befason veprimtari nga Gjermania – përmend një deklaratë të Rohde-s

Nga: A.M. Më: 27 maj 2025 Në ora: 15:02
Kuvendi i Kosovës

Kosova po vazhdon të jetë në një bllokadë institucionale, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.

Për të dalë nga ky ngërç politik, ka pasur edhe takime të ndërkombëtarëve me liderët partiakë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ndër të tjera, ndërkombëtarët kanë bërë në vazhdimësi kërkesa për një marrëveshje politike dhe dalje sa më të shpejt nga kjo situatë.

E në lidhje me këtë çështje, për “Bota sot” foli veprimtari Idriz Zeqiraj, i cili kritikoi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj partive opozitare.

Madje, sipas tij ambasadorët e huaj në Kosovë po synojnë rikthimin në pushtet të partive “humbëse”, përmes një qeverie gjithëpërfshirëse.

Image
Idriz Zeqiraj

“Është për keqardhje, se ndërkombëtarët, sidomos ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë parë krimet dhe makro-hajnitë e pushtetarëve të PAN-it dhe kanë heshtur si peshqit. Edhe pse populli i Kosovës vazhdon ta ndëshkojë opozitën e çoroditur dhe destruktive të PAN-it, flirtuese me Serbinë, përsëri kanë nostalgji për t`i kthyer në pushtet ata, nën maskën e një qeverie gjithëpërfshirëse, mundësisht, pa partinë fituese, në rastin konkret, pa LVV.

Në Gjermani partia që arrin 28 % të votave, ajo kompozon qeverinë, pa pretendime që dikush tjetër t`ia rrëmbejë fitoren në tavolinë, siç janë angazhuar partitë humbëse aktualisht, në Kosovë”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, Zeqiraj përmendi një deklaratë të ambasadorit gjerman në lidhje me ‘ndërrimin e lojtarit’ e që supozohej se e kishte për Albulena Haxhiun, e që sipas tij ishte “pabazë logjike”.

Madje, ai konsideroi se Haxhiu e ka dëshmuar vetën si politikane dhe tha se kjo e fundit i ka fituar të gjitha betejat politike.

“Ambasadori gjerman, John Rohde, i njohur si mik i shqiptarëve, kësaj here pozicionohet përkrah opozitës. Ai trimëroi opozitën, duke thënë se "lojtari i dështuar, duhet të ndërrohet". Kjo është një shprehje, sa e pabazë logjike, aq edhe paushalle!

Ndërkohë që Albulenë Haxhiu i ka fituar të gjitha betejat, pa dështuar në asnjërën sosh, duke qenë deputetja e parë femër, me shumësinë e votave. Një përgjigje adekuate, ka dhënë për Ambasadorin e respektuar, Rohde, deputeti dhe kuadri mediatik i LVV, Dimal Basha: "Nuk ndërrohet lojtari, se ashtu do kundërshtari!”” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat