Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten, më 29 maj, komuniteti i biznesit do të organizojë një protestë gjithëpërfshirëse për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Sipas tyre, bizneset po detyrohen të hyjnë në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë.
Në njoftimin zyrtar, theksohet se nëse institucionet nuk reflektojnë dhe nuk ndërmarrin masa konkrete për të adresuar kërkesat legjitime të bizneseve, protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e tyre.
“Nëse institucionet nuk reflektojnë dhe nuk ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar kërkesat e bizneseve, protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e tyre”, thuhet në njoftim.
Kjo protestë është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ka gjetur përkrahje të gjerë nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë, përfshirë edhe iniciativën qytetare “Asnjë Cent Më Shumë”, e cila prej kohësh ka ngritur zërin kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.
Luan Hasanaj, përfaqësues i iniciativës “Asnjë Cent Më Shumë”, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar mbështetje të fuqishme për protestën e 29 majit të paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës, duke e quajtur një reagim të drejtë dhe të domosdoshëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që sipas tij po i detyron bizneset të hyjnë me forcë në tregun e lirë të energjisë.
“Ne e mbështesim fuqishëm protestën e paralajmëruar nga Oda Ekonomike e Kosovës më 29 maj, si një reagim i drejtë dhe i domosdoshëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, që po detyron bizneset të dalin në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë”, ka thënë ai.
Po ashtu, Hasanaj theksoi se ky vendim përkeqëson gjendjen ekonomike dhe rrezikon mbijetesën e bizneseve të vogla e të mesme.
Tutje, ai shprehet se si iniciativë qytetare që ka kundërshtuar rritjen e padrejtë të çmimeve të energjisë, do të marrin pjesë në protestë dhe ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen.
“Ky vendim përkeqëson më tej gjendjen ekonomike në vend dhe rrezikon ekzistencën e shumë bizneseve, veçanërisht atyre të vogla dhe të mesme. Si iniciativë qytetare që ka ngritur zërin kundër rritjes së padrejtë të çmimeve të energjisë, ne do të marrim pjesë në protestë dhe i ftojmë të gjithë qytetarët të marrin pjesë”, ka përfunduar Hasanaj.
Ndryshe, protesta do të mbahet të enjten nga ora 10:00 deri në ora 12:00.