Serbia nuk e ka aspak problem, që po të ndodh një incident i krijuar nga vet serbët, të lëshojë fletarreste për policët e Kosovës, të cilët janë të angazhuar të mbajnë rend dhe rregull, jo vetëm në veri, por në gjithë territorin e Kosovës.
Së fundi, autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrest për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Lajmi e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.
Ai tha në një njoftim se “polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.
Policia e Kosovës, ka mohuar me fakte se nuk ka pasur dhunë në atë aktivitet.
Drejtori i policisë Gazmend Hoxha, ka thënë se shenjat me ngjyrë në qafë, maturanti i kishte pasur para intervenimit të policisë dhe se ndaj tij nuk është përdorur dhunë.
“Policia dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me informacionet e pasakta që pretendojnë për dhunë më 23 maj në Veri nga ana e policisë së Kosovës. Policia sqaron se aktiviteti në fjalë nuk ka qenë protestë, është fjala për një defilim të maturantëve i cili është paralajmëruar paraprakisht. Policia me njësitë e saj ka qenë e pranishme gjatë këtij aktiviteti për të mbështetur zhvillimin. Gjatë defilimit, disa pjesëmarrës kanë provokuar qytetaret që kanë qenë të ulur me thirrje “Kosova është zemra e Serbisë”. Në këto rrethana, policia ka ndërhyrë. Kur policia veproi për parandalim, në media u shfaq një person ndaj të cilit pretendohej se u përdor dhunë”.
Sadiku: Formë e provokimit për prishjen e stabilitetit ne veriun e Kosovës
Analisti Arbnor Sadiku në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Serbia, si shtet autokratik, kryen arrestime me motive provokuese ndaj qytetarëve të Kosovës, si pjesë e strategjisë për destabilizim të veriut të vendit.
“Absolutisht Serbia është vend autokratik, arrestimet i bën mbi bazën tendencave provokuese ndaj qytetarëve dhe shtetasve të Kosovës.
Dhe formë e provokimit për prishjen e stabilitetit ne veriun e Kosovës”, thotë ai.
Shala: Instrumentalizim i tensioneve dhe ngjarjeve të vogla
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot”, shpjegon se fletarrestimi ndaj policit Dylot Brahimi nga Serbia është provokim diplomatik që sfidon sovranitetin e Kosovës dhe synon tensionimin e situatës në veri.
Sipas tij, Serbia instrumentalizon incidente të vogla, si rasti i maturantëve, për propagandë dhe presion ndaj institucioneve kosovare.
Tutje, ai thotë se ky veprim është pjesë e strategjisë së Beogradit për destabilizim dhe pengim të integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.
“Rasti i fletarrestimit ndaj policit të Kosovës Dylot Brahimi nga autoritetet serbe përbën një provokim diplomatik të drejtpërdrejtë, me elemente të një përpjekjeje për ndërlikim dhe tensionim të qëllimshëm të situatës në veri të Kosovës. Ky akt ka disa dimensione të rëndësishme për analizë:
1. Provokim diplomatik dhe mosnjohje e sovranitetit
Serbia, me këtë fletarrestim, njofton zyrtarisht se nuk e njeh juridiksionin dhe autoritetin e Policisë së Kosovës në territorin e saj, përkatësisht në veri.
Fletarrestimi i shpallur publikisht nga Daçiq është një veprim diplomatik me synim:
* të sfidojë autoritetet kosovare;
* të shtojë presion ndaj pjesëtarëve shqiptarë të policisë që operojnë në zonat me shumicë serbe;
* të legjitimojë pretendimin serb për “mbrojtje të komunitetit serb” në Kosovë përmes mjeteve shtetërore.
2. Instrumentalizim i tensioneve dhe ngjarjeve të vogla
Incidenti me maturantët është përdorur si pretekst për të ndërtuar një narrativë për viktimizim të serbëve, ndërkohë që veprimet e policisë kosovare kanë qenë në përputhje me mandatin ligjor.Kjo është një taktikë klasike e inteligjencës serbe (BIA): shfrytëzimi i incidenteve civile për të justifikuar aksione politike, juridike apo propagandistike më të mëdha.
3. Implikime ligjore dhe refuzimi i njohjes nga Kosova
Kosova nuk e njeh juridiksionin e institucioneve serbe mbi qytetarët e saj, përfshirë edhe Policinë e Kosovës. Ministria e Drejtësisë dhe MPJ e Kosovës, me gjasë, do ta refuzojnë këtë fletarrestim si të pavlefshëm, duke e konsideruar si ndërhyrje të jashtme dhe shkelje të sovranitetit.
Polici Brahimi nuk ka rrezik ligjor në territorin e Kosovës, por duhet të shmangë lëvizjet në zonat jashtë kontrollit të plotë të Prishtinës (p.sh., brenda Serbisë apo ndonjë shteti që aplikon marrëveshje ekstradimi me Serbinë).
4. Objektivët më të mëdhenj të Beogradi
Tensionimi gradual i situatës në veri është pjesë e strategjisë serbe për:
* minuar institucionet e sigurisë të Kosovës;
* penguar integrimin e komunitetit serb në strukturat e Kosovës;
* krijuar përshtypjen e një “krize të përhershme” për të penguar avancimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, shpjegon eksperti Shala për “Bota sot”.