Në kushtet e krizës së thellë politike në Kosovë, procesi i formimit të institucioneve të reja po përballet me pengesa serioze. Moskrijimi i institucioneve dhe mosvotimi i kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kanë thelluar ngërçin politik.
Por, kujt i konvenon ky ngërç?
Opinionisti Dedë Preqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kriza politike në Kosovë ka shkaktuar një ngërç që bllokon krijimin e Kuvendit dhe pengon funksionimin e shtetit.
“Në këto rrethana, kriza politike në Kosovë, ka krijuar formën e vet bllokimit, apo të një ngërçi politik, që si pasojë do ta mbante peng krijimin e konstituimit të Kuvendit të këtij vendi, që duhet të marrë tiparin e një urgjence të mundshme, në mënyrë që t’i hapet rrugë dhe zgjidhje këtij problemi institucional, pa të cilin nuk mund të lëviz dhe funksionoi as shteti.
Po t’i japim një shikim paraqitjes së këtij ngërçi politik, që ka filluar që pas 15 prillit, kur janë dhënë edhe rrezulltatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të shohim se sa pak është e interesuar dhe i përgatitur kuadri i partive politike, apo më mirë më thënë kuadri i lidershipit partiak për të administruar më tutje me krijimin e institucioneve të vendit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Preqi ka deklaruar se problemi nuk është vetëm brenda lidershipit, por edhe te opozita e cila nuk pranon krizën politike dhe janë të fiksuar vetëm tek pushteti.
"Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për problemet brenda këtij lidershipi, por një pjesë e madhe e tyre, që bëhet fjalë për opozitën, si PDK, LDK, AAK dhe Listën Serbe, as që duan me ditur se ka krizë politike në këtë vend, por më e rëndësishme për këto subjekte politike është vetëm pushteti, që ua ka vërbuar sytë…
Prandaj, problemi qëndror, rreth të cilit do të sillet e gjithë gjendja e kësaj krize institucionale, nga zgjidhja e së cilës varet jo vetëm mirëqenia qytetare, por kjo kthehet e tëra edhe në gjirin e kulturës së këtij vendi, elementi i së cilës mbetet pikërisht mposhtja e një lidershipi negativ dhe primitiv, të uritur dhe të çoroditur nga ambiciet e atyre që e kanë vetëm pushtetin”, ka shtuar ai.
Tutje, Preqi ka vazhduar me kritikat, duke u shprehur se Kuvendin është kthyer në një lojë teatrale me aktorë të dobët dhe të papëlqyeshëm për publikun.
“Ky lloj dështimi i konstituimit të Kuvendit e ka futur Kosovën në një çorrsokak të panatyrshëm, duke e lënë vendin pa qeveri të re, e cila situatë mund të vazhdojë, por pasojat janë shumë më të mëdha se mendojmë, duke e kthyer Kuvendin në një lojë teatrale, me aktorë e amatorë të dobët dhe antipatikë, që nuk mund t’u shikosh rolin e tyre, dhe që nuk do t’u pëlqente as një lloj publiku”, ka cekur ai.
Gjithashtu, Preqi ka treguar se çfarë është e pafalshme, dhe pse qytetarët duhet të dënojnë partitë politike në zgjedhjet e ardhshme.
“Kush e ka zgjedhur këtë model destruktiv, është e qartë; nëse pozita ngul këmbë në propozimin e vetëm të një kandidati për kryetar të Kuvendit, e cila ka të drejtën e propozimit si fituese e zgjedhjeve, ndërsa opozita nuk e voton kandidatin e propozuar, atëherë ky lloj përfaqësimi nuk është i denjë dhe nuk është relevant me përfaqësimin qytetar dhe për mbështetjen e formimit të qeverisë së re, duke mos treguar asnjë shenjë respekti dhe përkushtimi, por duke e çuar drejtpërdrejt vendin në krizë institucionale, vetëm për inate politike dhe pushtet. Kjo do të jetë e pafalshme, dhe qytetari ka të drejtë ta dënojë çdo subjekt politik që e meriton në zgjedhjet e ardhshme, që do të ishte një mëkatar i pafalshëm”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, për të shkuar në zgjedhje të reja, deputetët duhet të kërkojnë vetë në KQZ, por duke ditur se kjo është e nevojshme, ata nuk e bëjnë
“Për të shkuar në zgjedhje të reja, deputetët duhet të shkojnë një nga një në KQZ për të kërkuar zgjedhje të reja, por duke ditur se nuk ka rrugë tjetër, atëherë pse nuk e bëjnë një gjë të tillë, siç vëhet re edhe në shumë vende të tjera, ku të gjitha rastet e tilla të kësaj natyre të rrallë përllogariten si të dëmshme për shtetin dhe mirëqenien qytetare.
Dhe nëse kjo krizë mund të zgjasë edhe më tej, mund të dalin probleme të tjera, më serioze, që nuk mund të vihen nën kontroll, dhe do të ishte vonë që t’i riparojmë, për shkak se në mungesë të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, politika e këtij vendi konceptohet si e pabazë dhe në kontakt me marrëdhëniet dhe politikat ndërkombëtare, apo si një lojë e thjeshtë interesash të partive politike dhe e pushtetarëve pa themel”, ka përfunduar Preqi.