Kosova pa Kuvend, pa Qeveri, pa ndihma/ Qarri flet për rrezikun që askush s’e thotë

Politika

Kosova pa Kuvend, pa Qeveri, pa ndihma/ Qarri flet për rrezikun që askush s’e thotë

Nga: A.M. Më: 1 qershor 2025 Në ora: 13:57
Kuvendi

Të hënën pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Megjithatë, nuk pritet që kjo seancë të sjellë ndonjë zhvillim të ri, pasi ende mungon një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve. Lëvizja Vetëvendosje pritet ta rikandidojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

Të shtunën u mbajt përpjekja e 24-të për ta zgjedhur Haxhiun në krye të Parlamentit, por edhe ajo dështoi.

Lidhur me këtë situatë, analisti politik Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kosova po përballet me një krizë të thellë politike që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Ai ka fajësuar opozitën për dështimin e konstituimit të Kuvendit për herë të 24-të me radhë.

Image
Gani Qarri

“Duke qenë se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, prodhuan një rezultat të vështirë politik, nga ajo ditë Kosova po përballet në vijimësi me një krizë të thellë politike pasi që përkundër faktit se LVV edhe aktualisht është subjekti më i votuar në vend, shkaku i mospjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në votim, as për të 24 -tën herë nuk arriti të konstituohet Kuvendi dhe ti hapet rrugë formimit të Qeverisë edhe pse një opozitë e ndarë dhe e fragmentuar siç është kjo në Kosovë, as që mund ta formojë as ajo qeverinë.

Por përkundër këtij argumenti, deputetët e opozitës duke mos marrë pjesë në mënyrë të koordinuar në votim, sollën Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, sa konstituimi i Kuvendit me 31 maj dështoi edhe për herë të 24-tër, dhe megjithëse tanimë po i afrohemi edhe plotësimit të 4 muajve, nga mbajtja e votimeve parlamentare në vend, Kosova fatkeqësisht vazhdon të mbetet pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri dhe pa institucione legjitime shtetërore, kurse zgjidhja e ngërçit as që duket në horizont”, ka thënë ai.

 

Gjithashtu, Qarri ka theksuar se ngërçi politik në Kosovë është shndërruar në një bllokadë të rrezikshme që po e paralizon vendin.

Ndërkohë, ai ka shtuar se mungesa e konsensusit mes partive opozitare dhe refuzimi i LDK-së për koalicion me LVV-në po e thellojnë krizën, duke rrezikuar madje edhe sigurinë në vend.

 “Ngërçi i krijuar, është shndërruar në bllokadë të frikshme e cila përkundër halleve të shumta ekonomike dhe politike që ka Kosova, mosvotimi i koordinuar i deputetëve të opozitës duket se do ta shtyjë pafundësisht procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, e derisa LDK ka refuzuar mundësinë e hyrjes në koalicion me LVV-në, ndërsa partitë opozitare PDK, LDK, e ashtuquajtura "listë serbe" dhe AAK-NISMA, deri më tani nuk kanë arritur asnjë konsensus ndërmjet tyre, për të krijuar një shumicë parlamentare të opozitës, ato me qëllim apo jo, po e rrezikojnë në mënyrë shumë konspirative edhe çështjen e sigurisë në vend.

Bllokimi i konstituimit të Kuvendit, e me këtë edhe i qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, ka shkaktuar një krizë të rrezikshme institucionale e cila po kërcënon edhe zhvillimin normal të ekonomisë, politikave sociale, miratimin e ligjeve dhe reformat në drejtësi, siç ka pamundësuar vendimmarrjet shtetërore dhe vet funksionimin demokratik të shtetit të Kosovës, që vërtetë është akt i pafalshëm, për të gjithë deputetët dhe partitë politike që veprojnë në Kosovë”, ka potencuar ai.

Tutje, ai është shprehur se pavarësisht zhvillimeve pozitive si vendosja e Komandës së Ushtrisë Amerikane dhe ushtrimet "Defender 2025", bllokada politike po ndikon negativisht në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe NATO.

 Po ashtu, Qarri përmend se ndihmat prej 880 milionë euro nga BE-ja janë bllokuar për shkak të mungesës së institucioneve.

“Mungesa e një qeverie legjitime dhe institucioneve shtetërore, përveçse e ka zbehur shumë kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në botë, mjerisht ka margjinalizuar edhe marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, SHBA-të dhe Aleancën e NATO-s, edhe pse këtë vit si shtet i ri, kishim fatin që Komanda e Ushtrisë Amerikane të vendosej në Kosovë si dhe ushtrimet "Defender" 2025, me pjesëmarrjen e 1000 ushtarëve të Ushtrisë së Kosovës dhe të 29 vendeve, të mbahen po ashtu në Kosovë, bllokadë që reflekton drejtpërsëdrejti për të keq edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, rrugëtimin e vendit tonë drejtë BE-së dhe dëmton avancimin e mundësive për pranimin e vendit tonë, në NATO.

Shto kësaj faktin tjetër se sipas Fondit të rritjes, për Kosovën, nga Bashkimi Evropian konsiderohej se vendit tonë i takojnë deri në 880 milionë euro në formë ndihmash, grante, subvencione dhe kredi afatgjata të Bashkimit Evropian, por që me bllokimin e krijimit të institucioneve në Kosovë edhe ndihmat e BE-së janë bllokuar dhe detyrohen të presin deri në formimin e qeverisë së re të Kosovës, për dërgimin e tyre në vendin tonë, e përkundër të gjithave sa u cekën, kriza politike në Kosovë vazhdon ende, dhe nuk ka ndonjë lëvizje pozitive për koalicion as vullnet për zgjidhjen e ngërçit politik, me gjithë pasojat e rënda për vendin tonë.

Ky ngërç dëmton rëndë mirëqenien e qytetarëve të vendit dhe shantazhon shtetin e Kosovës, por siç dihet, i konvenon shumë Serbisë dhe atyre që nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës, andaj me vetëdije apo jo, deputetët tanë janë futur në rrugë të gabuar dhe me bllokadën e krijuar po bëjnë argatin e dreqit duke i shërbyer jo vendit të vet, por armiqve të Kosovës dhe atyre që nuk duan të na shohin si popull as si shtet në rajon!”, është shprehur ai.

Sipas tij, vetëm një qeveri funksionale me mandat të qartë mund t’i përballojë sfidat e brendshme dhe të jashtme të Kosovës.

Qarri i ka bërë thirrje partive që të lënë mënjanë inatet dhe të vendosin interesin e shtetit në plan të parë.

“Në anën tjetër me gjithë premtimet e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se këtë vit do të fillohej me pagesat e para nga Paketa e Rritjes dhe Reformave të BE-së prej 880 milion eurove për Kosovën, bllokada totale mese 4 mujore e moskonstituimit të Kuvendit, e cila pamundëson edhe formimin e qeverisë së re, ka bërë, të mos dihet më, as se kur do të mund të realizohen këto pagesa, dhe tani jo për fajin e Evropës, por për mungesë të institucioneve funksionale të shtetit dhe fajin e deputetëve sharlatan të Kosovës, të cilët kanë bllokuar çdo gjë madje edhe vet funksionimin demokratik të shtetit duke rrezikuar përveç ekonomisë, gjendjes sociale e miratimit të ligjeve dhe reformave në drejtësi edhe gjendjen e sigurisë dhe stabilitetit politik në Kosovë.

Dhe derisa vetëm një qeveri funksionale, me mandat të qartë politik, mund ti përballojë me sukses sfidat ekonomike e sociale të brendshme dhe sfidat e jashtme politike, që janë duke e pritur Kosovën është koha e fundit, që partitë politike ti lënë anash inatet personale dhe para interesave partiake, ti vendosin interesat e shtetit duke ofruar bashkëpunim, treguar seriozitet konstitucional dhe dëshmuar përgjegjësi shtetformuese, përndryshe nëse mungon edhe më tej një kompromis ndërpartiak, dhe vullneti i mirë për krijimin e institucioneve të qëndrueshme të shtetit për garantimin e stabilitet institucional, social dhe politik në vend, si pasojë e dështimit për të formuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare dhe konstituuar Kuvendin, përkundër kostos së lartë, Kosova përsëri do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme, ndryshe ngërçi i krijuar rrezikon të kthehet në një krizë spirale e cila mund ta lë vendin pa institucione shtetërore, ti cenojë ligjet, kushtetutshmërinë shtetndërtimin dhe vet themelet e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Qarri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat