Situata politike në Kosovë është kaotike, me bllokada dhe ngërçe të shumta.
Deptutetët nuk po arrijnë të konstituojnë Kuvendin, pas mosmarrëveshjeve dhe inateve politike.
Kjo gjë e ka sjellë vendin në një krizë të thellë politike e cila nuk po duket të ketë zgjidhjen.
Megjithatë, partive politike nuk duket se po u bëhet vonë, pasi veçse kanë filluar të parapërgatiten për zgedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në fund të këtij vitit.
Ato kanë filluar dhe zyrtarizojnë kandidatët e tyre për komunat e caktuara.
Kjo nuk po lënë një përshtypje të mirë, pasi duket se po largohen prej përgjegjësisë për të formuar institucionet e reja.
Analistët politikë folën mbi këtë gjë, dështimet në Kuvend dhe planet për zgjedhjet lokale.
Haziri: Primare duhen ta kenë se si të dilet nga ky ngërç politik e institucionale
Së pari, për këtë çështje foli analisti politik, Nexhat Haziri.
Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se është përgjegjësi e të gjitha partive që ta nxjerrin vendin nga kriza që është tani.
Haziri foli edhe për polarizimin që po ndodh mes partive politike.
“Natyrishte se është mungesë përgjegjësie e subjekteve politike parlamentare që vendin ta nxjerrin nga ky ngërç politik dhe institucionale, dhe kjo përgjegjësi i takon më së shumti LVV-së si parti e cila ka dalur e para sa i përket votave në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Por jemi dëshmitar të një polarizimi të skajshëm të skenës politike, një mosbesim i thellë i krijuar në mes partive politike dhe mungesa e vullnetit politik e qytetar të liderët partiak që ta tejkalojnë vetveten e tyre për interesat e shtetit për t’i hapur rrugë dialogut dhe marreshjes për konstituimin e institucioneve të reja, fillimisht Kuvendin e më pas qeverinë”, deklaroi ai.
Po ashtu, analisti tha se partitë po kalkulojnë dhe po bëjnë lojra politike.
Krahas kësaj, tha se LVV duhet të bëj hapa për kompromise, pasi është partia me më së shumti deputetë.
“Gjërat kanë shkuar aq larg sa që secila palë apo parti politik që lëshon pe, e sheh vetën si humbëse, e që në realitet nuk do të vlerësohej apo të mendohej kështu, por gjithashtu është realitet se partitë politike po kalkulojnë edhe për zgjedhjet jashtëzakonshme në rast se nuk kemi marrëveshje tani, se kush kë do ta fajësoj për dështim të krijimit të institucioneve. Natyrisht se edhe në këtë rast është VV-ja, parti më më shumë deputetë në Kuvendin e Kosovës që të bëjë kompromisin, duke shtrirë dialogun edhe me partitë tjera, pra edhe me PDK-në, për të arritur një marrëveshje politike e cila do të zhbllokonte situatën e krijuar dhe vendi të bëhej me institucione të reja. Dhe ky hap nga VV-ja, është i nevojshëm pasi ky subjekt politik nuk numra as për Kuvend e as për Qeveri, dhe është krejt lojë politike deklaratat e tyre se i kanë votat për qeveri, por jo edhe për Kuvend”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, Haziri shtoi se nuk është gabim të merren partitë me përgatitje për zgjedhjet lokale, por që fokus duhet ta kenë krijimin e institucioneve dhe të bëjnë ofertat e tyre.
“Ndërsa, nuk shoh diçka negative nëse krahas zhvillimeve politike për zgjedhjen e ngërçit institucional në nivel qendror, partitë të merren edhe me përgatitjet për procesin e zgjedhjeve lokale të cilat priten të mbahen në vjeshtën e sivjetme. Por, se primare duhen ta kenë se si të dilet nga ky ngërç politik e institucionale, dhe mendoj se kjo është në dorën e VV-së, siç thash me lartë që të bëjë ofertën e saj për nja marrëveshje politike edhe me subjektet e tjera politike përveç LDK-së, pra edhe me PDK”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.
Mehmeti: Të gjithë në Kuvend janë votuar për të marrë përgjegjësi
Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti e kritikoi qasjen e deputetëve për bllokadën e krijuar në Kuvend, derisa tha se kjo është një papërgjegjësi e madhe e tyre.
Sipas tij, Kuvendi nuk bën të mbetet peng i disa politikanëve të papërgjegjshëm.
“24 herë ka dështuar të konsituohet Kuvendi, e tmerrshme dhe e turpshme për një shoqëri politike. Politikanët po dëshmojnë se për ata më i rëndësishëm është pushteti se shteti duke u barrikaduar në qëndrimet e tyre sikur në mesjetë. Kështu që, Kosova nuk guxon të mbetet peng i disa politikanëve të paskrupullt, të papërgjegjshëm”.
Ndër të tjera, tha se ka mungesë përgjegjësie dhe se kjo po prodhon kriza naive.
“Të gjithë në Kuvend janë votuar për të marrë përgjegjësi, ikja nga përgjegjësia është ikje nga obligimi për çka janë votuar demokracia e brishtë prodhon këso kriza naive, çka dëshmon për mungesë përgjegjësie”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.