20 vjet pas vrasjes së Bardhyl Ajetit, vazhdon heshtja e Prokurorisë: “U vra sepse demaskoi vrasjet politike”

Politika

20 vjet pas vrasjes së Bardhyl Ajetit, vazhdon heshtja e Prokurorisë: “U vra sepse demaskoi vrasjet politike”

Hava Orana -Xhukolli Nga Hava Orana -Xhukolli Më 3 qershor 2025 Në ora: 08:02
Bardhyl Ajeti

U mbushën plotë dy dekada që nga vrasja e gazetarit të guximshëm të ‘Bota sot’, Bardhyl Ajeti.

I vrarë më 3 qershor të vitit 2005, në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit, vrasja e gazetarit Ajeti edhe sot mbetet një mister. Nuk ka informacione të reja, nuk të arrestuar për këtë rast.

Të paktën këtë na e konfirmon edhe Prokuroria me heshtjen e saj.

Heshtja e prokurorisë zbulon se nuk ka diҫka për të thënë. Asnjë informacion të ri nga kjo vrasje e dy dekadave më parë.

“Bota sot” ka pyetur këtë institucion nëse ka ndonjë zhvillim të ri të hetimeve nga kjo vrasje, mirëpo nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

I lënë pas nga drejtësia, Bardhyl Ajeti nuk është harruar nga bashkëpunëtorët e ata që e ndjekën punën e tij.

Për përkushtimin dhe guximin e tij, foli veprimtari Saim Tahiraj.

Ai thotë se sa herë që vijnë përvjetorët e dëshmorëve, na sjellin me vete dhembje por edhe krenari, sepse dhanë jetën për lirin tonë në luftë ballë-përballë me armikun shekullorë.

Tahiraj: Shkrimet e guximshme të Bardhylit për të demaskuar vrasjet politike dhe për të thënë të vërtetën, ishin shkaktari kryesorë që e ekzekutuan kriminelët që pikërisht qëndronin prapa këtyre vrasjeve

Image
Saim Tahiraj.

“Sa herë që vijnë përvjetorët e dëshmorëve që u vranë nga një dorë kriminale shqipfolëse për të humbur të vërtetën, na sjellin dhembje dhe revoltë. Na sjellin dhimbje të dyfishtë sepse; e para se humbëm edhe një luftëtarë për të zbardhur dhe mbrojtur të vërtetën, e dyta se u vra nga një dorë e zezë kriminale shqipfolëse”, thekson Tahiraj.

Ai thotë tutje se është revoltë sepse 20-të vite kaluan dhe asgjë nuk u bë nga institucionet e drejtësisë në zbulimin e kriminelëve dhe zbardhjen e së vërtetës, se pse dhe si ndodhi.

“Me vrasjen e gazetarit guximtarë, nuk u vra vetëm Bardhyli fizikisht, por u vra gazetaria në Kosovë, u vra fjala e lirë dhe e vërteta. Shkrimet e guximshme të Bardhylit për të demaskuar vrasjet politike dhe për të thënë të vërtetën, ishin shkaktari kryesorë që e ekzekutuan kriminelët që pikërisht qëndronin prapa këtyre vrasjeve. Ku është drejtësia në Kosovë? Pse nuk u bë asgjë në zbulimin dhe zbardhjen e kësaj vrasje kriminale dhe shumë vrasjeve tjera me motive politike”, pyet Tahiraj.

Ndër të tjera, ai thotë se derisa drejtësia në Kosovë ka dështuar plotësisht në zbulimin e këtyre vrasjeve me motive politike edhe dënimin e kriminelëve, atëherë pse janë ngritur në një fushatë të ashpër kundër Gjykatës Speciale në Hagë?

“Kujt po i intereson që e vërteta mos të dali në shesh? Gjykata Special në Hagë ka mbetur e vetmja shpresë për familjarët e të vrarëve për motive politike. Shpresoj dhe uroj që edhe për Bardhylin të dali e vërteta nga zhvillimet në këtë gjykatë. Zbulimi i shumë ngjarjeve nga Gjykata Speciale janë shpresë edhe për rastin e Bardhylit, sepse shumë ngjarje janë të lidhura zingjirë dhe zbulojnë njëra-tjetrën. Lavdi Heroit të gazetarisë së mirëfilltë kosovare, Heroi që dhe jetën në zbulimin dhe mbrojtejen e së vërtetës Bardhyl Ajeti”, thotë Tahiraj për ‘Bota sot’.

Mehmeti: Vrasja e tij ishte një mesazh për gazetarët e tjerë të Bota Sot

Për veprimtarinë e gazetarit Ajeti ka folur edhe Faton Mehmeti.

Ai thotë se është e papranushme që vrasësit e Bardhyl Ajetit të mbeten ende të lirë, kur nuk ka dyshime për arsyet e vrasjes së tij.

Image
Faton Mehmeti

“Është e tmerrshme dhe krejtësisht e papranueshme që ende vrasësit e gazetarit Bardhyl Ajeti janë të lirë. Por, s’ka dyshim se dihen arsyet e vrasjes së tij, të cilat lidhen drejtpërdrejt me punën që bënte në gazetën Bota Sot, me shkrimet e tij që godisnin bandat që po e rrëmbenin shtetin dhe po e futnin në kthetrat e krimit”, vlerëson ai.

Mehmeti thotë se vrasja e Bardhyl Ajetit ishte një mesazh edhe për gazetarët e tjerë të Bota sot, por që vrasësit nuk ia arritën plotësisht qëllimit.

“Si intelektual i madh, Bardhyli nuk mund të heshte. Ai iu kundërvu këtyre bandave me penë, me fjalën e lirë dhe me të vërtetën. Prandaj, vrasja e tij ishte një mesazh për gazetarët e tjerë të Bota Sot: “Ndalu, mos e thuaj të vërtetën, sepse ne të vrasim!” Por ata nuk ia arritën qëllimit”, vlerëson ai.

Sipas tij, fatkeqësisht, as Asociacioni i Gazetarëve nuk e përkujton Bardhyl Ajetin. Duket se ende janë të kapur nga ata që për 20 vjet ishin në pushtet, e disa që erdhën në pushtet pikërisht përmes vrasjeve.

“Besoj dhe dua të shpresoj se një ditë, së shpejti, vrasësit do të japin përgjegjësi, duke u ndëshkuar për këtë krim që nuk është vetëm kundër një personi, por kundër vetë fjalës së lirë”, tha Mehmeti.

Historik i vrasjes së Bardhyl Ajetit

Bardhyl Ajeti u qëllua më 3 qershor 2005 në fshatin Bresalc, afër Gjilanit, ndërsa po udhëtonte me një veturë që kishte pësuar defekt dhe po tërhiqej nga një taksi. Sulmi ndodhi në pikë të ditës dhe u konsiderua si një atentat i mirëorganizuar.

Ajeti u plagos rëndë dhe, pas trajtimit fillestar në spitalet e Gjilanit dhe Prishtinës, u dërgua në Milano të Italisë, ku ndërroi jetë më 25 qershor 2005.

Përpara atentatit, Ajeti kishte raportuar kërcënime ndaj jetës së tij dhe kishte paraqitur një ankesë pranë Komisionerit të Përkohshëm për Media, duke theksuar rrezikun që i kanosej. Ai shkruante edhe me pseudonimin "Artur Seiti", duke publikuar artikuj kritikë ndaj figurave të caktuara politike dhe grupeve të lidhura me krimin e organizuar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat