“Patatja e nxehtë” në duart e Osmanit - Mbajtja e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht? Kelmendi sqaron kompetencat

Politika

“Patatja e nxehtë” në duart e Osmanit - Mbajtja e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht? Kelmendi sqaron kompetencat

Nga: A.M. Më: 4 qershor 2025 Në ora: 21:02
Pamje nga takimi

Të mërkurën, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e subjekteve politike, me qëllim të caktimit të datës së zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë, përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, deputetja Albulena Haxhiu, gjatë takimit me Presidenten Osmani, nuk e ka përjashtuar mundësinë që zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të mbahen njëkohësisht.

Për të njejtin mendim u shpreh edhe para takimit me Osmanin dhe përfaqësuesit e subjekteve politike.

“Besoj se është e rëndësishme që partitë politike të dëgjohen dhe të shohim cilat janë propozimet e tyre për një datë të mundshme për zgjedhjet lokale. Nuk përjashtohet mundësia që të mbahen të dyja bashkë. Ne, si Lëvizje Vetëvendosje, nuk jemi kundër kësaj ideje – megjithëse nuk është qëndrimi ynë primar. Por nëse vazhdon bllokimi dhe nuk konstituohet Kuvendi, atëherë e vetmja zgjidhje mbeten zgjedhjet”, ka deklaruar Haxhiu.

Profesori dhe njohësi i çështjeve juridike dhe politike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, ka komentuar takimin e zhvilluar mes Presidentes Osmani dhe përfaqësuesve të subjekteve politike, lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.

Image
Muhamet Kelmendi

“Në takimin me Presidenten e vendit, nga znj. Haxhiu i VV-së u kërkua që zgjedhjet lokale dhe ato të jashtëzakonshme parlamentare të mbahen njëherësh.

Me këtë kërkesë, de facto u vërtetua se VV synon zgjedhjet, duke besuar se me to mund të kalojë 50%.

Këtë e mendojnë edhe partitë e tjera parlamentare, si PDK, LDK, AAK, etj. Edhe ato shpresojnë në fitore.

Megjithatë, nga këto parti ende nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare për zgjedhje të reja parlamentare”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi është pyetur se a ka kapacitet vendi ynë për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale dhe lokale të njejtën kohë.

Ndërkaq, ai ka shtuar se një vendim i tillë kërkon pajtim mes partive politike dhe Presidentes.

“Kosova ka kapacitete për organizimin e zgjedhjeve të përbashkëta, si lokale ashtu edhe parlamentare. Çështja është: a ka nevojë të ecet në këtë rrugë? Për mendimin tim, jo.

Ka mundësi për koalicione, por unë nuk vendos. Këtu çështja është që për një vendim të tillë duhet pajtimi i partive politike dhe i vetë Presidentes së vendit.

Duhet theksuar se ngërçi politik në Kuvend ndodhi vetëm për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mundësi për koalicione ka pasur dhe ende ka.

Në këtë situatë kanë rënë edhe partitë e tjera ish-opozitare të Kuvendit të Kosovës.

Partitë, me deputetët e tyre, nuk e votuan kandidaten e VV-së për Kryetare të Kuvendit dhe kështu iu dha mundësi një kërkese të tillë”, ka theksuar ai.

Në fund, Kelmendi ka treguar se vendimi përfundimtar është në kompetencën e Presidentes, me kusht që të ketë pajtim nga partitë parlamentare.

“Natyrisht, Presidentja, para se të vendosë për zgjedhje të jashtëzakonshme, duhet ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Duhet të pritet vendimi i gjykatës.

Por, me pajtimin e partive politike, edhe pa përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese, mund të caktojë zgjedhjet. Është në kompetencën e Presidentes të vendosë. Për këtë, i nevojitet pajtimi i partive politike parlamentare”, ka përfunduar Kelmendi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat