Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka dhënë një mesazh të qartë në adresë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se përparimi drejt integrimit evropian nuk mund të arrihet pa normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Gjatë një deklarate të martën, ajo tha se rruga evropiane e Kosovës nuk kalon përmes “veprimeve të njëanshme”, por përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Kjo deklaratë vjen në një kohë tensionesh të shtuara në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe në mesazheve të përsëritura të BE-së për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se përmbushja e obligimeve nga të dyja palët është kusht për integrimin evropian dhe përfitimet që vijnë me të.
Dialogu, kriter matës i përafrimit edhe të Kosovës edhe të Serbisë me BE-në
Njohësi i politikës, Avni Arifi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se deklarimet e fundit të BE-së janë ripërsëritje e asaj që shkruhet në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.
Sipas tij, dialogu mbetet kriter kyç për integrimin e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa hapat e ardhshëm varen nga krijimi i institucioneve të reja.
“Kos kurrgjë të re nuk ka thënë, vetëm se ka përsëritur ato që janë të shkruara në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.
BE-ja ka qenë konsistente deri më tani se dialogu është kriteri matës i përafrimit edhe të Kosovës edhe të Serbisë me BE-në.
Sa i përket hapave në pritje, është vështirë të prognozohet derisa të krijohen institucionet e reja”, thotë ai.

Sadiku: Kosova, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagës dhe Madridit
Kurse, Arbnor Sadiku, analist, deklaron se Kosova duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagës dhe Madridit për anëtarësim në BE, përfshirë raportet e mira me fqinjët.
Ai potencon se pas rastit të Qipros, BE-ja është zotuar të mos pranojë vende me konflikte të hapura. Kjo vlen edhe për Kosovën edhe për Serbinë.
“Po, sepse Kosova, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duhet të plotësojë kriteret e Kopenhagës dhe Madridit, ku njëri prej kritereve është ai politik që përfshin raportet e mira ndër fqinjësore.
BE-ja, pas rastit të Qipros greke, është zotuar që të mos pranojë asnjë vend me probleme fqinjësore në BE. Fillimisht duhet të zgjidhen ato, e pastaj të synohet BE-ja.
Kjo rregull vlen edhe për Kosovën edhe për Serbinë” – përmbyll ai.

Vlen të përmendet se, bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisën në vitin 2011 në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ky dialog u quajt “dialog teknik” dhe kishte për qëllim adresimin e çështjeve praktike mes dy vendeve, me qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe përmirësimin e bashkëpunimit rajonal