A mund të jenë ndërkombëtarët çelësi i zgjidhjes së ngërçit politik?

Politika

A mund të jenë ndërkombëtarët çelësi i zgjidhjes së ngërçit politik?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 6 qershor 2025 Në ora: 20:38
Ilustrim

Ashtu siç ka ndodhur që 27 herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar përsëri që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese, por pa arritur që të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë.

Pas dështimit të 27-të, seanca konstituive, që nisi më 15 prill, do të vazhdojë më 7 qershor.

E shoqëria civile në Kosovë dhe faktori ndërkombëtar kanë bërë thirrje që Kosova të formojë sa më shpejt institucionet e reja, kërkesë kjo që ka hasur në veshë të shurdhër deri më tani.

Analistët dhe njohësit e çështjeve politike thonë se Kosova po i vuan dhe do të vuajë në të ardhmen pasojat e krizës së krijuar.

Madje, ata si zgjidhje e shohin shkuarjen në zgjedhje të reja, ose ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Fajtor deputetët

Analisti Gani Qarri thotë se bashkësia ndërkombëtare ka humbur durimin me Kosovën nga ngërçi politik, fajtor për të cilin janë deputetët e partive politike.

Image
Gani Qarri

“Dështimi për herë të 27-të, nga bllokada e paprecedent për moskonstituimin e Kuvendit, duke qenë se partitë parlamentare nuk po dëshmojnë asnjë grimë vullneti për zgjidhjen e gjendjes aktuale, ngërçi i pashembullt politik i krijuar në Kosovën e pasluftës, ka bërë që edhe BE dhe bashkësia ndërkombëtare ta humbin durimin, duke kërkuar disa herë që të formohen sa më parë Kuvendi e Qeveria dhe institucionet legjitime të shtetit të Kosovës, për të evituar edhe pasojat ekonomike dhe mos dëmtuar mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë. Me moskonstituimin e Kuvendit, partitë mosvotuese, jo vetëm që po shkelin kushtetutshmërinë dhe thellojnë gjithnjë e më tepër krizën institucionale, por me vetëdije të plotë, duke bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve funksionale të shtetit, kanë bllokuar edhe 880 milionë euro të BE-së, të parapara pikërisht për mirëqenien e qytetarëve dhe mbarëvajtjen e Republikës së Kosovës, duke rrezikuar qëllimisht edhe mirëqenien e qytetarëve, sigurinë politike dhe atë sociale në vend, gjë që vërtetë është për çdo kritikë,” thotë Qarri.

Ai kritikon deputetët ashpër, për të cilët thotë se po e zhvatin buxhetin e shtetit.

“Dhe mu në kohën kur Kuvendi vazhdon të jetë jo-funksional e pengohet formimi i qeverisë dhe institucioneve funksionale të shtetit, deputetët trushpëlarë me sjelljet e tyre pa asnjë përgjegjësi morale as politike, marrin nga shteti rroga mbi 1,700 euro dhe mëditjet e paprecedent në histori – çdo 48 orëshe, duke zhvatur me vetëdije dhe në mënyrën më të paturpshme buxhetin e shtetit dhe keqpërdorur në mënyrën më të ulët taksat e votuesve dhe të gjithë qytetarëve të varfër të Kosovës, ata që mbajnë qëllimisht të paralizuar jetën parlamentare dhe pengojnë në mënyrën më cinike formimin e institucioneve funksionale të shtetit të Kosovës!”.

“Derisa vendet me kulturë të lartë politike zgjidhin të gjitha problemet përmes bashkëpunimit ndërpartiak dhe eliminojnë çdo lloj krize politike, në rast nevoje duke krijuar qeveri edhe ndërmjet dy partive më të mëdha kundërshtare, si në Gjermani CDU&CSU dhe SPD, në Kosovë vazhdon koketimi i partive të inkriminuara opozitare, për të keq, duke bllokuar qëllimshëm për të 25-tën herë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe hapur rrugë dështimit të 28-të, një situatë kjo vërtetë e paprecedent politike, që kur e mendon njeriu se pikërisht shkaku i partive shqipfolëse të cilat kanë votuar me aklamacion ‘Zajednicën’ kundërkushtetuese serbe, Gjykatën Speciale dhe faljen e 8,300 hektarëve tokë të Kosovës shtetit xhuxh të Malit të Zi, i lë pa mend të gjithë qytetarët, madje edhe ata më inferior të vendit!”, shton analisti Qarri

Më tej, Qarri shprehet se bllokada e krijuar po pengon edhe zhvillimin normal të ekonomisë, politikave sociale, miratimin e ligjeve dhe reformat në drejtësi.

“Mungesa e konstituimit të Kuvendit, një qeverie legjitime dhe institucioneve shtetërore, përveçse e ka zbehur shumë kredibilitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës në botë, mjerisht ka margjinalizuar tej mase edhe marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, SHBA-të dhe Aleancën e NATO-s, gjë që ka shtyrë edhe përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian dhe ata të shteteve tjera ndërkombëtare, të përsëritin kërkesën për formimin urgjent të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në mënyrë që Kosova të ketë, sa më parë, Kuvendin funksional, Qeverinë e re legjitime dhe institucionet valide shtetërore për të adresuar përgjegjësitë e reformave në vend dhe avancuar procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.”

“Kështu që bllokimi konstant i konstituimit të Kuvendit tanimë po shihet dhe përjetohet edhe nga qytetarët si fushatë e dyshimtë dhe mjaft konspirative, akt i rrezikshëm antishtetëror dhe antikombëtar, me të cilin deputetët, përkundër halleve të shumta ekonomike dhe politike që ka Kosova, me mosvotimin e koordinuar të tyre dhe të ashtuquajturës ‘Listë Serbe’, ndoshta në koordinim edhe me Gjykatën Kushtetuese, e cila edhe ajo, as gati pas një muaji nuk ka kthyer asnjë përgjigje, ani pse mendimi i saj pritej të orientonte përfundimisht deputetët për zgjidhjen e ngërçit, duket se do ta shtyjnë pafundësisht procesin e konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë funksionale dhe institucioneve tjera shtetërore, pas të cilave nuk ngelet tjetër rrugëdalje përveç shkuarjes përsëri në zgjedhje të reja”, thekson Qarri.

Për fund, Qarri nuk e përjashton edhe si mundësi të fundit ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për formimin e institucioneve të reja.

“Të kërkohet ndihma e ndërkombëtarëve, gjë që turpëron rëndë dhe dëmton mjaft politikisht vendin tonë dhe i bën plotësisht të pajustifikueshme pagat e larta mbi-proporcionale të deputetëve totalisht pasivë, që marrin në mënyrë tërësisht të pamerituar mbi 1,700 euro në muaj, plus mëditjet e pamerituara 48-orëshe, të cilat, nëse nuk i ndalon dikush, shihet qartë se atyre u kanë pëlqyer aq shumë, sa që edhe deputeti më i pa-‘pasur’ materialisht, sado joaktiv dhe tërësisht i dështuar të tregohet në Kuvend, me përsëritjet 48-orëshe të seancave, pas disa muajsh ose brenda këtij viti, do të ‘kurorëzohet’ ceremonialisht si milioner i ri, duke u pasuruar në mënyrë të padrejtë dhe krejt jo meritore nga parat e taksapaguesve tanë, pa folur kurrë, as shpenzuar asnjë fjalë të vetme në Kuvend, pa votuar asnjëherë dhe as pa kontribuar asgjë për ato para aq të majme që marrin nga shteti, të cilat po dëshmojnë vet se nuk i meritojnë dhe i marrin tërësisht ‘HARAM!’”, përfundon analisti Gani Qarri.

Mungesa e ndërhyrjes së ndërkombëtarëve

Por, ndryshe nga Qarri, analisti Nexhat Haziri thotë se ndërkombëtarët nuk janë të interesuar të ndërhyjnë për formimin e institucioneve në Kosovë.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk po shihet se ndërkombëtarët kanë një vullnet që të ndërhyjnë për t’u bërë presion partive politike për ta zhbllokuar situatën rreth krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, përkundër ndonjë deklarate të bërë aty-këtu nga ndonjë ambasador. Dhe kjo flet shumë për raporte të ftohura të Kosovës me aleatët e saj strategjik, sidomos gjatë qeverisjes së Kurtit”, deklaron Haziri.

Mosndërhyrjen e ndërkombëtarëve, Haziri e quan lajm të keq për Kosovën.

“Kujtojmë se tash një periudhë të gjatë nuk kemi ambasador të SHBA-ve në Kosovë, që në të kaluarën, në rast të ngërçeve institucionale e politike, ishin amerikanët çelësi i tejkalimit të këtyre krizave dhe zhbllokonin situatën. Por tani nuk po shohim një rol të partnerëve tanë ndërkombëtarë duke kontribuar në zhbllokimin e kësaj situate të ngërçit politik e institucional, dhe ky është një lajm i keq për Kosovën që pasqyron qartë se Kosova nuk është më në fokusin e interesimit të tyre në shkallën siç ka qenë më parë”, përfundon analisti Nexhat Haziri. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat