“Pauza ndikon në...”, profesori nga Amerika ‘zbulon’ pasojat e krizës politike- ja pse përmendet Serbia e Vuçiqi

Politika

“Pauza ndikon në...”, profesori nga Amerika ‘zbulon’ pasojat e krizës politike- ja pse përmendet Serbia e Vuçiqi

Nga: N.E Më: 7 qershor 2025 Në ora: 09:58
Kuvendi i Kosovës

Kosova vazhdon të jetë pa institucionet e reja dhe kjo për shkak të mos pajtimit mes partive politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Përpjekjet për konstituimin e kuvendit vazhdojnë që nga 15 prilli dhe ende nuk ka ndonjë gjë të re në horizont.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët kërkojnë formimin e institucioneve të reja, duke thënë se Kosova duhet të ketë institucione të reja për të adresuar përgjegjësitë e reformave në procesin euro-integrues si dhe zbatimin e zotimeve në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka thënë se iu duhet një partner në pushtetin ekzekutiv që të flasin për hapat e radhës sesi të afrohet Kosova më pranë Bashkimit Evropian.

“Na duhet edhe një partner në pushtetin ekzekutiv. Na duhet një partner me të cilin mund të flasim për hapat e radhës sesi të afrohemi më pranë BE-së. Shpresojmë që qeveria do të formohet sa më shpejtë. Mbyllja e institucioneve në veri, përsëri BE-ja e ka bërë qëndrimin e vet të qartë, privatisht, zyrtarisht dhe publikisht... Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas ditë më parë shpalli se do të kemi heqjen graduale të masave ndaj Kosovës dhe kjo heqje ka filluar. Mirëpo për të ecur përpara na duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet në Kosovë. Një temë që të gjithë flasim por nuk është aq e preferuar nga politikanët në Kosovë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i BE-së është i qartë se ai duhet të themelohet dhe është më mirë të bëhet sa më shpejt që të ecim përpara”, ka thënë ai gjatë diskutimit në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se qytetarët në Kosovë janë të “frustruar dhe irrituar politikisht me ngërçin politik të krijuar”.

“Njerëzit janë të frustruar dhe irrituar politikisht. Nesër do të kemi seancën e 23-të. Çfarë imazhi është ky në sytë tanë? Nuk dua të hyj. Daniela ka përmendur dje, por të gjithë ne bëjmë thirrje në mënyrën tonë. Mirëpo në fund të fundit detyrat e shtëpisë duhet t’i bëjnë politikanët. Kemi pasur përfaqësues të lartë të BE-së, Costa dhe Kallas dhe mesazhet ishin të qarta bëni detyrat e shtëpisë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot, duke paraqitur nevojën e themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka adresuar dy mesazhe. Ai ka thënë se Kosova nuk është e izoluar, përveç siç u shpreh ai “nëse izolon vetveten duke mos i dëgjuar miqtë dhe gjetur arsye dhe shkase për mosrespektim të zotimeve të ndërmarra në procesin e dialogut”.

Guerot po ashtu u shpreh se draftstatuti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është një Republika Sërpska.

“I kam dy mesazhe të thjeshta. Mesazhi i parë është që Kosova nuk është e izoluar përveç nëse e izoloni vetveten. QUINT ka mbështetur Kosovën vite me radhë dhe kohëve të fundit kam lexuar këshillën tonë ligjore në GJND duke shpjeguar pse Franca e ka mbështetur Kosovën historikisht. Nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është një ishull por është në mes të rajonit... Ju nuk jeni të izoluar përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkase të ndryshme duke mos respektuar zotimet e ndërmarra. Po e përsërisë thirrjen e Jorn, dëgjoni miqtë tuaj”, ka thënë ai.

Thirrje për formim të institucioneve të reja në Kosovë bëri edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karim Boven.

“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, ka thënë ajo.

Ndërsa, profesori amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, thotë se kjo pauzë e privon Kosovën nga një qeveri plotësisht e autorizuar për të ndjekur interesant e vendit.

Sipas tij, palët hezitojnë ta bëjnë asociacionin realitet.

“Nuk e di se sa vëmendje do të fitonte Kosova tani në skenën ndërkombëtare duke pasur parasysh gjithçka tjetër që po ndodh. Por padyshim që kjo pauzë e privon Kosovën nga një qeveri plotësisht e autorizuar për të ndjekur interesat e vendit, veçanërisht me BE-në dhe SHBA-në. Unë mendoj se palët hezitojnë ta bëjnë Asociacionin realitet, por qeveritë e mëparshme të udhëhequra nga parti të ndryshme politike janë angazhuar në mënyrë konstruktive me Serbinë në Dialog”, deklaroi Serwer në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image
Daniel Serwer

 

I pyetur rreth propozimit të qeverisë gjithëpërfshirëse, Serwer thotë duhet të merret ky opsion, por nuk duhet ushtruar presioni i së kaluarës.

“Unë mendoj se institucionet e Kosovës duhet të merren me këtë dhe opsione të tjera. Unë nuk do të favorizoja llojin e presionit ndërkombëtar mbi formimin e qeverisë që kemi parë ndonjëherë në të kaluarën. Kosova votoi. Përfaqësuesit e qytetarëve duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre”, pohoi profesori.

Vuçiq do të shfrytëzojë situatat për ta portretizuar Kosovën si partner të papërshtatshëm, por sipas Serwer, tani për tani Serbia është e papërshtatshme.

“Vuçiç do të shfrytëzojë gjithmonë çdo situatë për ta portretizuar Kosovën si një partnere të papërshtatshme. Por tani për tani, Serbia duket e papërshtatshme, për shkak të miqësisë së saj me Rusinë dhe Kinën, si dhe sfidave të saj të brendshme. Nëse Kosova do të kishte një qeveri të konfirmuar në parlament, mendoj se do të mund ta shfrytëzonte më mirë këtë mundësi”, shtoi Serwer.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat